09 05 2022

Liria e popujve do të triumfojë!

Liria e popujve do të triumfojë!

Fitorja në Evropë e aleatëve dhe kapitullimi i Hitlerit në maj të vitit 1945, u pasua nga deklarata e 9 majit 1950 e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Robert Schuman. Këto ishin ngjarjet që patën vendosur në kontinentin tonë themelet e paqes dhe solidaritetit. Fitorja mbi nazifashizmin dhe ndërtimi i projekti i paqes në Evropë. Mbi këto ngjarje politike e vlera njerëzore ka zënë fill projekti i Bashkimit Evropian, projekti më jetëgjatë i paqes në historinë e njerëzimit.

Pas rënies së murit të Berlinit, në vitet ’90 hijet e fashizmit në formën e tij më të egër u kthyen sërish në Evropë. Luftërat, krimet e gjenocidi i shkaktuar ndaj popujve në Ballkan nga Millosheviqi rikthyen përpjekjen për ta fituar sërish një betejë në thelb për lirinë. Me çlirimin e Kosovës 23 vite më parë, Evropa shënoi edhe një fitore tjetër ndaj fashizmit, tanimë të Serbisë.

Këtë vit 9 maji evropian gjendet i sfiduar sërish. 77 vjet pas fitores së madhe të lirisë në Evropë, një luftë pushtuese e shkallës së gjerë po zhvillohet. Tash e tre muaj Ukraina po qëndron përballë agresionit më të madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kemi ndjeshmëri të lartë për përjetimet e popullit ukrainas për shkak të përvojave të ngjashme që kemi kaluar para vitit 1999. Mundi, vuajtjet, mungesat, por edhe lufta çlirimtare e ndihmuar prej miqve na kujtojnë luftën tonë për liri e demokraci kundër fashizmit të Sllobodan Millosheviqit.

Si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi theksuar ndërvite që barazia mes shteteve dhe paprekshmëria e kufijve shtetërorë janë dy prej themeleve kyçe të paqes në Evropë. Këtë e kemi përsëritur për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm që na bëhet prej Serbisë, këtë po e përsërisim për shkak të kërcënimin tashmë të realizuar në Evropë me pushtimin e Ukrainës.

Kërcënimi i paqes diku është kërcënim për paqen kudo dhe kjo ka vlerë historike sidomos në Evropë.

Sot, shënohet dita e projektit të Evropës, me kuptimin më të lartë se kurdoherë dhe kjo falë rezistencës që po tregon populli Ukrainas ndaj agresionit rus. Është kjo rezistencë që sot po pamundëson çfarëdolloj deklarate të fitores në kampin fashist. Është kjo ditë që na kujton që ashtu siç Hitlerit i doli gabim përllogaritja për pushtimin e Rusisë në tre muaj ashtu po i del gabim edhe Putinit përllogaritja për pushtimin e Ukrainës.

Pavarësisht përpjekjeve për ringjallje të fashizmit, është kjo ditë që na kujton që edhe 77 vite më pas, popujt nuk durojnë pushtimin dhe sundimin.

Nderime të gjithë burrave dhe grave që ranë për lirinë e popujve në Evropë nga çdo agresion fashist dje dhe sot. Liria dhe siguria në Evropë do të triumfojnë.

9 maj 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo