Manifesti i Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!
Preambulë
- Gjendja e grave në Kosovë rëndohet nga përjashtimi ekonomik, mentaliteti shoqëror dhe neglizhenca institucionale.
- Në ndërveprim me njëra tjetrën, këto tri struktura e ndërtojnë një hierarki pushteti ku grave i imponohet pozita e pabarazisë. Gratë dhe vajzat e vuajnë sot mungesën e parave, e punojnë gjithë ditën në punë e në shtëpi. Ato e pësojnë neglizhencën në vend të mbështetjes institucionale, paragjykimin në vend të solidaritetit shoqëror, përjashtimin në vend të përfshirjes. Në vend të pabarazisë dhe paanësisë në emër të barazisë, meritojmë punë dhe pagë, liri të lëvizjes, të fjalës e veprimit, dhe jetesë në shtet miqësor.
Praktikja
- Gratë nuk janë të papuna. Ato janë të papunësuara. Më keq, janë të papaguara. Të goditura nga keqpagesa, informaliteti i ekonomisë ose papunësia, ato po gjejnë vetë forma të punësimit. Ose të mbijetesës përmes angazhimit të tyre vetjak. Me gjithë punën e madhe që bëjnë në shtëpi, në tregun informal, ose në punë të nënpaguara, mungon qasja e tyre në financa. Ndërkaq, ato që posedojnë mjete e ndajnë luftën e gruas në shtresa ekonomike. Disa kanë dado, disa janë dado. Të gjitha mund ta njohin diskriminimin por të dytat shumë më mirë.
- Shumica e grave nuk mund të bëjnë baraspeshë të mirë mes jetës dhe punës. Ato janë të shantazhuara me njërën ose tjetrën, ani pse u takojnë të dyja. Kujdesi shtëpiak, e kujdesi ndaj anëtarëve të familjes nuk lidhet me gjininë. Pse duhet t’u mbetet vetëm grave?
- Ato vazhdojnë të thyejnë tabu megjithëse tabutë janë goditur kohë më parë. Ato vazhdojnë të flasin, shkruajnë, krijojnë, shprehen artistikisht, zbulojnë, fitojnë çmime e medalje, por objekftikohen pavarësisht këtyre arritjeve. Nuk mund të jesh e arritur pa e përmbushur edhe standardin estetik të çfarëdolloj që është në modë. Të qenit grua kushtëzohet nga performanca e feminitetit të fabrikuar social.
- Gratë mund t’i kryejnë dhjetëra shkolla profesionale, dhjetëra trajnime të mbrojtjes dhe të mos ndihen akoma të sigurta. Të rrethuara me dhunë verbale, ngacmime seksuale, përdhunime dhe femicidi.
- Të gjitha këto po i çojnë gratë në ngujim e kufizim. Ne jemi për çlirim. Këto janë kërkesa politike. Ndaj asnjërës nuk jemi indiferente.
Veprimtaria
- Ne jemi vetëvendosëse. Për këtë luftojmë dhe jetojmë. Për jetë me dinjitet. Për kënaqësi dhe barazi. Për vete dhe për njëra-tjetrën.
- Ne mund ta kemi të vështirë se struktura shtypëse është e vjetër mijëra vjet. Por, ne sot e kemi lehtë sepse na udhëheq ideali i grave pioniere që çanë rrugën para nesh që të veprojmë për ato që vijnë pas nesh.
- Sot e kemi vështirë se s’ka vende pune të mjaftueshme. Por, e kemi më lehtë se paraardhëset tona, sepse sot gratë janë edhe të diplomuara edhe të kualifikuara po aq e më shumë se burrat.
- Sot e kemi vështirë se duhet të kërkojmë shtretër në spitale. Mirësjellje e higjiene, trajtim të dinjitetshëm edhe në proceset obstetrike. Por, ne sot synojmë e luftojmë që ta kemi më të lehtë dhe për këtë jemi të pa kompromise për të drejtat tona riprodhuese.
- E kemi të vështirë se ende nuk pranohet tërësisht të vendosim për trupat tanë. Por ne e kemi të lehtë se insistojmë në zgjedhjet dhe vendimet tona.
- Ne e kemi të vështirë se ndërveprojmë me dhunues. Por, e kemi të lehtë se të gjitha jemi bashkë.
Deklaratat
- Koha e dhunës, e përjashtimit, e diskriminimit ka mbaruar. Kush beson në to e pret pluhuri.
- Ne ende duhet të numërojmë gratë në politikë derisa numërojmë varret e grave të vrara. Andaj, nuk ka vend për vetëkënaqësi, por vetëm për revoltë. Ne jemi në politikë, aktiviste politike. Kundërshtojmë aktivisht çdo akt të kryer padrejtësisht.
