14 04 2022

Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë


Komunikatat ku prej pesë pikave publikohen dy e mbulohen tre, nuk janë punë për drejtësi, por taktikë dhe strategji e padrejtësisë.

Këtë gjë ka bërë Prokuroria e Kosovës, pa u brengosur aspak për aspektin njerëzor të familjarëve e shokëve të Astrit Deharit, por mbi të gjitha, pa u shqetësuar fare për drejtësinë dhe ligjin në Republikën e Kosovës, gjë e cila do të duhej të ishte mision kryesor i atij institucioni.

Instrumentalizimi politik i institucioneve të drejtësisë lehtë përfundon në instrumentalizim kriminal të atyre institucioneve. Këtë na i tregon të gjithëve rasti i Astrit Deharit. Por ndryshimi i madh që ka ndodhur në Kosovë kërkon t’i jepet fund drejtësisë që fsheh krimet dhe dënon të pafajshmit. Ai ndryshim nuk kthehet pas, institucionet do të çkapen, drejtësia do të pavarësohet.

Ashtu siç nxituan atëherë për ta shpallur vetëvrasje, ashtu po nxitojnë dhe sot, për komunikata me informacione selektive.

Asnjë komunikatë e asnjë reagim i atyre që e kishin dhe e kanë detyrë ligjore zbardhjen e rasit, nxjerrjen para përgjegjësisë e mundësimit të drejtësisë së plotë për Astritin, nuk mund të shfajësojë as zinxhirin institucional të kohës, e as përgjegjësinë institucionale të prokurorisë së sotme.

Drejtësi për Astritin pashmangshëm nënkupton nxjerrjen e përgjegjësve para gjykimit. Nga arrestuesit e tij me akuza të fabrikuara, te përgjegjësit e burgut, drejtori i policisë e Kryeprokurorin Sylë Hoxha për pretendimet e tij të pabazuara, kontradiktore e deklaratat e rrejshme.

Burgosja e Astritit dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit.

Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si most ë jemi   të zhgënjyer.
 
Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë drejtësinë.

Në dokumentin më poshtë gjeni Kallëzimin Penal të parashtruar nga Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

Kontribo