10 02 2022

HOMAZHE TE PLLAKA PËRKUJTIMORE E MON BALAJT DHE ARBEN XHELADINIT

Shqiptarët e çdo brezi janë takuar në këtë shesh me historinë. Shqiptarët e çdo brezi do të rivijnë përsëri në këtë shesh e do të përkujtojnë të rënët për drejtësinë shqiptare. Në vitin 68, në vitin 81, në vitin 91, në vitet 97, 98 e 99, në vitin 2007, për me mbërrit në të tashmen tonë, ne kishim thënë gjithnjë se drejtësia nuk importohet, por është virtyt i imagjinatës sonë. Me këtë imagjinatë e me këtë besim ne dolëm me mijëra në shesh. Po atë ditë ne deklaruam se është virtyt i demokracisë kjo dalje në shesh. Dhe policia arbitrare e UNMIK-ut na u përgjigj. Ajo donte të na mësonte një shtetim pa demokraci. Ne ishim qytetarë të dorës së dytë, e për qytetarët e dorës së dytë nuk ka Kuvend, por polici. Nuk ka gjykim, por hetim. Mijëra ishim bashkë në shesh atë ditë dhe me qindra mijëra në vatrat tona me shpirtin e Republikës. Baca Adem, me 28 vitet e burgut në shpinë, deklaronte drejtësinë para pothuaj 28 vjeçarit Mon Balaj. Ndërsa Arben Xheladinit po i mbusheshin po aq vite prej pjekurimit të parë në protesta, prej atëherë kur ai shpinte bukën në barrikadat e studentëve të vitit 81. Kështu është thurur gjithnjë historia jonë: vitet e burgut të dikujt përcaktojnë moshën e pjekurimit dhe përjetësimit të dikujt tjetër.”

“Prandaj, të gjithë ne pa dallim, ne dhe ngjarja jonë e 10 shkurtit bashkë me ne, jemi të përfaqësuar nga këta dy emra: Arben Xheladini dhe Mon Balaj. Përmes ngjarjes sonë dhe emrave të tyre ne do të takohemi me nipat e fëmijët tanë në të ardhmen, ashtu siç e kemi bërë historikisht. 10 shkurti ishte ngjarja e Republikës. Pra kur mblidhemi këtu, mblidhemi edhe në emër të të gjithë atyre që janë mbledhur para nesh në këtë shesh, por edhe për të treguar se ç’mësoi dija e Republikës atë ditë. Mblidhemi për të dëshmuar se kemi qenë si popull gjithnjë të pjekur e të vetëdijshëm deri në flijim për plotninë e drejtësisë.”

– pjesë e shkëputur nga fjala e Kryeministrit, Albin Kurti, mbajtur sot pranë pllakës përkujtimore që sot tregon 15 vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt nga policia e UNMIK-ut.

Bashkë me Kryeministrin, në sheshin qendror e pranë pllakës përkujtimore përplot me lule të freskëta sot, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrat e qeverisë, deputetët, familjarët, aktivistët dhe shokët e shoqet e Monit dhe Arbenit.

Kontribo