25 02 2023

Fjala e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm

Fjalimi i Kryeministrit në mbledhjen e parë sivjet, të 50-tën me radhë, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, shoqe dhe shokë bashkëveprimtarë,

E nderuar Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar të ftuar e pjesëmarrës, gazetarë, miq të Lëvizjes,

Si kryetar i Lëvizjes, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në këtë mbledhje të pesëdhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Për 11 vite e gjysmë kemi mbajtur 50 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo gjë tregon rregullsinë me të cilën jemi mbledhur, ca më shpesh se sa katër herë në secilin vit andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë së brendshme. Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të lartë vendimmarrës. Jemi mbledhur në kohë të vështira, jemi mbledhur edhe në kohë të mira, dhe do të vazhdojmë të mblidhemi rregullisht, pavarësisht angazhimeve të tjera. Jo në mbledhje formale, por në mbledhje përmbajtësore, ku diskutojmë në frymë konstruktive e bashkëpunuese kur është nevoja edhe kritike për drejtimin që merr Lëvizja dhe për zbatimin e politikave të saj. Janë këto politika që po zbatohen në qeveri e në disa komuna ku drejton VETËVENDOSJE!, por edhe që po shtyhen përpara nga aktivitetet e strukturës sonë anembanë Kosovës.

Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla e Lëvizjes sonë, dhe për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ky vit, pra viti 2023, është vit jubilar për Kosovën. Bëhen 15 vite prej shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Bëhen 25 vite, çerek shekulli, nga Epopeja e Jasharëve në Prekaz. Janë ngjarje me rëndësi historike për popullin tonë, të cilat si qeveri kemi nisur t´i përkujtojmë me një kalendar që aktualisht është në realizim e sipër, e që ka filluar prej 17 shkurtit, ditës së pavarësisë, e deri në 7 mars kur Ademi e Hamza, dhe 57 të tjerë ranë dëshmorë dhe vulosën me gjakun e tyre pashmangshmërinë e çlirimit të Kosovës. Sot Kosova ndërton forcat e saj të armatosura, policinë e ushtrinë, me vajza e djem që ëndërr e kanë të jenë trima e të guximshëm, të patrembur e idealistë si Jasharët tanë të mëdhenj.

Dje, në datën 24 shkurt, u shënua gjithashtu një vit nga agresioni rus mbi Ukrainën. Një vit tragjedi, që ka çuar në jetën tjetër mijëra civilë e ushtarë, për shkak të mizorisë pushtuese të Putinit. Por njëkohësisht, një vit rezistencë. Pakkush mendonte se Ukraina e vogël do të rezistonte me kaq sukses ndaj një gangsteri gjigand. Por dëshira e Ukrainasve për demokraci e liri, atdhedashuria e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia. Dhe një nga shembujt është edhe ai i fitores së Kosovës përballë pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur, e që ëndërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurrizin e të tjerëve. Por siç ka thënë poeti i madh shqiptar, ish kryeministër i Shqipërisë, peshkopi ortodoks Fan Stilian Noli, «I vogli shtrin viganin dhe i shtypuri tiranin». Edhe në Ukrainë në fund do të fitojë i vogli, sepse është i drejtë, dhe e drejta trimëron më shumë se çdo armë. Kosova është krenare që qëndron pranë popullit Ukrainas, jo për ndonjë arsye interesi të drejtpërdrejtë, por për arsye të solidarizimit, kundër vendeve që në politikën ndërkombëtare veprojnë me gangsterizëm, kundër politikanëve shovinistë që nuk e durojnë pavarësinë e tjetrit dhe demokracinë. Urojmë të jetë ky vit, ashtu siç e shpalli dhe presidenti Zelenskyy, viti i çlirimit të Ukrainës.

