26 03 2022

Në Krushë të Vogël u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën.

Në Krushë të Vogël, para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësisht familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët. Në këtë masakër u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën. Nga kjo masakër 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Ndërsa nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb.

Ndërkaq sot pas 23 vitesh janë rivarrosur mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999.

‘’Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe. Nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar. Dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara. Historia jonë është e shkruar me mbi 400 masakra të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë. Kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet. Asnjëherë të ndryshohet, tha Kryeministri Kurti.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, gjatë luftës, Andin Hoti.

Kontribo