Mbahet mbledhja L e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Sot u mbajt mbledhja L e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku ndër të tjera u votuan edhe anëtarët e komisioneve staturore të Lëvizjes, proces ky që shënon edhe përmbylljen e plotë dhe të sukseshme të zgjedhjeve të brendshme.
Në pjesën e parë delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm ju drejtua Kryetari njëherit edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili duke falendëruar anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm theksoi se për 11 vite e gjysmë kemi mbajtur 50 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm duke treguar kështu rregullsinë me të cilën jemi mbledhur, ca më shpesh se sa katër herë në secilin vit andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë së brendshme. Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të lartë vendimmarrës.
Mbledhja e Këshillit u mbajt një ditë para 26 shkurtit me ç’rast Kryetari Kurti përmendi edhe ditëlindjen e dy figurave tejet të rëndësishme për bindjet, frymëzimin dhe orientimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!:
‘’Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla e Lëvizjes sonë, dhe për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin’’.
Vetëm një ditë më parë u shënua njëvjetori i luftës në Ukrainë për çka foli edhe Kryeministri Kurti duke theksuar se pakkush mendonte se Ukraina e vogël do të rezistonte me kaq sukses ndaj një gangsteri gjigand. Por dëshira e Ukrainasve për demokraci e liri, atdhedashuria e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia. Dhe një nga shembujt është edhe ai i fitores së Kosovës përballë pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur, e që ëndërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurrizin e të tjerëve.
Tutje Kryeministri Kurti përmendi të arriturat e Qeverisë në secilën ministri tash kur edhe pak javë na ndajnë nga gjysma e mandatit të Qeverisë Kurti.
Pas diskutimit të situatës politike Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet me votimin e anëtarëve të organeve statutore të këtij organi më të lartë të LV-së duke zgjedhur kështu anëtarët e komisionit statutor, komisionit disiplinor, komisionit për shqyrtimin e ankesave si dhe komisionit të përgjithshëm zgjedhor.