Kosova ka hedhur hapa solidë përpara në forcimin e rolit tonë rajonal, si promovuese e paqes dhe të bashkëpunimit. Ne kemi kritikuar nismat si «Ballkani i Hapur», ku Kosova nuk pritej si e barabartë dhe ku tendenca për ta hapur ballkanin për autokratët e lindjes e verilindjes siç është hapur Serbia është e qartë. Por ne kemi qenë pro-aktivë për nismat si Procesi i Berlinit. Në Berlin, pas afër dy viteve negociata, në nëntor të vitit 2022 janë nënshkruar tri marrëveshje prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe para dy ditësh Kuvendi i Kosovës i ratifikoi ato marrëveshje me propozim të qeverisë, duke treguar kështu seriozitetin tonë në raport me integrimin rajonal e atë evropian. Kosova është një vend i hapur e demokratik, që do të tregojë gjithnjë konstruktivitet dhe energji, me kushtin e vetëm që të trajtohet me respekt dhe si e barabartë. Ky kusht plotësohet nga Procesi i Berlinit, dhe nuk mund të lë pa falënderuar Gjermaninë që po i prin këtij procesi. Me tri marrëveshjet e nënshkruara qytetarët e Kosovës fitojnë të drejtën për lëvizje të lirë e vetëm me letërnjoftime në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Bosnjën ku deri më tash ka pasur pengesa, e natyrisht edhe boshnjakët e fitojnë këtë të drejtë për udhëtim në Kosovë. Gjithashtu fitohet njohja e kualifikimeve dhe e arsimit të lartë në të gjitha këto vende, si dhe njohja e kualifikimeve profesionale të arkitektëve, mjekëve, dentistëve, sipas shembujve nga Bashkimi Evropian. Këta hapa janë shumë të rëndësishëm për konsolidimin e një tregu rajonal, që do të jetë me përfitim për ekonomitë e vendeve tona dhe për qytetarët tanë. Por do të jetë edhe në funksion të paqes, nëse do ta kuptojë secili shtet që Rusia nuk është opsion. Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa. Të mos harrojmë se edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez, e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë. Sa më shpejt që e kuptojnë, aq më mirë është edhe për ta.

Pas tri javësh bëhen dy vite ç´prej se kemi filluar të qeverisim, pra po arrijmë gjysmën e mandatit tonë, të dashur aktivistë. Janë dy vite plot me punë, pavarësisht vështirësive që po kalon gjithë bota, fillimisht si pasojë e pandemisë, pastaj si pasojë e krizave ekonomike, tregtare e energjetike që prodhoi pandemia por edhe lufta ruse në Ukrainë. Mund të thuhet se asnjë qeveri gjatë Kosovës së lirë nuk është përballur me vështirësi të tilla të natyrës globale. Natyrisht vështirësitë nuk e kanë zvogëluar përpjekjen dhe punën tonë, madje statistikisht mbledhjet e qeverisë e vendimet e marra janë 19% më shumë se sa ato të dy viteve të para të qeverisë paraprake.

Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korruptiv, dhe jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e Transparency International, për luftën kundër korrupsionit, si dhe 17 vende në lirinë e medieve sipas World Press Freedom Index. Për herë të dytë radhazi Kosova është renditur e para në rajon për sundimin e ligjit sipas World Justice Project. E për herë të parë kemi qenë të dytët në botë për përmirësim të sundimit të ligjit.

Kemi ngritur mekanizimin për fonde për Luginën, duke mbështetur në mënyrë të dinjitetshme dhe të pakrahasueshme me qeveritë e shkuara bashkatdhetarët tanë. Kemi dhënë 78 grante për ta, me vlerë totale mbi 1 milion €; kemi dhënë përkrahje për 107 studentë nga Lugina në shumë prej 1.000 € secilit me vlerë totale 107 mijë €; Dhe, për herë të parë kemi siguruar libra në gjuhën shqipe për Luginën në vlerë prej 255 mijë €. Kemi mbështetur aktivitetet e tyre diplomatike e lobuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nën shtetin e Serbisë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për neve por edhe obligim i yni institucional, shoqëror e kombëtar.

