Homazhe në Çerekshekullin e Masakrës së Reçakut!
25 vjet më parë, me 15 janar 1999, në fshatin Reçak u krye një prej masakrave më të rënda nga lufta e fundit në Kosovë ku 45 shqiptarë civil të paarmatosur u masakruan nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Një ditë pas masakrës, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, z. William Walker, e vizitoi vendin ku u krye masakra dhe prej aty krimet serbe u bënë botërisht të njohura duke hapur edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s. Serbia edhe sot refuzon ta njoh Masakrën e Reçakut dhe e mohon atë. Drejtësia e munguar peshon mbi familjarët e martirëve dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Sot, siç është zakon, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti, dhe Kryekuvendari Glauk Konjufca, bashkë me ministra të kabinetit qeverisës, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë të martirëve, veprimtarë, aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë homazhe te Kompleksi Memorial i Masakrës së Reçakut duke kujtuar dhe nderuar martirët dhe dëshmorët e Kosovës.
Presidentja tha se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Millosheviqit dhe kujtoi e falënderoi ish-ambasadorin William Walker që u bë zë i gjithë shqiptarëve në atë kohë ku siç u shpreh ajo kishim nevojë për mbrojtje ndërkombëtare e nuk kishim zë për ta kërkuar.
Kryeministri Albin Kurti tha se Masakra e Reçakut e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ai kujtoi se William Walker vazhdon të jetë i sulmuar dhe i urryer në Serbi ku ende vazhdon një regjim autoritar me president ish-ministrin e informatave të asaj kohe. Kryeministri Kurti kujtoi edhe 11 ushtarët e UÇK-së që kanë rënë në mbrojtje të trupave të masakruar.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”.
“Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, tha Kryeministri Kurti.
Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se Masakra e Reçakut i tregoi botës demokratike që të vetëm gjuhë që e njeh Serbia është gjuha e forcës sepse vetëm ajo e ndali atë dhe luftën. Ai theksoi që gjithmonë do të mblidhemi në Reçak për të kujtuar martirët dhe dëshmorët që ranë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut.