06 03 2024

Krerët e shtetit bëjnë homazhe në Prekaz te Familja Jashari

“Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë”, – Kryeministri, Albin Kurti,

Presidentja, Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti, Kryekuvendari, Glauk Konjufca, ministrat dhe zëvendës ministrat, dhe një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Kryetarë të komunave ku qeverisim, deputetë, aktivistë tanë, bënë sot homazhe në Prekaz te varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, për liri të Kosovës.

Presidentja Osmani tha se familja Jashari do të jetë përherë si udhërrëfyese ashtu edhe frymëzuese për popullin tonë.

“Familja Jashari do të mbetet përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Siç e shihni jo vetëm përgjatë epopesë, por edhe periudha të ndryshme të vitit, kemi fëmijë nga shkolla anembanë Kosovës që vinë këtu për të mësuar për historinë e Kosovës, por mbi të gjitha për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë e guximin e tyre. Lavdi përjetë komandantit Adem Jashari e gjithë anëtarëve të familjes Jashari, e gjithë të rënëve e dëshmorëve të tjerë të UÇK-së.”

Kryekuvendari Konjufca kujtoi se sakrifica e Jasharajve dhe lufta e UÇK-së janë prej ngjarjeve më të rëndësishme në vetëdijen tonë kombëtare.

“Padyshim që në gjithë historinë tonë, së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut edhe Lidhjen e Prizrenit, sakrifica e Jasharajve dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare. Për sa kohë të ketë popull shqiptar, kombi ynë për sa të ekzistojë, gjithmonë do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi por edhe vazhdimisht gjejmë frymëzim dhe patriotizëm se si të mbrohet vendi e se si të ushqehet liria.“

Kryeministri, Albin Kurti, tha se vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë. Ajo paraqet si dhembje e krenari ashtu edhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

“Në Prekazin heroik e historik, kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë. Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë, që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes. Vetëflijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharajve është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, që paraqet edhe dhembje e krenari por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë. Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharajve. Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit.”

Kontribo