Kemi hedhur hapa të rëndësishëm sa i përket integrimit tonë evropian dhe euroatlantik. Themeluam Grupin Punues për anëtarësim në NATO, më 9 mars 2022. Aplikuam në Këshillin e Evropës, më 12 maj 2022. Aplikuam për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2022. Ratifikuam marrëveshjet e Procesit të Berlinit, më 23 shkurt 2023. Dhe, nga 1 janari 2024 presim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, siç na është premtuar publikisht në datën 20 dhjetor 2022.

Sa i përket diplomacisë, diçka e re ka qenë nisma jonë për programin e Diplomacisë Qytetare, ku kemi angazhuar 10 të rinj nga mërgata jonë e në të ardhmen do të angazhojmë edhe shumë të tjerë. Kemi filluar si qeveri “Dialogun me Mërgatën”, deri më tash në 16 lokacione të ndryshme. Kemi investuar në blerje të objekteve dinjitoze dhe funksionale për ambasadat e Kosovës në ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kemi vendosur për herë të parë Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor dhe Konsullore me Poloninë. Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedime ne Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, parimorë, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane, pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip.

Të dashur aktivistë, fusha ku ndërhyrjet tona janë ndier më së shumti, sidomos për shkak të krizave ekonomike globale, ka qenë mbështetja sociale e ekonomike, nxitja dhe forcimi i punësimit, dhe gjithëpërfshirja.

Theksoj këtu se gjatë qeverisjes sonë kemi filluar të shpërndajmë shtesat për lehonat, duke ndihmuar deri në fund të vitit 2022, 30 mijë nëna, e në të njëjtën kohë kemi shpërndarë shtesat për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, e që janë rreth 260 mijë përfitues. Kemi dyfishuar asistencën sociale për muajin prill dhe shtator duke ndihmuar rreth 26 mijë familje. Kemi shpallur vitin 2022 – “Vit për personat me aftësi të kufizuara” dhe kemi punësuar 239 persona nga kjo pjesë e shoqërisë – 119 burra e 120 gra. Kemi dhuruar në prillin e kaluar nga 100 euro për rreth: 300 mijë pensionmarrës; 240 mijë punëtorë të sektorit privat; 74 mijë punëtorë të sektorit publik; 50 mijë studentë, pra për gjithsej 664 mijë vetë. Kemi ndarë 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Nga pakot tona për mbështetje ekonomike në total kanë përfituar 800 mijë persona, që do të thotë se shumica e familjeve ka përfituar jo vetëm për një person por për disa prej anëtarëve. Përveç këtyre, kemi subvencionuar faturën e energjisë elektrike për ata që kursejnë, e edhe kjo politikë ka prodhuar mbi 200 mijë përfitues. Në shtatorin e kaluar sërish dhuruam nga 100 euro shtesë për rreth: 290 mijë pensionmarrës; 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike; 51 mijë studentë. Ndërsa për 76 mijë punëtorë të sektorit publik dhuruam nga 50 euro shtesë në periudhën shtator-dhjetor; si dhe subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj. Vetëm gjatë vitit 2022 janë punësuar afër 5000 gra e vajza, në përputhje me masën 1.3 të pakos sonë të mbështetjes. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse ndërmarrjet punësojnë gra. Përveç kësaj kemi aplikuar skemën e punësimit “Qeveria për Familjet” e cila ka ndihmuar punësimin e 770 personave nga familje që nuk e kishin asnjë të punësuar më parë. Për të rinjtë kemi nisur skemën e punësimit superpuna, e cila po pritet shumë mirë dhe po sjell rezultate të shpejta në rritjen e punësimit të personave në moshat 18-25 vjeç. Paga e rritur minimale si bonus page për secilin të ri që do punë. Superpuna – supersukses.

