29 05 2022

Mbledhja e XLVII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e organit më të lartë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mbledhja e 47-të e Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutuan çështje të rëndësishme politike dhe organizative.

Para delegatëve të pranishëm, siç është zakon në pjesën e parë të mbledhjes, fjalën e mbajti Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili foli për zhvillimet në vend, me theks te njëvjetori i qeverisjes, punët që janë bërë dhe do të bëhen, si dhe për procesin zgjedhor brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Edhe pse ka qenë një vit sfidues me pandeminë, krizën globale energjetike, agresionin rus në Ukrainë, kemi punuar me krejt çfarë kemi mundur dhe jemi angazhuar me krejt çfarë kemi ditur që t’ia dalim sa më mirë në këtë një vit qeverisje tha Kurti në fjalën e tij hyrëse.

“Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë duke qenë në rajon vendi me numrin më të vogël të vdekjeve dhe shkallën më të lartë të vaksinimit. Kemi shënuar rritje dyshifrore ekonomike. Kemi bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Kemi luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë. Kemi avancuar aleancat dhe partneritetin me shtetet mike dhe kemi treguar solidaritet ndërkombëtar me popujt në nevojë. Kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Dhe, kemi pasur një koordinim të shkëlqyer institucional mes presidencës, kuvendit dhe kryeministrisë

Kryetari Kurti foli edhe për matjet e publikuara nga organizatat e jashtme që e nxjerrin Kosovën si fanar të demokracisë. Ai tha se ato tregojnë më së miri ndryshimin substancial në vendin tonë, ndryshimin përmbajtësor të imazhit të Kosovës, si dhe japin hapësirën e duhur të aplikojmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

Në lidhje me vizitën e gjatë dhe të frytshme jashtë vendit në ShBA dhe Zvicër, Kurti tha se ato janë zhvilluar me sukses në shërbim të shtimit të mundësive për investime dhe siguri në Kosovë.

Te çështjet organizative ku tash në qendër kemi procesin e brendshëm zgjedhor, Kryetari Kurti foli për rëndësinë që kanë dy organet e reja Gratë për VETËVENDOSJE!-n dhe Rinia për VETËVENDOSJE!-n në fuqizimin e mëtejmë të grave dhe rinisë përbrenda organizatës, dhe për nevojën e organizimit të mërgatës në një formë të re më të përshtatshme dhe efikase.

Pas fjalës së Kryetarit Kurti, pasoi diskutimi i delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm për situatën politike në vend.

Në aspektin organizativ u bë zëvendësimi i anëtarëve të Komisionit Statutor; Filloi diskutimi për rregulloren e re për organizimin e mërgatës; si dhe u bë shpërndarja e certifikatave për aktivistët që kanë përfunduar Nivelin Teorik të Shkollës Politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo