15 12 2023

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen përgatitore të Partisë së Socialistëve Evropianë

Mbledhja përgatitore e Partisë së Socialistëve Evropianë tek e cila ishte i ftuar sot më 14 dhjetor Kryeministri i Kosovës, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ishte e një rëndësie të dyfishtë: së pari u përqendrua në përgatitjen e Këshillit Evropian me praninë e kryeministrave, kryetarëve të partive dhe të komisarëve evropianë, dhe së dyti ndodhi gjashtë muaj para zgjedhjeve evropiane që janë caktuar të mbahen me datë 9 qershor 2024.

Për hirë të këtyre dy ngjarjeve kyçe, për të ardhmen e Bashkimit Evropian, temat mes pjesëmarrësve prekën:

(i) gjendjen e rëndë të sigurisë në nivel global për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit të Rusisë atje, dhe për shkak të kthimit të luftës në Lindjen e Mesme me pasoja të tmerrshme njerëzore.

(ii) angazhimin pa dilemë për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor;

(iii) rreziqet që paraqesin aleancat e së djathtës dhe të djathtës ekstreme nëpër shtete anëtare siç tregon rasti në Itali;

(iv) pengesat që këto aleanca paraqesin në përparimin e çdo reforme siç është rasti i sulmeve kundër qasjes ekonomike dhe fiskale të Bashkimit Evropian;

(v) prirjen e këtyre rrymave të bashkuara konservatore dhe ekstremiste për t’iu kthyer politikave shtrënguese dhe të dëmshme në kohën kur nevojiten më shumë investime për rritje;

(vi) nevojën për të promovuar bashkërisht një narrativë pozitive rreth çështjes së rregullimit të migracionit në shkallën evropiane;

(vii) shpresat e reja për tranzicionin energjetik pas deklaratës finale nga Konferenca Klimatike COP28 edhe duke pasë parasysh se bota mbetet larg angazhimeve të domosdoshme për të kthyer prirjen e ngrohjes globale, ndërsa nevojitet ende një kombinim më i drejtë për amortizimin social të këtij tranzicioni.

Në margjina të kësaj mbledhje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati rastin të bisedojë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme, z. Josep Borrell, me Kryeministrin e Spanjës, z. Pedro Sánchez, me Kryetaren e Grupit të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Iratxe García Pérez, me Komisarin Evropian për Punësim dhe për të Drejtat Sociale, z. Nicolas Schmit, por sigurisht edhe me Kryetarin e PES-it, z. Stefan Löfven dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Giacomo Filibeck.

Në fjalimin e tij, Kryeministri, Albin Kurti, foli për arritjet e Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe për rritjen ekonomike në këto 32 muaj sa jemi në qeverisje. Janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte dhe vitin e ardhshëm Bruto Produkti ynë Vendor do të jetë më i lartë për 40% në krahasim me vitin para pandemisë 2019. Kemi rritur veçanërisht buxhetin për bujqësinë, arsimin shëndetësinë dhe mbrojtjen, dhe jemi përqendruar në programe të gjera sociale në vend të projekteve të mëdhaja publike që në kujtesën e gjithsecilit e kanë lidhur korrupsionin me qeverinë.

Tutje, Kryeministri Kurti rikujtoi masat e padrejta që i janë vënë Republikës së Kosovës dhe bëri thirrje për heqjen e këtyre gjersa theksoi se shteti autoritar fqinj është ai që bart fajin për eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Barrikadat e paramilitarëve u zëvendësuan me sulme paramilitare, sulme terroriste, lideri i të cilëve është i lirë në Serbi dhe merr pjesë në mitingjet e presidentit të Serbisë. Kryeministri Kurti ripohoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura sivjet por duke kërkuar nënshkrimin e dy palëve si një garanci ligjore për një zbatim pa shkelje. Ai ritheksoi synimin e vendit tonë për integrim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, duke kërkuar dërgimin e pyetësorit.

Në fund, Kryeministri Kurti, tregoi për mbështetjen e madhe që aktualisht gëzon qeveria e drejtuar nga ai me 56% sipas matjeve të fundit krahas 51% me të cilën kemi fituar në pranverën e 2021. Këtë mbështetje e kemi siguruar duke u mbështetur në tri kategori të mëdha sociale si gratë, të rinjtë dhe diaspora, tha ai. Kryeministri edhe si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! konfirmoi gatishmërinë e organizatës tonë që përmes mobilizimit të diasporës tonë shqiptare t’i mbështes partitë simotra në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor të 2024.

Kontribo