Por mbështetja sociale nuk mund të realizohet pa rritjen ekonomike dhe atë të ndërmarrësisë. E pra, viti i sivjetmë ka buxhetin më të lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova: mbi 3.2 miliardë €, që është 17% më i lartë se buxheti paraprak, dhe 11% më i lartë se sa ai i rishikuar në mesvitin e vitit që lamë pas. Nga këto: 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”, 296 milionë euro për shëndetësinë; 300 milionë euro për sigurinë e ushtrinë; 11 çerdhe të reja; 87 milionë euro për bujqësinë; 60 milionë euro për shtesat për fëmijë e lehona; 40 milionë euro për investime në ndërmarrje publike; 6 milionë euro për terminalet shtetërore; 5 milionë euro për rezervat shtetërore; 20 milionë euro për punësim; 240 inspektorë të rinj; 243 pozita të reja për staf për çerdhet; 300 pozita shtesë për policinë; 400 pozita për staf mjekësor.

Në vitin e kaluar kemi patur rritje të ndjeshme në disa tregues të rëndësishëm për ekonominë dhe shtetin tonë. Vlera e mallrave në eksportet është rritur për 23%, janë eksportuar mbi 801 milionë €; nga doganat kemi patur 1 miliard e 381 milionë € të hyra, në krahasim me vitin e kaluar me rritje për 11.4%, apo 141 milionë €; të hyrat tatimore nga ATK (673.6 milionë € gjithsej) janë rritur 121.1 milionë € apo 21.9% më shumë në krahasim me vitin paraprak. Është tejkaluar plani prej diku 2.6%.

Këto suksese të ekonomisë sonë, që kanë ardhur si pasojë e rritjes së punës dhe e zvogëlimit të korrupsionit, kanë prodhuar menjëherë benefite për qytetarët dhe ndërmarrësit tanë. Pra paratë që nuk po vidhen siç ndodhte dikur, sot ne ia shpërndajmë shoqërisë dhe ekonomisë sonë.

Kemi subvencionuar kredinë – bizneseve prodhuese: mbi 200 biznese ku vlera e kreditimit të mundësuar është 87 milionë €; kemi 21 marrëveshje financiare në ndihmë të bizneseve tona: afro 350 milionë € në total, ku afro 140 milionë € grante, me rreth 20 milionë € që janë bashkëfinancim; dhe funksionalizuam Gjykatën Komerciale duke e mbajtur fjalën që i kemi dhënë bizneseve e duke ua lehtësuar shumë punën.

Njëkohësisht, kemi rritur aktivitetin inspektues që të sigurojmë zbatimin e ligjeve sa i përket çmimeve, cilësisë së produkteve e respektimit të punëtorëve. Rritje për 67% të numrit të inspektimeve, gjatë mandatit të tanishëm qeverisës, në krahasim me periudhat paraprake, me gjithsej 5.432 inspektime tek operatorët ekonomik dhe 2.830 inspektime gjatë vitit 2022.

Kemi shtuar rezervat shtetërore të mallrave, si: gruri, vaji, sheqeri dhe nafta me 1.600% rritje prej viteve të kaluara. Kjo na bën më të sigurt përballë të papriturave.

Investimet e huaja gjatë periudhës janar-shtator 2022 kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë euro ose 43.6% rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ndërkaq gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2022, eksporti i mallrave ka arritur për herë të parë në 774.4 milionë euro apo 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nënshkruam marrëveshjen e bashkëfinancimit me Programin Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë rreth 237 mil. dollarë: për ndërtimin e kapaciteteve për rezerva prej 340 MWh; Inauguruam Parkun e Erës në Selac, investim 170 milionë euro me kapacitet prej 105 MW; Solar4Kosovo: financimi KfW dhe BERZh – 64 milion € total prej tyre grant 26 milionë € apo mbi 40%. Termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë, do të shtohen edhe 70 MW, për 60 mijë banorë; deri në fund të vitit 2022, kemi shpërndarë 95 milionë € për të ndihmuar qytetarët e bizneset në përballje me krizën energjetike; kemi subvencionuar mbi 8,000 familje për të blerë pajisje efiçente për ngrohje; Kemi trajnuar 1.500 të rinj në fushën e TIK; kemi arritur digjitalizimin e rreth 130 shërbimeve elektronike; siguruam qasje në internet pa pagesë për 105 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore.
Prioritetet tona në fushatë siç dihet kanë qenë puna dhe drejtësia. E sa i përket drejtësisë, funksionalizimit të institucioneve shtetërore dhe reformimit të administratës kemi patur disa arritje të rëndësishme.

