Me popullin e Ukrainës
Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me popullin ukrainas që po reziston kundër forcave pushtuese ruse.
Agresionin ushtarak që urdhëroi Putini nuk e dënojmë vetëm ne, por i gjithë opinioni publik e institucional në Kosovë, ashtu si edhe kombi shqiptar në përgjithësi. Ne e kemi provuar agresionin e Serbisë në vitet ‘90, prandaj e dimë dhimbjen e vuajtjen që po përjetojnë tash qytetarët e Ukrainës.
Liri e paqe për Ukrainën, mbështetje për qëndresën e popullit ukrainas, përkrahje për çdo qytetar rus që i kundërvihet pushtimit, dhe bashkërendim i plotë me aleatët tanë që po e ndjekin me shqetësim e vëmendje çështjen. Këto janë qëndrimet e Lëvizjes në këtë ditë të vështirë për krejt botën.