Mbështesim “Marshojmë, s’festojmë”
Më 8 mars aktiviste e aktivistë të Kolektivit “Marshojmë s’festojmë” kanë organizuar një marsh protestues, që do të ketë tri pikëtakime kryesore, në orën 10:00 Pallati i Drejtësisë, 11:00 te rrethi i Flamurit dhe 12:00 te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë në mbështetje të plotë të marshit dhe nesër do të jemi në shesh sepse mendojmë që për gratë e burrat në shoqërinë tonë duhet të ketë barazi të të drejtave politike, ekonomike e shoqërore. Prandaj është detyrë jona qytetare të dalim në marshim përkrah aktivisteve e aktivisteve të shoqërisë civile.
Mendësia patriarkale mban gjallë vrasjen e grave, femicidin, fenomen kriminal që duhet luftuar nga gjithë pjesët e shoqërisë sonë. Prandaj edhe marshimi nën thirrjen “Marshojmë kundër vrasjes së grave” duhet të na bashkojë të gjithëve si shoqëri e si institucione për drejtësi e barazi gjinore e shoqërore.
Tashmë është dëshmuar se organizimi shoqëror për të jetësuar synimet tona për barazi e drejtësi është e vetmja alternativë. Andaj si çdo ditë edhe në ditën ndërkombëtare të grave ne jemi në solidaritet të plotë me secilin organizim që kryefjalë e ka solidaritetin gjinor sepse jemi të ndërgjegjshëm që solidariteti gjinor është shpresa e vetme nëpërmjet së cilës arrihet te barazia, edhe gjinore.
Ne i bëjmë thirrje anëtarësisë sonë dhe të gjithë qytetarëve pa dallim, jo vetëm ne Prishtinë por, kudo ku marshohet edhe në qytetet tjera të bashkohen kundër patriarkatit që vret, e për barazi.