Librat shkollor nuk janë më çështje biznesi si dikur, sepse ky nuk është qëllimi i librave shkollor
Si në vitin e kaluar, edhe sivjet fëmijët janë pajisur dhe do të pajisen me tekste shkollore. Dallimi i vetëm në këtë mes qëndron se ky proces po bëhet pa ndërmjetësim të grupeve të interesit, e pikërisht këtu është halli i vërtetë i opozitës.
Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arjeta Fejza dhe Armend Muja mbajtën sot një konferencë për media ku folën për subvencionimin e teksteve shkollore nga Qeveria e Kosovës.
Deputetja Arjeta Fejza tha se arsyet pse qeveria ka ndërmarrë një vendim të tillë qëndron në faktin se ndër vite procesi i furnizimit me tekste shkollore është përcjellë me probleme dhe vështirësi, gjetje këto jo vetëm të adresuara publikisht por tashmë edhe në komisionin hetimor për tekste shkollore.
“Keqplanifikim, vonim i furnizimit, abuzim me çmime të larta, stoqe të grumbulluara me libra nëpër bodrumet e shkollave janë disa nga problemet që e kanë shoqëruar këtë proces, prandaj ky vendim ka ardhur si rezultat i nevojës për të shmangur abuzimet, keq menaxhimet, mungesën e planifikimeve të qëndrueshme”, tha deputetja Arjeta Fejza.
Ndërsa deputeti Armend Muja tha se ekziston një insistim i vazhdueshëm nga opozita që të gënjejë me shifrat e shpenzimeve për tekstet shkollore.
“Në rast se të dhënat merren zyrtarisht nga thesari, dhe thuhet se në vitin 2023 janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekstet shkollore, cili është insistimi që vazhdimisht të thuhet se po shpenzohen 11 milionë apo 20 milionë. Të dhënat nga thesari i shtetit e që janë të dhëna zyrtare, thonë se janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste që krahas vitit 2017 është shifra më e ulët që është shpenzuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës”, tha deputeti Armend Muja.