Homazhe te varri i Arben Xheladinit dhe te ai i Mon Balajt
Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, familjarë e miq të Monit dhe Arbenit, ministra, deputetë, anëtarë kryesie dhe aktivistë të Lëvizjes, pas pllakës përkujtimore në sheshin Nënë Tereza vazhduan me homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë dhe te ai i Mon Balajt në Podujevë.
Me 10 shkurt 2007, Arben Xheladini dhe Mon Balaj përkrah mijëra demonstruesve të tjerë që po kundërshtonin në formë të marshimit paqësor padrejtësitë e Pakos së Ahtisaarit, u qëlluan nga policia rumune e UNMIK-ut. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. I ndjeri Hysni Hyseni Doda pat humbur syrin, Mustafë Nerjova e ka ende sot një pjesë plastike në kafkën e kokës kurse Zenel Zeneli e mbanë plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik.
10 shkurti ishte ngjarja e Republikës. Në histori, kjo datë, veprimet e Mon Balajt e Arben Xheladinit, si dhe të gjithë atyre që ndoqën rrugën e tyre të guximshme do të mbeten si dëshmi e vullnetit të pandërprerë e të pandalshëm të popullit tonë për liri dhe drejtësi.
Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Monin dhe Arbenin. Drejtësia për ta dhe liria e vetëvendosja e popullit të Kosovës janë të lidhura bashkë në këtë shekull.
Kujtimi ynë për Arbenin dhe Monin është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme.
Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.