Marsi shënon muajin e përkujtimit të qindra masakrave ndaj popullit të Kosovës të ndërmarra nga shteti i Serbisë në luftën e fundit të vitit 1998-99.
Masakra e Krushës së Madhe që e kujtojmë me 26 mars, pak ditë pas fillimit të bombardimit të NATO-s, ku u vranë 241 qytetarë civilë të këtij fshatit është shembull konkret i krimit dhe gjenocidit të kryer nga Serbia.
”Na e kërkon këtë rivendosje të drejtësisë çdo familje e Krushës, çdo familje e Kosovës, por mbi të gjitha vërtetësia dhe qëndrueshmëria jonë si shtet e si popull. Natyrisht që simbolin e Krushës ne e kemi edhe më të lartë e më të ndritur. Një prej të zhdukurve me dhunë të Krushës është një nga njerëzit më të mençur që ka kaluar në gjuhën shqipe e në trojet shqiptare: Ukshin Hoti. Është e lartë dhe e vështirë t’i rikthesh Krushës së Madhe drejtësinë për Ukshin Hotin. Është e vështirë drejtësia për të zhdukurin. Është e vështirë drejtësia për cenimin në inteligjencë të një populli”, tha Kryeministri Kurti në 23 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe.
Qeveria e Kosovës krahas përgatitjes së padisë për gjenocid ka themeluar edhe Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë jo vetëm për t’i evidentuar ato, por për të sjellë drejtësi për mijëra viktima që u vranë padrejtësisht në vendin e tyre.