Alban Hyseni hap fushatën në Gjilan
Fjala e kryetarit Alban Hyseni në hapje të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Gjilan:
Të dashur banorë të Gjilanit.
Të dashur aktivistë e aktiviste të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në javët e fundit, e kemi bërë të pamundurën të mundur. E kemi hedhur çdo hap, me synimin për të krijuar baza e themele të forta, për qeverisjen e ardhshme të Gjilanit. E kemi trajtuar këtë rrugëtim, me kujdes e delikatesë, me vendosmëri e guxim. I kemi shtuar copëzat munguese të kuadros përfundimtare, një e nga një, duke qenë të sigurt se rruga që e ndjekim bashkarisht, është ajo e duhura.I ndezëm shpresat e zëri jonë kumboi në të gjithë vendin, kur fituam zgjedhjet e raundit të parë. Lagjet e fshatrat e qytetit, u elektrizuan nga ajo që kishin kohë që e prisnin: udhëheqje e lidership të ri.
Si fitues, përkrahja që e morëm ishte e pamjaftueshme për të nisur menjëherë projektet e ndryshimit, por kjo nuk na e zbeh entuziazmin. Përkundrazi, na dha një sinjal shumë të qartë. Na tregoi se duhet shumë punë e angazhim për të marrë në masë besimin e gjilanasve. Na tregoi se Gjilani është gati për të sjellë një frymë të re. Protagonistët kryesor të kësaj fushate, jeni ju, banorët e Gjilanit. Do të jeni edhe në këto 5 ditë fushate që na presin. Ajo që ka ndodhur më përpara, është se pas fushatave elektorale, ju jeni lënë në harresë. E këtë fakt, ne nuk e lejojmë më të përsëritet. Opinioni e vota juaj ka vlerë në çdo kohë, jo vetëm atëherë kur i leverdis pushtetit.
Pas 14 Nëntorit, ju do jeni aktorët kryesorë, të çdo projekti që çon drejt ndryshimit. Këmbana e ndryshimeve rinis me këto pak ditë të mbetura e vazhdon për një periudhë 4 vjeçare ku do bashkëqeverisim. Raportet e drejta, barazia ndaj ligjit e eleminimi i privilegjeve, më në fund do gjejë vend. Fushata jonë, sheh padrejtësitë dhe thërret kundër tyre. Sheh edhe potencialin e komunës tonë, e punon për perfeksionimin e projekteve, që çojnë drejt rritjes së kapacitetit zhvillues.E ardhmja jonë ndërtohet përmes kujtesës.
Është ajo që nuk na lejon të përsërisim gabimet e së shkuarës. E këtë e nisim duke i thënë “JO” lënies në harresë e shfrytëzimit të mëparshëm. Vetëdija jonë, duhet të bëhet vendimi ynë. Çdo gjë është e mundur, kur reflektimi i së kaluarës, na krijon përfytyrimin e asaj çka duam e kërkojmë. Kërkesa bazohet në nevoja dhe dije, e ato i shndërrojmë në realitet.
Ne besojmë se energjia dhe vullneti i mirë, kanalizohen në ide. Ndërlidhja e ballafaqimi i ideve, ndërton një vizion. Vizionin se si i shohim gjërat, e i kthejmë të prekshme e të jetueshme. E këtë e bëjmë duke e tejkaluar të vjetrën, e përqafuar të renë.
Marrim guximin, të shtyjmë forcat tona, në këto ditë fushate e të drejtohemi kah e mbara. Motivimin e gjejmë tek vetja, motivimin e gjejmë duke e parë njëri tjetrin në sy. Aty ku reflektohet forca jonë dhe kurajoja, për ndryshimin.
Për arsim model e kushte më të mira për mësimdhënie për fëmijët tanë.
Për zonën ekonomike, zhvillimin e mirëqënien për të gjithë.Për transformim e rregullim të infrastrukturës së fshatrave e lagjeve.
Për barazi e transparencë në shpërndarjen e subvencioneve.Për rritje të efikasitetit në administratën komunale.
Për shëndetësinë e pakove të kompensimit për shpenzime për nënat e reja dhe shërbimin mamografik.Për rininë e start-upeve e investimit për ta nëpërmjet Themelimit të Fondit të Rinisë.
Për hapësirat e mëdha rekreative, parqet e gjelbërta e të lojërave për çdo lokalitet.Për palestrat sportive e stadiumin e qytetit.Për artin e kulturën.
Bëjmë një hap përpara, për të bashkëqeverisur, për fshatrat e lagjet e Gjilanit.
Marrim guximin, të flasim të gjithë së bashku, përmes një zëri të ri e udhëheqje të re.
Ju faleminderit!