31 01 2024

Homazhe në nderim të treshes heroike Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha

Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kryen aksione kundër okupatorit serb para se të fillonte lufta duke na dhënë si frymën për çlirim ashtu edhe rrugën drejt lirisë. Në vitin 1997 grupi i tyre u zbulua nga sigurimi serb dhe gjersa të tre ishin duke udhëtuar nga Prishtina për në Vushtrri, forcat serbe kishin zënë pritë për ta në fshatin Pestovë, ku të tre ranë heroikisht duke luftuar.

Në 27 vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetë, anëtarë të kryesisë së Lëvizjes dhe aktivistë nga qendrat tona, fillimisht bënë homazhe te Kompleksi Memorial në Orllan, për të vazhduar më pas te Shtatorja e Heronjve në Sheshin e Qytetit në Podujevë.

Kryeministri Albin Kurti tha se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës.

“Ata ishin lufta para luftës, ata ishin aksionet para betejave, ata ishin kushtrimi për liri të popullit dhe çlirim të vendit, andaj edhe ne sot me shume mall e krenari i kujtojmë për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën, për mbarë kombin shqiptar. Ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës meqenëse në njërën anë ata e shtuan vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në anën tjetër e shtuan edhe besimin e popullit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se ata të tre, përmes aksioneve të tyre të suksesshme guerile bënë që çdo polic dhe çdo ushtar i Serbisë okupatore në Kosovë të mos ndihej i sigurt. Ai theksoi që Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e lavdishme e të cilës çoi në çlirimin e Kosovës dhe në shporrjen e Serbisë okupatore nga trojet tona.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për këtë treshe që as vdekja s’mund ta ndajë. Lavdi jetës dhe veprës së heronjve tanë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Kontribo