22 10 2022

Fjala e Kryetares Haxhiu në Mbledhjen I të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!

I nderuar kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar deputete dhe delegate të Këshillit të Përgjithshëm,

Mirë se e gjejmë njëra tjetrën në mbledhjen e parë të KP të GVV.

Gratë për VETEVENDOSJE!, ka ardhur si nevojë për angazhim dhe organizim edhe më të fuqishëm të grave, për ta ndryshuar gjendjen së pari brenda nesh në Levizje e pastaj kjo do të ketë edhe impakt të madh edhe në shoqëri.

Nuk mund të mos e përmend faktin që, prania juaj sot këtu, më shton besimin që e ardhmja e vajzave dhe grave në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, do të jetë e ndritur.

Me praninë tuaj sot këtu, kam besimin që të gjitha bashkë dhe shumë të tjera që do të na bashkohen, do të rrugëtojmë dhe do të punojmë në avancimin sa më të mirë të pozitës së gruas në LV por edhe në shoqëri.

Ne duam e do ta ndërtojmë së bashku një Lëvizje VETËVENDOSJE! ku ka vend për vajzat dhe gratë, po aq sa për djemt e burrat sepse organizata jonë sikur edhe shteti ynë  është edhe i grave po aq sa i burrave.

Si GVV, do të jemi të pakompromis kur vjen fjala tek barazia gjinore. Me strukturat dhe me anëtarësinë e GVV-së do të punojmë që të avancohemi si gra, të gjitha së bashku.

Nuk do të jemi forum që dëgjojmë burrat nga lartë, por jemi aktiviste politike që e kuptojmë gjendjen ku ndodhemi dhe duam ta ndryshojmë atë.

Gratë i kanë dëgjuar mjaftueshëm burrat, është koha që të dëgjohen gratë. Të dëgjohemi ne, secila. Tashmë kemi hapësirën tonë, GVV-në duhet ta shfrytëzojmë si vend ku e maksimizojmë angazhimin politik për barazi gjinore.

Anëtarësimi i grave dhe vajzave në GVV e në Lëvizje është kryeproriteti jonë, andaj duhet të angazhohemi aktivisht që të rrisim anëtarësinë me gra.

Sa më shumë që rritemi aq më të forta bëhemi. Andaj, ju lus që nga tash të ftoni vajza e gra të na bashkohen. Ne kemi kemi nevojë për secilën grua të këtij vendi.

Jemi të vetëdijshme për sfidat dhe barrierat, por do t’i tejkalojmë teksa lëvizim së bashku kundrejt patriarkatit dhe drejt barazisë gjinore. Sa më shpejt rrëzojmë të parën, aq më shpejt arrijmë të dytën.

Më lejoni të përmend që Qeveria jonë, është qeveria më progressive që ka pasur Kosova ndonjëherë. Vetëm brenda këtij 1 viti e gjysmë në qeverisje, ne kemi ndërmarrë shumë masa e veprime e vendime që prekin direkt vajzat dhe gratë sepse jemi të vëtëdijshëm me sfidat e vështirësitë që i kanë. 

Më lejoni të përmend shkurtimisht dhe të fillojë nga Ministria e Drejtësisë.

Reformat që kemi nisur në sistemin e drejtësisë do të ketë ndikim sidomos tek vajzat dhe gratë sepse pas jetësimit të reformës gratë nuk do të presin me vite të tëra për një vendim që lidhet me trashëgiminë, pronën, divorcin, kujdestarinë ndaj fëmijëve, apo mbrojtjen e dinjitetit të tyre në rastet kur kemi dhunë fizike, psiqike, seksuale apo materiale ndaj tyre.

Duke qenë përgjegjës për adresimin e politikave kundër dhunës në familje, deri tani:

  • kemi miratuar Strategjinë Nacionale kundër dhunës në familje,
  • kemi funksionalizuara grupin ndërministror kundër dhunës në familje
  • kemi ndihmuar Kuvendin në hartimin e ligjit kundër dhunës në familje
  • këtë vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës juridike falas për vajzat dhe gratë viktima të dhunës
  • kemi eliminuar procedurat burokratike për kompensimin e vikitmave të dhunës
  • për herë të parë po hartohet protokolli shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale
  • për herë të parë është duke u hartuar dokumenti për trajtimin e dhunuesve,

si dhe në mbledhjen e fundit të Qeverisë:

  • kemi bërë ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, ashtu që në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo dhunimit seksual:
  • do t’i ndalohet punësimi në institucione publike,
  • do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror
  • do t’i merret leja e vozitjes
  • nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit
  • trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se 1 vit si dhe
  • emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK

Po ashtu përgjatë kësaj kohe janë ndërmarrë disa masa që prekin direkt gratë

Masa 1.3 Mbështetja e Punësimit të Grave: Në kuadër të kësaj mase kemi pasur 3,571 punëtore përfituese dhe 1,490 biznese përfituese.

