Mbledhja LIV e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Sot në mbledhjen LIV të organit tonë më të rëndësishëm, Këshillit të Përgjithshëm, që njëherit shënon mbledhjen e parë për vitin 2024, u prezantuan arritjet e qeverisjes tonë përgjatë tre viteve të fundit dhe u fol për sfidat që i kemi përpara në muajt në vazhdim që janë edhe muaj para zgjedhjeve që do të mbahen në Republikën tonë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raportuan për punën e tri dikastereve që drejtojnë. Organizatat GVV, RVV, Sekretariati i Përgjithshëm dhe Sekretariati për Marrëdhënie Ndërkombëtare prezantuan raportet vjetore, si dhe u bë ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit në Nivelin Politiko-Organizativ të Shkollës Politike.
Mbledhja e Këshillit u hap me një fjalë hyrëse të Kryetarit, njëherazi Kryeministrit, Albin Kurti, i cili foli për të arriturat dhe sukseset të qeverisë që ai drejton, për progresin e gjithmbarshëm ekonomik dhe demokratik të Republikës tonë, dhe për sfidat që na presin në vitin e fundit të këtij mandati qeverisës.
Demokracia dhe transparenca e subjektit tonë politik është e lidhur ngushtë me demokracinë dhe transparencën në qeveri dhe kjo tashmë është dëshmuar në këto tri vite qeverisje, tha Kurti në fillim të fjalës së tij.
“Në tri vite qeverisje jemi ngritur për 22 vende në lirinë e medias, 21 vende në luftën kundër korrupsionit, 16 vende në demokracinë liberale dhe 13 vende në demokracinë elektorale. Në liritë globale, të drejtat politike dhe liritë civile jemi ngritur për 6 vende dhe për dy vite (2021-2022) renditemi të parët në rajon në indeksin e sundimit të ligjit. Pra ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes demokracisë së brendshme, qeverisjes demokratike, dhe avancimit të demokracisë në shtet e shoqëri. Prandaj këto arritje janë meritë e përbashkët. Dhe këtë duhet ta theksojmë vazhdimisht sepse kjo e bën dallimin”, tha ai.
Në rajon ka rënie të demokracisë kurse në Kosovë rritje dhe avancim të saj, por kjo nuk duhet marrë si e garantuar, nëse duam që ajo të vazhdojë duhet të luftojmë për të. Demokracia, liritë dhe të drejtat siç është dëshmuar sjellin rritje ekonomike, sociale dhe kulturore.
“Ukrainasit po japin jetë për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtën për të jetuar të lirë. Kudo në rajon demokracia është në rënie kurse në Kosovë ajo po rritet dhe avancohet…Demokracia, rritja e lirive dhe të drejtave sjellin mundësi për rritje ekonomike, sociale dhe kulturore dhe çojnë në zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë. Pikërisht kjo është dëshmuar në këto tri vite qeverisje ku: Rritja ekonomike qëndron mesatarisht në 6.2% me 4% rritje vitin e kaluar; Janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte dhe raporti mes eksportit dhe importit ka rënë nga 1:9 në 1:6; Të hyrat tatimore janë rritur për 60% dhe kemi 420 mijë vende aktive të punës që është përmirësim për 20% krahasuar me vitin 2021; Vitin e kaluar u ekzekutuan 555 milionë euro në investime kapitale, që përbënë shifrën më të lartë ndonjëherë, ndërkaq që kemi borxhin publik më të ulët në Evropë”, tha Kurti, duke theksuar se këtë zhvillim e kemi shpërndarë në biznese dhe mundësi për qytetarë.”
Kemi hyrë në javën e 30-të, prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e varu rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku.
“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge atje, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro. Për të rritur sigurinë janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e varu rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të”, tha Kurti, duke potencuar që pas 24 vjetëve komunat në veri të vendit i janë kthyer normalitetit dhe janë vu në shërbim të qytetarëve.
“Progresit i nevojitet drejtësia. Drejtësisë i nevojitet progresi. Qeveria progresin, gjyqësori drejtësinë”, Kryeministri, Albin Kurti.
