Homazhe te Memoriali “Heroinat”
Sot, në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani, me Kryetaren e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statutit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovë, znj. Leonora Selmani, zv. Kryeministrin Bislimi dhe zv. Kryeministren Donika Gërvalla, ministra e zëvendësministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri nderime te memoriali “Heroinat”, në Prishtinë.
Kryeministri Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.
Teksa shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori, njëkohësisht bëri thirrje edhe tek qytetarët për mbështetjen e tyre, pasi që 25 vite stigmatizimi ndaj tyre nuk ka munguar.
Së bashku me znj.Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj.Shyrete Tahiri Sulimani, Kryeministri bëri thirrje për më shumë mbështetje shoqërore e angazhim për drejtësi.
“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës’’, u shpreh ai.
‘’Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia’’ u shpreh ai, teksa shprehu përulje e mirënjohje për qendresën, ndaj Marte Tunaj dhe të gjitha viktimave të dhunës seksuale që nuk rrojnë më.