27 04 2024

Homazhe për të zhdukurit me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë

Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë nga Serbia në luftën e fundit, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe te pllaka përkujtimore e të pagjeturve pranë Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar te Parku Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, dhe më pas në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës.

Kujtojmë që, të mërkurën që e lamë pas me datë 24 prill, me kërkesë të grupit të asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Kuvendin e Komunës së Prishtinës u hodh sërish në votim propozimi ynë për emërtimin e parkut në oborrin e Bibliotekës Kombëtare si Parku Memorial: Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia. Me 44 vota PËR, ky propozim kaloi.

Pas homazheve të bëra sot në këtë park, delegacioni ynë vendosi shirita të bardhë nëpër pemët e mbjellura përreth tij, në përkujtim të personave të zhdukur që të gjithëve na mungojnë.

27 Prilli, është dita kur ne përkujtojmë masakrën e Mejës ku u vranë 377 civilë shqiptarë të Kosovës nga policia dhe ushtria serbe. Në këtë ditë, 25 vjet më parë, burra e djem u nxorën nga kolonat e refugjatëve në një pikë kontrolli në Mejë dhe familjet e tyre u urdhëruan që të vazhdojnë udhën për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë e ndarë nga kolona, pastaj u ekzekutuan pranë rrugës. Masakra konsiderohet si më e madhja gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Vetëm një pjesë e kufomave janë gjetur, pjesa tjetër janë vënë në kamionë dhe janë transportuar në Serbi ku janë varrosur në varreza masive ose janë djegur për të zhdukur gjurmët.

Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën që mbajti sot në Mejë kujtoi që ndonëse lufta ka përfunduar në qershor të 1999, lufta për luftën e Kosovës nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot.

“Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, kemi zhvilluar bazën ligjore, dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre. Kemi ndarë mjete për fuqizimin e Prokurorisë Speciale dhe pozita të reja në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Madje që në vitin 2019. Dhe gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët serbë të luftës të përballen me drejtësi, sepse këto krime veçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë”, tha ai.

“Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Me strukturën e re të miratuar në Policinë e vendit tonë, nga sektori e kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës me 41 hetues, pra kemi rritur më shumë se 100 për qind numrin e hetuesve. Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. E tani kemi një adresë pra për të dërguar të gjitha dëshmitë.”

“Ashtu siç e kemi fituar luftën më 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore”, tha Kryeministri Kurti.

Lavdi dëshmorëve e martirëve! Lavdi Mejës!

Kontribo