Në pranverën e 25-të të pasluftës po shënojmë përvjetorë të masakrave, kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, më herët (2019) kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet tjera të nevojshme që kriminelët serbë të përballen me drejtësi. Është koha që sistemi ynë i drejtësisë me urgjencë t’i adresojë këto raste, tha ai.
Avancimi dhe progresi brenda vendit është përcjellë me përmirësimin e imazhit dhe forcimin e sovranitetit jashtë.
“Koha kur qytetarët e Kosovës ishin më të izoluarit në Evropë mori fund në janar të këtij viti me liberalizimin e vizave që solli lirinë e lëvizjes dhe forcimin e pasaportës. Nga 1 janari pasaportën e Republikës së Kosovës e njeh edhe Spanja. E liria e lëvizjes vetëm sa shtoi dashurinë për vendlindjen pasi tani kemi më shumë qytetarë që kthehen sesa që shkojnë. Mbase, në fund të vizitave, qytetarët po kthehen me bashkë-familjarët tanë nga mërgata dhe po sjellin edhe vizitorë të huaj për të shijuar bukuritë e Kosovës. Në maj të vitit 2022 i dhamë fund edhe një periudhë tjetër të izolimit duke aplikuar në Këshill të Evropës, ku pasi kemi kaluar shumë pengesa kemi ardhë në fund të rrugëtimit për anëtarësim të plotë.”
Betejën e radhës e të fundit për këtë proces do ta kemi deri në mesin e muajit maj, kur mbahet ministeriali i Këshillit të Evropës i cili duhet ta ftoj Kosovën që të bëhet anëtarja e 47 e organizatës më të madhe dhe më të vjetër evropiane, tha Kryeministri Kurti duke përmendur një sërë anëtarësimesh në organizata ndërkombëtare si avancimin e statusit të Kosovës në NATO, anëtarësimin në 7 organizata si Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYC) e Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Administrative (IIAS).
Kryeministri, Albin Kurti, i bëri thirrje mërgatës të marr pjesë në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit duke përkrahur qendrën e majtë, socialdemokratët, sepse vetëm ata janë të besueshëm karshi ekstremizmave dhe fashizmave në rritje. Ai po ashtu theksoi rëndësinë për regjistrim online të diasporës brenda procesit të regjistrimit të përgjithshëm që ka filluar në Kosovë.
“Regjistrimi i popullsisë është një instrument kyç që shërben për të kuptuar nevojat dhe gjendjen edhe të pjesëtarëve të diasporës sonë. Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës, në vetëm dy ditë sa është hapur platforma janë regjistruar afër 17 mijë qytetarë. Është koha që të gjithë ne të mobilizohemi për të informuar mërgatën për këtë proces jetik.
Përmes të dhënave statistikore, do të mund të planifikojmë politika dhe shërbime më efikase për të gjithë bashkatdhetarët tanë. Andaj, kërkoj nga secili prej jush që së bashku të angazhohemi për të ndarë këtë informacion të rëndësishëm për regjistrimin online përmes platformës ediaspora.rks-gov.net. Regjistrohuni ju dhe familjet tuaja nga çdo cep i botës.”
Për fund, Kryeministri Kurti, foli për zgjedhjet që po afrojnë. Ai tha se këto tri vite në qeverisje na kanë shtuar vullnetin për të arritur edhe më shumë.
“Sfidat që kemi përpara janë të shumta ndërkaq rreziqet që na kërcënojnë janë të mëdha, por e madhe është edhe forca jonë dhe e gjerë është mbështetja e qytetarëve tanë të cilët janë të bashkuar më shumë se kurrë për punën tonë të drejtë. Prandaj edhe nuk ka arsye pse të mos i arrijmë synimet tona. Mbështetja e madhe qytetare është burim i pashtershëm shprese dhe energjie për mua si Kryeministër. Është motori që më shtynë mua dhe qeverisë drejt ndërtimit të shtetit që duam dhe meritojmë. Orët e ditës e ditët e javës mundohem t’i shtoj e zgjas për t’ua kthyer me punë besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë”, tha Kryeministri Kurti.