24 02 2022

Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend, foli për agresionin rus në Ukrainë, dhe për projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë që do të votohet sot në Kuvend.

Fjala e plotë e Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend, ku foli për agresionin rus në Ukrainë, dhe për projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë që do të votohet sot në Kuvend.

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë,

I nderuar kabinet qeveritar,

Qytetarë të dashur,

Sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm. Sot, i gjithë kontinenti ynë por edhe më gjerë, janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe lirisë.

Duke qenë të brengosur me ndikimin që mund të ketë kjo luftë e re, shumë e madhe, me pasoja tashmë tragjike edhe në rajonin tonë e posaçërisht në Republikën e Kosovës, mbrëmë kemi mbajtur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku me disa prej ministrave dhe me drejtues të institucioneve tona të sigurisë kemi vlerësuar, analizuar, dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i ndërmarrim në mënyrë që orientimi ynë evropian dhe euro-atlantik të jetë në nivelin, në cilësinë, në intensitetin më të lartë të mundshëm.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërsa vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore, i cili është sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta marrë miratimin tuaj sot.

Ka vite që kemi theksuar e jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia.

Në Kosovë, për më shumë se dy dekada, në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria. Herë zbrazëtirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë, kanë lënë mundësi për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshmërisë. Rrjedhimisht, ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit, janë pasuruar duke keqpërdorur taksat e qytetarëve.

Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do t’i heqë pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.

Kjo Byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Nëpërmjet këtij projektligj, në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”.

Hartimi i këtij Projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës, krahas përfaqësuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile. Në hartim janë përfshirë madje edhe gjykatës dhe prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet.

Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik dhe të ekspozuarve politikë. Pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata. Gjykata garanton procedura profesionale dhe respektim të të drejtave të palëve në procedurë, të cilat i njeh Kushtetuta dhe ligjet tjera në fuqi.

Ky ligj pra përcakton kthimin e pasurisë tek pronari legjitim dhe juridik, që është Republika e Kosovës.

Të nderuar deputetë,

Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm, meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë.

Miratimi i këtij projektligji na hap udhë për të vepruar në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira, për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.

Andaj, ju ftoj që ta mbështesni me votën tuaj.

Ju falemnderit

Kontribo