Kemi miratuar Strategjinë e Sundimit të Ligjit; miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit për vitet 2022-2026; kemi futur në fuqi Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale; kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje; kemi miratuar Koncept dokumentin për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, bartës i të cilit tani është Kuvendi i Republikës; kemi miratuar ligjin për Byronë për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; është miratuar në Kuvend Projektligji për KPK dhe janë miratuar në lexim të parë Projektligjet për Prokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale;

Është miratuar në lexim të parë Themelimi i Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës; kemi miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 98-99 në Kosovë”.

Janë miratuar dy nga projektligjet më të rëndësishme të reformës së administratës: ai për Paga në Sektorin Publik dhe ai për Zyrtarët Publikë. Dallimin në mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë sa ka qenë, në vetëm 4.78 herë. Dallimi mes nivelit më të lartë, që është Presidentja dhe ushtari i FSK-së është 3.21 herë; e dallimi mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë. Dallimi mes të Ministrit dhe policit të lartë është 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit të lartë është 2.88 herë. Dallimi në mes të kreut të shtetit, pra Presidentes dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë. Mjeku specialist në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore, dhe të përafërt me Profesorin e rregullt. Kjo pra është politika jonë e luftimit të pabarazive dhe e vendosjes së meritokracisë.
Përveç këtyre, iu kemi shpallur luftë korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe kontrabandës. Janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri të vendit; kanë filluar patrullimet e rregullta ujore në Liqenin e Ujmanit; kemi zhvilluar 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; 3202 të arrestuar, prej tyre gati 10% apo saktësisht 301 kanë qenë zyrtarë publikë.
Kemi shkatërruar 69 grupe kriminale, e janë konfiskuar në total rreth 1.8 ton substancë narkotike në dy vitet e fundit; janë shkatërruar 8 laboratorë të drogës dhe 3 për prodhimin e kriptovalutave në veri; kemi ndërtuar po atje 4 objekte dhe stacione të reja policore; është bërë shtrirja e rrjetit kabllor në veri; zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë, që më përpara mbaheshin në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet e vendit tonë dhe praktikat ndërkombëtare, nga qeveria jonë nuk u lejuan të mbaheshin në Kosovë; mbi 14 milionë € i kemi ngrirë, dhe janë në hetim nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave; Është bërë mbyllja e selive të strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës.
Sa i përket politikave të mbrojtjes, kemi miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027 dhe kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë e Kosovës krahasuar me vitin 2021, ndërkaq, në vitin 2023 do të ketë rritje për 20%; Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë; në proces janë marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë.

Kemi rekrutuar 820 ushtarë të rinj dhe 31 oficerë dhe në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë të tjerë të rregullt dhe 388 rezervë; e kemi rritur kufirin e moshës së rekrutimit duke e ngritur nga 23 në 25 vjeç; kemi trajnuar jashtë vendit 2547 ushtarakë, 3 herë më shumë se në vitin 2020, 16 herë më shumë se në vitin 2019; lënda ‘’Edukim në Siguri’’ me qeverisjen tonë do të jetë pjesë e kurrikulës shkollore.

Nuk kanë munguar as investimet infrastrukturore, e vetmja gjë që ka munguar ka qenë vjedhja në projekte e punë publike.
Kanë filluar punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë; janë përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave; kemi përfunduar asfaltimin e rrugëve në veri të vendit, në Jasenovik, Syriganë, Cerajë, Koshtovë, Bistricë e Vllahisë, Dedi dhe Magjerë; kemi nënshkruar marrëveshje ndërqeveritare për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe atë Deçan-Plavë; kemi miratuar marrëveshjen për bashkëfinancim të hartimit të projektit për rrugën Prizren-Tetovë; kemi miratuam Planin Hapësinor të Kosovës, Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe atë për “Bjeshkët e Nemuna”.

