10 02 2024

Homazhe në nderim të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit

Në 17 vjetorin e vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, familjarë e miq të Monit dhe Arbenit, ministra të kabinetit, deputetë, anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë sot homazhe te Pllaka Përkujtimore e dëshmorëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj, në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë.

Kryeministri, Albin Kurti, në prononcimin e tij për media kujtoi ngjarjen e 10 shkurtit, padrejtësitë që solli Pakoja e Ahtisarit, mobilizimin që u bë për ta kundërshtuar atë, dhe faktin e rëndësishëm që togfjalëshi pavarësi e mbikëqyrur për herë të parë përmendet pas 10 shkurtit.

“Sot, me 10 shkurt, ne i përkujtojmë me mall e dhimbje, por edhe me krenari Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, dy aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët u vranë para 17 vjetëve nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut. 232 plumba gome me afat të skaduar dhe të keqpërdorura jashtë protokolleve të Kombeve të Bashkuara u hodhën mbi gjokset dhe kokat e protestuesve paqësor atë ditë të 10 shkurtit 2007”, tha Kryeministri Kurti.

“Me 2 shkurt të vitit 2007, në Kosovë pat zbritur pakoja e Ahtisaarit e cila u kundërshtua dhe u kritikua nga Lëvizja jonë VETËVENDOSJE! meqenëse parashihte shumë koncesione monoetnike në vendin tonë. Ne atë botë kundërshtuam ulëset e garantuara e të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe. Kundërshtuam eksterritorialitetin mbi baza fetare, decentralizimin mbi baza etnike. Kundërshtuam pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë. Kundërshtuam shuarjen e trupave mbrojtëse të Kosovës, dhe kundërshtuam gjithashtu vazhdimin e sundimit ndërkombëtar me fuqi ekzekutive mbi neve, e pa llogaridhënie ndaj neve.”

“Ajo ishte një protestë paqësore, u patëm grumbulluar te rruga “Perandori Justinian” në qytezën Pejton, nëpër sheshin “Nëna Terezë” për të shkuar tek përmendorja e Skënderbeut, mirëpo këtu marshimi ynë paqësor u ndal përgjysmë prej forcave të shumta policore të cilat ajrin e sheshit e mbushën me gaz lotsjellës, ndërkaq rrugën kryesore të kryeqytetit e përgjakën me gjakun e Mon Balajt, Arben Xheladinit por edhe 80 protestuesve të tjerë të cilët u plagosën e u lënduan rëndë apo lehtë.”

“Pra 8 ditë para asaj proteste pat zbritur pakoja e Ahtisaarit me koncesionet e saj, ndërkaq rreth dy javë pas asaj proteste, ish presidenti finlandez dhe emisari i posaqëm atë botë, Marti Ahtisaari, raportet e tij për Kosovën, dokumentet e tij që ia dërgon sekretarit të përgjithshëm aso kohe Kofi Annan të Kombeve të Bashkuara, ia bashkëngjet edhe një letër shtesë qysh në fillim, në të cilën thuhet; pavarësi e mbikëqyrur për Kosovën. Për herë të parë togfjalëshi pavarësi e mbikëqyrur përdoret aty rreth dy javë pas protestës së 10 shkurtit 2007.”

“Ato forca policore e ushtarake ndërkombëtare, e keqpërdorën imunitetin diplomatik, mirëpo për krimet që kanë bërë, as sot as nesër, askush askund, nuk duhet të ketë imunitet nga drejtësia”, tha Kurti.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Arben Xheladini dhe Mon Balaj e më pas Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku janë dëshmorë të përpjekjes tonë për ta kompletuar pavarësinë, shtetin tonë, deri sa të jemi në mesin e shteteve të barabartë të gjithë botës.

“Pas vitit 1999 kemi pas dëshmor siç janë Arbër Xheladini dhe Mon Balaj, këta janë dëshmorë të përpjekjes së vazhdueshme të popullit të Kosovës që shteti me qenë i barabarte dhe ne me qenë qytetarë të një shteti të dinjitetshëm. Kjo është arsyeja pse ranë Moni dhe Arbeni por pastaj me rënien e Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut tash së fundi po tregohet se përpjekja po vazhdon edhe pas pavarësisë për popullin tonë edhe pas vitit 2008 sepse është një përpjekje për shtetin tonë për të qenë i kompletuar me qenë në mesin e shteteve të barabarta të gjithë botës”.

“Prandaj 10 shkurti e ka rëndësinë e vetë kjo është arsyeja pse kemi dalë edhe me familjarë të Arbenit dhe të Monit edhe me aktivistët që ishin me mijëra atë ditë të 10 shkurtit 2007 në këtë shtet për me e shpreh vullnetin tonë që Kosovës i duhet Vetëvendosja si zgjidhje për statusin e vetë e jo kompromiset me Serbinë. Kjo ka qenë qasje dhe mendoj se kjo e ka vlerën e vet edhe sot e kësaj dite. Lavdi Arbenit, Lavdi Monit dhe lavdi të gjithë te rënëve për sovranitetin e Kosovës”, tha Konjufca.

Kontribo