10 02 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti, mbajtur para pllakës përkujtimore të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në bulevardin “Nëna Terezë”

Të nderuar familjarë të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt,

të nderuar deputetë e ministra,

Kryeparlamentar Konjufca,

qytetarë të Republikës,

anëtarë të Lëvizjes,

15 vjet të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës mbushen sot 1 javë por 16 vjet të demonstratës së 10 shkurtit janë mbushur sot.

Ka qenë ditë e shtunë 10 shkurti i vitit 2007. U nisëm nga rruga “Perandori Justinian” në rrugën “Garibaldi” dhe mandej në këtë “Nëna Terezë” e para “Skënderbeut” na ndali kordoni i policisë.

8 ditë më herët me 2 shkurt u pat publikuar paketa e ndërmjetësit Ahtisaari për të cilën ne kishim shumë kritika e që i shpalosëm në tubime publike me qytetarë anë e kënd Kosovës. Ishim të pakënaqur sepse të bindur që Kosovës i takon shumë më tepër, që populli i Kosovës meriton më shumë dhe që padrejtësitë e reja nuk i durojmë.

Me të drejtë e kritikuam dhe e kundërshtuam Paketën e Ahtisaarit sepse aty kishte komuna të reja mbi baza etnike, zona të veçanta serbizuese rreth kishave e manastireve ortodokse, shuarje përfundimtare të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pjesëmarrje të Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë, e drejta e vetos për deputetët serb me ulëse të rezervuara e të garantuara në Kuvendin e Kosovës, dhe vazhdimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi neve e pa llogaridhënie ndaj neve.

Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve e në ballë të tyre ishte baca Adem Demaçi në moshën 71 vjeçare.

232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë s’shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni Doda e humbi syrin, Mustafë Nerjova e ka ende sot një pjesë plastike në kafkën e kokës kurse Zenel Zeneli e mbanë plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik. Doda i Prizrenit ka vdekur para tri vjetëve kurse Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjova janë këtu sot me neve.

Ish shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, i shtyllës së drejtësisë atëbotë, Robert Dean, pat bërë një hetim atë pranverë nga i cili doli konkluzioni që për menaxhimin e asaj demonstrate vrasjet e Monit dhe Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme edhe të evitueshme.

Policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet ministrisë sonë të drejtësisë.

Një javë para demonstratës sonë u pat publikuar Paketa e Ahtisaarit ndërkaq 6 javë pas asaj demonstrate Ahtisaari e shtoi rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur si faqe të parë të propozimit të tij.

Të dashur qytetarë, kurrë nuk ka qenë me e diskutueshme gjithandej, nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon asociacion të tyre. Si “Zajednicë” komunash pat nisur edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës por jam i bindur që mu këtë e do Serbia.

Kosova ka nevojë për më shumë demokraci e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik. Mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik. Duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetar komunash të së njëjtës parti që i dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme.

Të dashur aktivistë e anëtarë.

Vetëvendosja si ide te ne i ka tri burime.

Së pari, rilindjen tonë kombëtare aty sidomos Lidhjen e Prizrenit. Së dyti, programin 14 pikësh të ish presidentit amerikan Woodroë Wilson i cili jo më pak është i famshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për amendamentin 19 të Kushtetutës që u dha grave të drejtën e votës si dhe për ligjet që e kufizuan orarin e punës në 8 orë. Dhe së treti, burim për vetëvendosjen si ide janë lëvizjet e ndryshme antikolonialiste e çlirimtare anembanë globit e përgjatë historisë moderne të njerëzimit.

Kjo ide e vetëvendosjes e lansoi Lëvizjen tonë me 12 qershor 2005. Mirëpo, pikërisht me 10 shkurt 2007 gërshetohet kjo ide me ngjarjen e asaj demonstrate dhe prodhon organizatën tonë të përbashkët të Lëvizjes si dhe besnikërinë e anëtarit të veçantë të VETËVENDOSJE!-s.

Vetëvendosja edhe gjetiu, edhe te ne, paguhet edhe me jetë. Por edhe jeta që ja vlen është ajo me vetëvendosjen.

Rruga jonë është e vështirë sepse është rrugë përpjetë por edhe kjo rrugë e jona është e qartë sepse është rrugë e drejtë.:

Lavdi Monit dhe Arbenit. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.

Kontribo