Sa i përket Arsimit, si sektor publik i rëndësisë së veçantë, dua të vë në dukje se për dy vjet e kemi shtuar buxhetin për 26%, kemi angazhuar 100 asistentë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta (viti 2023 përmbyllet me 500 asistentë); kemi arritur një marrëveshje me Francën për bashkëfinancim të bursave për arsimin e lartë; Kosova u bë anëtare në programin Horizon Europe, 5 projekte të fituara në vlerë prej 600 mijë euro; dyfishuam bursat në STEM nga 1 milionë € për 1.000 bursa në 2 milionë për 2.000 bursa (krahasimi 2021 me 2022); kemi liruar nga pagesa afër 43 mijë studentë duke e bërë arsimin universitar falas siç ka qenë kërkesa e kamotshme e studentëve; janë ndarë mbi 1,968 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit; 106 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për profile deficitare; 300.000 € bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 300.000 € për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian; si dhe 350.000 € për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Botuam tekstin e gjuhës shqipe, niveli i parë për fëmijët në mërgatë; është bërë unifikimi i Abetares Kosovë – Shqipëri; nga shtatori ka filluar pilotimi i arsimit dual për 4 profile (kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere, floktar, murator) në 5 shkolla profesionale dhe 3 komuna; Rikthyem Agjencinë e Kosovës për Akreditim në ENQA si anëtare e asocuar.

Në fushën e kulturës, sportit e trashëgimisë, kanë përfunduar 8 ndërtesa të infrastrukturës sportive, kulturë dhe rini, dhe 17 tjera janë në proces ndërtimi; është dyfishuar mbështetja për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore; 65 monumente kanë shpëtuar falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve; viti 2022 ishte vit i Manifestës: 37% e artistëve ekspozues ishin vendas, me 800 mijë vizita në 25 lokacione për 100 ditë; është themeluar institucioni Opera e Kosovës; mbi 100 vepra të artit të blera nga MKRS nga artistët vendor; kemi filluar programin “Kosova Shtet i Xhudos”; në 2022 buxheti i QKK u ngrit në 1 milion e 540 mijë euro, ngritje prej 100%, me 15 filma të përfunduar në 2022, ku mbështetja e MKRS për këto projekte ishte mbi 900 mijë euro; jemi në fazën finale për shpalljen e konkursit për masterplanin Kompleksi Memorial ‘’Adem Jashari’’; mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare janë po ashtu rezultat i MKRS, kontributit dhe angazhimit të saj.

Në politikat tona bujqësore kemi ndarë mbi 70 milionë € për 28 mijë fermerë nga 27 sektorë të bujqësisë; për herë të parë kemi subvencionuar naftën për bujqit tanë, me vlerë 5 milionë €, si dhe kemi ndarë 8 milionë € subvencione për plehërimin pranveror për grurin, misrin, pataten e fasulen; rezultat direkt i politikave tona mbështetëse ka qenë rritja me 44% e eksportit të produkteve bujqësore e ushqimore; përmes investimeve kapitale kemi mundësuar rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemit të ujitjes për 7.750 hektarë tokë bujqësore, me vlerë prej 4.1 milionë €, si investim në 8 komuna; kemi pyllëzuar 111 hektarë të rinj dhe kemi mbjellë 1 milion fidanë.

Sa i përket shëndetësisë, kemi përmirësim të ndjeshëm në aspektin e furnizimit me barna. Përqindja e furnizimit nga barnat e Listës Esenciale tashmë është 70%, dhe por ritet, ajo me material shpenzues është 90%, ndërsa me insulina tashmë është 100%. Shumë shpejt do të arrijmë 100% për të gjithë listën; kemi funksionalizuar Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, si dhe Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor, dhe kemi hapur depon e re qendrore për vaksinat.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, nuk po zgjatem më shumë, pasi me siguri që të arriturat e qeverisë të drejtuar nga Lëvizja e nga programi ynë qeverisës do të kenë vendin e tyre dhe do të publikohen muajin e ardhshëm.

