Fëmijët nuk duhet ta vuajnë lojën politike të një sindikate, mësimi duhet të vazhdojë!
Sot në Gjilan, Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me Kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe Kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, bënë thirrje që nesër prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe mësimdhënësit ta fillojnë procesin mësimor.
Pas punës së bërë për Ligjin e Pagave në afat rekord nga qeveria, duhen dërguar komentet nga sindikatat e jo të vazhdohet me greva. Greva në arsim në këtë kohë është lojë e rëndë politike që luhet mbi fëmijët dhe të ardhmen e tyre.
Qeveria ka nxjerrë Pakon Mbështetëse për përballimin e inflacionit, gjithsecili institucion është angazhuar që kjo hyrje në vjeshtë para një dimri të rëndë që na pret të përballohet sa më lehtë. Andaj, edhe institucionet shkollore duhet ta bëjnë pjesën e tyre dhe ta kthejnë normalitetin nëpër shkolla, thanë kryetarët e komunave.