17 01 2024

17 janari është plagë e rëndë e shqiptarëve!

42 vjet nga rënia e tre dëshmorëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Një delegacion i prirë nga Presidentja Vjosa Osmani, Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, Kryekuvendari Glauk Konjufca, bashkë me kryetarë të komunave nga radhët tona, ministra të kabinetit qeverisës, deputetë, veprimtarë, aktivistë e anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë homazhe në vendlindjen e vëllezërve Gërvalla në Dubovik te memoriali dhe vizituan shtëpinë muze.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka si veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare u vranë nga shërbimi sekret jugosllav 42 vite më parë në Shtutgart të Gjermanisë. Vrasja e tyre, për të cilën ende nuk është hetuar apo dënuar dikush, kishte për qëllim goditjen e përpjekjes së popullit shqiptar për t’u organizuar e dalë nga robëria. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu asokohe po bashkonin shqiptarët, organizatat e tyre, dhe po frymëzonin jetën politike e kulturore duke ndërtuar një bazë të shëndoshë për një vetëdije më të lartë shoqërore e politike të shqiptarëve, andaj edhe u vranë nga regjimi jugosllav i dominuar nga Serbia në atë kohë.

Presidentja Osmani tha se vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës rizgjoi ndjenjën e atdhetarizmit ndër shqiptar.

“17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar e për Kosovën në veçanti. Në këtë datë, 42 vite më parë, u vranë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe sakrificës së popullit tonë për liri por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe sakrificës së miliona shqiptarëve gjithandej, të cilët me vite më radhë kontribuuan për lirinë e Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kishin synim lirinë e Kosovës, teksa ata i quajti pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ata kishin dy qëllime madhore të cilat duhet t’i kujtojmë e të cilat kanë peshë dhe rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës. E para, ata u përpoqën që t’i bashkonin të gjithë, që t’i bashkonin të gjitha organizatat ilegale të cilat synim e kishin lirinë e popullit shqiptar dhe t’i sillnin në një kornizë të vetme, në një organizatë të vetme. Dhe e dyta që kjo liri të vinte përmes çlirimit, përmes përpjekjes së organizuar dhe të armatosur të popullit të Kosovës. Këto qëllime kanë vazhduar përgjatë gjithë kohës dhe pikërisht për këtë arsye unë do t’i quaja Jusuf Gërvallen e Bardhoshin, e po ashtu edhe Kadri Zekën si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kuptim ata kanë një peshë të jashtëzakonshme për historinë e Kosovës dhe do të kujtohen e nderohen gjithmonë, u shpreh Konjufca.

Jusufi, Bardhoshi e Kadriu ende vazhdojnë të na frymëzojnë mendjen e të na ngrohin zemrën me krijimtarinë që na e lanë. I përjetshëm do të jetë kujtimi për ta.

Kontribo