- Skeptikët na thonë pse nuk po merreni me këtë lloj padrejtësie. Janë burra kryesisht. Të gjitha idetë që na i japin janë të shkaktuara nga bashkëgjinorët e tyre.
- Nuk duhet të dridhet zëri i grave teksa denoncojnë. Duhet të dridhen kriminelët që mendojnë të dhunojnë.
- Sot gratë në Kosovë dhe kudo në botë duhet ta zhdukin një problem që ato nuk e kanë shkaktuar. E kanë pësuar historikisht megjithatë. Derisa burrat janë duke vazhduar jetën dhe përparimet e tyre, ne duhet të ndreqim gabimet e tyre. Pabarazia është problem i burrave. Ata janë krijues të kësaj vepre përbindëshi. që burrat kanë bërë e bëjnë përditë.
- Ata nuk na akuzojnë dot. Rezistencën e bëjmë. Punët i kryejmë. Dijen e kemi. Guximin e treguam. Në luftë nuk dorëzohemi. Ne do të fitojmë.
- Burrat nuk i kanë siguruar botës një jetë me dinjitet e barazi. Për këtë ne do të luftojmë. Prandaj ne do të fitojmë.
Teorikja
- Socialdemokracia dhe çlirimi i grave janë koncepte që ne jemi të bindura që kanë një lidhje të fortë me njëra–tjetrën. Socialdemokracia nuk mund ta injorojë çështjen gjinore dhe feminizmi nuk mëton se arrihen idealet feministe pa socialdemokraci. Angazhimi ndaras për to është i mangët. Ne i duam të dyja së bashku. Angazhimi që në qendër ka parimet e socialdemokracisë dhe feminizmit, garanton përparim edhe gjinor edhe shoqëror. Ne, si GVV angazhohemi për të dyja në mënyrë rigoroze. Feminizmin socialdemokrat e shohim si mundësi për arritjen e çlirimit tonë si gra.
- Idetë që ne si Gra për VETËVENDOSJE! shtyjmë përpara janë kundër diskriminimit dhe për barazi e drejtësi. Angazhimi ynë është për vetëvendosjen si koncept për realizim/plotësim të secilës grua si qytetare me të gjitha mundësitë. Feminizmi i ndërthurur/ndërsektorialiteti është qasja jonë. Sepse synimet tona janë për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Jemi vigjilente ndaj secilës pabarazi pavarësisht bazës që ka; Kundër pabarazisë klasore, kombëtare, racore, orientimit seksual apo identitetit gjinor. Nuk mëtojmë emancipimin shoqëror e gjinor vetëm në një sferë të jetës shoqërore qoftë ajo gjinore, kulturore apo edhe ekonomike. Që emancipimi të jetë i plotë duhet eliminuar secila pabarazi, çfarëdo qoftë ajo. Jemi të vetëdijshme që parakusht që të plotësohen nevojat kolektive të grave është ndryshimi i strukturës shoqërore.
- Vizioni ynë është këmbëngulja tek vlerat universale si barazia, lira e drejtësia. Angazhimi ynë është për zgjidhjen e problematikeve të spektrit lokal. Ne angazhohemi se pari për veten tonë dhe vendin tonë. Gratë shqiptare kanë bërë vazhdimisht përpjekje të dyfishtë për dekolonizim për kombin e për veten si gra. E njohim secilën betejë që veçmas gratë shqiptare kanë fituar përgjatë historisë. Synojmë t’i ruajmë arritjet e fituara e angazhohemi për të fituar beteja të reja.
- Ne kërkojmë VETËVENDOSJE! veçanërisht për gratë. Feminizmi që e përqafon GVV shkon përtej të drejtave ligjore, kushtetuese. Duam përfaqësim në vendimmarrje, por nuk mjaftohemi me të. Edhe demokraci përfaqësuese edhe demokraci të drejtpërdrejtë. Duam paga të barabartë me burrat për punë të njëjtë. Por, jemi të pakënaqura me aq. Duam punë dhe mirëqenie. Luftojmë për të kontrolluar trupin dhe seksualitetin tonë. Kështu i kemi në duart tona, jetët tona. Feminizmi ynë nuk është një pikë që arrihet por është vijë lineare. Ne vijojmë drejt dhe përpara.
- Solidaritetit ka potencial të madh për të na bashkuar si gra. Solidariteti është mjeti kryesor që mund të na bëjë bashkë si gra. Me qëllim të përbashkët që të dekonstruktojmë rolet gjinore që shërbejnë si burim i shtypjes dhe shfrytëzimit. Solidaritetin do ta përdorim si fuqinë tonë për t’i riorganizuar jetët tona e bashkë me to edhe rendin shoqëror.