Homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit
Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë sot homazhe në Drenas në kujtim të martirëve të Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër.
25 vjet më parë, në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit forcat serbe kryen gjenocid duke masakruar 77 civil shqiptarë. 53 anëtarë të familjes Muqolli, Elshani, Caraku e Hoxha në Poklek, kurse 24 civil të tjerë në Çikatovë të Vjetër. Nga foshnja gjashtë muajshe deri te plaku 75 vjeçar, në mënyrë çnjerëzore, me bomba dhe plumba, 77 shqiptarë të paarmatosur u vranë, u djegën, u varrosën, e më pas u zhvarrosën për t’i zhdukur nëpër varreza masive nëpër Serbi. Ky ishte monstruiziteti i Serbisë kriminale në Kosovë në luftën e fundit, që synonte shfarosjen e popullit shqiptarë.
Vrasja dhe djegja e kufomave janë dëshmi jo vetëm për shfarosje të jetërave por edhe të qenies. Masakra e Poklekut është dëshmi e gjallë e gjenocidit të Serbisë dhe autorët e saj duhet të dënohen. Këtë vit bëhen 5 vjet qëkur në Kuvendin e Kosovës ka kaluar ligji që mundëson ndjekjen e kriminelëve të luftës dhe dënimin e tyre në mungesë, prokuroria duhet të veprojë. Duhet drejtësi për viktimat dhe dënim shtetëror e ndërkombëtar për ekzekutuesit dhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve.
Kryeministri Kurti tha se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.
Delegacioni u ndal edhe te Shtëpia Muze në Poklek që paraqet dëshmitë e kësaj masakre nga shteti Serb.
Nderimet më të larta ndaj atyre që sakrifikuan dhe dhanë jetën e tyre për lirinë tonë.