Masa 2.1.2 Mbështetja e bizneseve që janë në pronësi të grave:

Deri më tani, në kuadër të kësaj mase kemi pasur 43 aprovime. Në total, vlera e subvencionimit është 491,988.40 euro kurse vlera e kreditimit të mundësuar është 3,076,432 euro

Masa 3.5 Shtesat për Fëmijë dhe Shtesat per Lehona: Që nga fillimi i skemës së Shtesave e deri më tani, kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona.

  • Mbështetje financiare për Strehimoret që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale dhe  ri-integrimit të tyre.
  • MFPT ka  realizuar marrëveshje profesionale  për mbrojtjen dhe strehimin e viktimave të dhunës në familje me dhjetë (10) strehimore në nivel nacional të cilat janë;
  • Për vitin 2021, për 10 strehimoret  shuma e mbështetjes ka qenë 545,000 euro;

Për vitin 2022, për 10 strehimoret  shuma e mbështetjes ka qenë 400,000 euro.

  • Për vitin akademik 2021/2022,  janë ndarë bursat STEM, gjithësej 1365 bursa, ku 812 përfituese kanë qenë vajza/gra dhe 553 kanë qenë djemë. Shuma e mjeteve ka qenë në vlerë prej 1.000.
  • Janë dhënë 14 bursa për studentë me nevoja të veçanta në vlerë prej 700 eurove,13 vajza dhe një djalë
  • Janë përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës.

Po ashtu sa i përket ndarjes së subvencioneve në bujqësi,  për vitin 2021 janë

1325, gra përfituese.

Të nderuara delegate, ka edhe shumë të tjera e do të kemi edhe shumë veprime që do t’i ndërmarrim. Shumë prej vendimeve e masave, do t’i kërkojmë ne si GVV.

Sepse sikurse në të kaluarën, kur pozita e gruas ishte larg të qenit e barabartë krahas burrave, në një nivel pak më mirë po sërish larg të qenit të barabartë është edhe sot ku gratë janë të pabarabarta me burrat.

Por sikurse jemi të vetëdijshme për këtë gjendje, nga leximet, nga historitë e disa edhe dëshmitare të kohrave të ndryshme, ndër vite kemi pasur edhe gra që thyen edhe kufijtë për të avancuar gruan kudo.

Madje çlirimi dhe avancimi i pozitës së grave në një shoqëri të caktuar, ndikoi në ngritjen dhe çlirimin e grave edhe në të tjera shoqëri.

Ne këtu, jemi gra me profesione të caktuara dhe veprojmë në vende të ndryshme e komuna të ndryshme. Pavarësisht kësaj, unë jam e vetëdijshme që secila prej nesh kemi kauzën e përbashkët, ngritjen e pozitës së gruas në organizatë, shoqëri, në institucione dhe kudo tjetër.

Gratë në politikë, nuk do të jetë pikëmbërritja më e arritur e gruas.

Avancimi i cilësdo grua në cilindo institucion, nuk do të jetë përmirësim apriori i pozitës së grave të tjera,- shumë prej të cilave në heshtje bartin peshën e rëndë të pabarazisë.

Gratë në politikë, duhet të jenë mundësia për përmirësimin e gjendjes së vajzave dhe grave, derisa gratë e papuna dhe punëtore të trajtohen me dinjitet. Në shtëpi dhe në vendin e punës, në lagje, fshat e qytet….gjatë ndarjes së trashëgimisë e me regjistrim të pasurisë në emër të grave, në konkurset qoft në nivel publik apo privat.

Kjo nuk do të jetë punë e lehtë por kur mbledhim forcat e energjitë tona, jam e bindur po ashtu edhe në jetësimin e synimeve që kemi.

Është detyrë e jona që në këtë kauzë të rëndësishme për emancipim të shoqërisë, të jemi bashkë, por jo vetëm gratë. Shkrimtarja e njohur, feministja amerikane që ndrroi jetë në fund të vitit të kaluar, Bell Hooks, në titullin e librit të saj të famshëm që ndikoi në progresin feminist, thoshte që “Feminizmi është për të gjithë”.

Sigurisht, në aspiratën tonë të barazisë nuk do të presim asnjëherë që t’i prijnë burrat aktivist, por se ata duhet dhe do të jenë krahas nesh. Ata duhet dhe do të jenë mbështetësit e kësaj kauze, e cila do të fitojë kundrejt çdo shtypje sado të kamufluar.

Dhe deri sa barazia të jetë frymë në të cilën brezat do të edukohen, dhe e cila do të ndihmojë njeriun, shoqërinë, botën.

Të dashura delegate, disa prej nesh kemi role të caktuara që me siguri nuk do të jenë të përhershme. Prandaj kudo ku jemi e kudo ku veprojmë është i rëndësishëm angazhimi ynë.

Le të angazhohemi për pozitën e grave, për ato se çka jemi dhe do të mbesim për herë.
Le të përpiqemi sa më shumë, sepse ne edhe kemi mundësi më shumë.

Ju falemnderit gjithave e na priftë e mbara!

Kontribo