23 11 2022

Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr pjesë në Kongresin e Internacionales Socialiste të Grave, në të cilën organizata jonë është anëtare

Aktivistet e Lëvizjes, anëtaret e Kryesisë së Gruas për VETËVENDOSJE! Tinka Kurti dhe Nazlie Bala po marrin pjesë në këtë kongres që është i XXII dhe këtë herë po mbahet në Madrid të Spanjës. Një feminizëm i gjithmbarshëm dhe plane konkrete të veprimit drejt barazisë ishin ato që u kërkuan nga politikane e aktiviste socialdemokrate prej anë e mbarë botës.

Gjatë punimeve të këtij kongresi janë ndarë përvojat e ngjashme të grave pavarësisht kontinenteve të ndryshme. Aktivistet tona të Lëvizjes kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me pjesëmarrëset nga Ukraina. Është shumë e dhimbshme të shohim duke u përsëritur skenat e krimeve të cilat i kemi përjetuar vetë, si popull dhe si gra.

Në këtë Kongres janë miratuar edhe disa ndryshime në statut të cilat i kontribuojnë barazisë gjinore në këtë organizatë dhe angazhimit për të jashtë saj. Ndryshimet përfshijnë themelimin e Komitetit për Barazi Gjinore. Ky komitet do të përbëhet prej grave dhe po aq burrave. Kështu do të ndryshohet numri edhe në të gjitha strukturat për të garantuar barazinë gjinore përmes përfaqësimit të barabartë. Ky ishte një synim i vendosur prej kongreseve të kaluara ku Internacionalja Socialiste e kishte marrë vendimin historik për vendosjen e 50% të kuotës për strukturat e veta.

Në mes shumë diskutimesh dy rezoluta janë miratuar gjatë kongresit në Madrid. ‘Eliminimi i dhunës kundër grave – një strategji globale’ është rezoluta që vë theksin në shumë lloje të dhunës ndaj grave. Thirrja është që kjo të trajtohet si çështje politike në çdo parti, në çdo shtet dhe në tërë globin.

Rezoluta tjetër flet për gjendjen e grave dhe vajzave në Iran. Parulla ‘Gra, jetë, liri’ që po thirret në Iran është edhe titulli i rezolutës së miratuar nga gratë socialdemokrate por edhe theksi e synimi për angazhim.

Gjatë këtyre punimeve është zgjedhur gjithashtu kryetarja e re e Internacionales Socialiste të Grave, Janet Camilo nga Republika Domenikane. Znj. Kurti dhe znj. Bala kanë uruar kryetaren e re dhe nënkryetaret e sapo zgjedhura.

Barazia është qëllimi, feminizmi është rruga.

Kontribo