Por le t´i kthehemi rëndësisë së mbledhjes së sotme. Ju të gjithë e keni marrë Rendin e Ditës dhe e dini se sot do të diskutojmë e do të votojmë për propozimet që do të jepen për anëtarët e disa komisioneve shumë të rëndësishme për organizimin demokratik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Sot do të zgjidhen anëtarët e komisionit statutor, komisionit disiplinor, komisionit për shqyrtimin e ankesave si dhe komisionit të përgjithshëm zgjedhor. Ne tashmë i kemi kryesitë e reja të pikave e të qendrave, kemi delegatë të rinj në këshillet e qendrave e në këtë këshillin e sotëm, si dhe kemi një kryesi të re. Pasi në vjeshtën e vitit 2022 ne kaluam procesin e zgjedhjeve të brendshme demokratike për herë të katërt prej se jemi regjistruar si subjekt elektoral tash duhet të kompletohemi edhe me këto komisione të reja.

Zgjedhjet e brendshme do të konsiderohen të përmbyllura me sukses vetëm pasi t´i zgjedhim së bashku anëtarët e këtyre komisioneve, që mundësojnë dhe lehtësojnë punën tonë si subjekt politik me mbi 60 mijë anëtarë.

Po flas disa fjalë shkurt për këto komisione.
Komisioni statutor është trupi i cili na ndihmon për interpretimet e statutit, sa herë që mund të lindin diskutime. Jeta politike dhe aktivizmi brenda subjektit tonë është i rregulluar me ligj e me statutin e Lëvizjes. Po të mos respektohet ligji dhe statuti nuk kemi demokraci, por rrëmujë. Prandaj është hapi i parë i kulturës qytetare, politike e demokratike të kuptojmë e të respektojmë statutin tonë, gjë për të cilën Komisioni Statutor është trupi i domosdoshme.

Mandej është edhe Komisioni Disiplinor, i cili funksionon njësoj si në shumë subjekte demokratike të vendeve demokratike, një trupë ku secili anëtar mund të ngrejë çështje kundër secilit anëtar të Lëvizjes, nëse mendon që ai ose ajo ka shkelur etikën qytetare e organizative, apo ka abuzuar me pozitën hierarkike që mund të mbajë dikush brenda VETËVENDOSJE!-s. Nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit, sepse për shkelje të ligjit menjëherë duhen njoftuar organet e drejtësisë.

Duke qenë se vendimet e Komisionit Disiplinor mund t´i duken të padrejta dikujt, ne gjithmonë e kemi patur edhe Komisionin për Shqyrtim të Ankesave, që me objektivitet e duke pasur parasysh praktikat demokratike dhe statutin e Lëvizjes, merr vendimin përfundimtar kur çështjet janë të diskutueshme.

E Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen dhe organizimin e proceseve të shumta zgjedhore që ndodhin vazhdimisht brenda subjektit tonë demokratik, si në nivelin e pikave në lagje të qyteteve apo në fshatra të Komunave, ashtu edhe në qendrat tona në të gjitha qytetet e Kosovës, e deri edhe në zgjedhjet për pozita të caktuara brenda Grupit tonë Parlamentar, apo Kryesisë, e trupave të tjera të përhershme a të përkohshme që zgjidhen.

Demokracia, të dashur aktivistë nuk është vetëm parim, nuk është vetëm fjalë, por është përpjekje dhe betejë e përditshme. Angazhohemi kur nuk e kemi, e mbrojmë kur e kemi. Puna organizative, strukturimi, statuti, komisionet, jeta politike e qytetare, këto që të gjitha bashkë janë demokracia. E ne si subjekt, si aktivistë, si anëtarë të organit më të lartë që është Këshilli i Përgjithshëm, e kemi vendosmërinë që të kontribuojmë e ta promovojmë demokracinë, brenda e jashtë subjektit tonë.

Të dashur delegatë, ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme në mbledhjen e pesëdhjetë të Këshillit dhe ju falënderoj për vëmendjen. Së bashku do të punojmë për sukseset e subjektit tonë e të Kosovës sonë, të shoqërisë e të kombit tonë.
Ju falemnderit.

Kontribo