10 02 2022

Homazhe në nderim të Monit dhe Arbenit

Në 15 vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, një delegacion i prirë nga Kryeministri, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me familjarë, aktivistë të Lëvizjes, shokë e shoqe të Arbenit e Monit, bënë homazhe së pari në Besianë te varri i Mon Balajt, e më pas te ai i Arben Xheladinit në Prishtinë.

Moni edhe Arbeni ishin dy prej protestuesve që u vranë në protestën e 10 shkurtit 2007 nga njësiti rumun i policisë së UNMIK-ut. Ata, bashkë me mijëra të tjerë atë ditë, me kërkesën për liri e vetëvendosje, për sovranitet e pavarësi të plotë për Kosovën, po marshonin drejt sheshit “Skënderbeu” ku policia e UNMIK-ut kishte bllokuar rrugën për të shtirë më pas me plumba gome në drejtim të protestuesve që lanë dy të vdekur, e mbi 80 protestues të tjerë të plagosur.

Rënia e Arbenit dhe Monit e shkroi për herë të parë fjalën pavarësi në dokumentin propozues për zgjidhjen e statusit të Kosovës, dhe një vit pas kësaj proteste, Kosova e shpalli pavarësinë.

Kujtimi ynë për Arbenin dhe Monin është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme.

Kontribo