Homazhe në 25 vjetorin e Masakrës së Dubravës
25 vite më parë, nën organizimin shtetëror të Serbisë, në hapësirat e burgut të Dubravës u vranë 116 të burgosur politikë shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Nga data 19 maj, deri më 24 maj, të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty nga të gjitha burgjet e Kosovës, po përjetonin ditët më të rënda të tyre duke u përballur me një forcë që ishte mposhtur tashmë dhe që po hakmerrej mbi ta duke i masakruar. Në ato ditë plot me tortura, dhunime e vrasje pati të burgosur që arritën të shpëtonin dhe të arratiseshin përmes siç shpjegojnë edhe vetë ata, përpjekjeve gati mbinjerëzore.
Sot, në shënimin e 25 vjetorit të kësaj masakre, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga Kryetari, njëherazi Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me ministra dhe zv. ministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe te pllaka përkujtimore e kësaj masakre në Dubravë.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se emrat e të burgosurve të vrarë në Masakrën e Dubravës ngrehin dëshminë dhe akuzën e fortë ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.
“Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin këtu në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i të vërtetës të Kosovës. E kjo e vërtetë në vetvete është aktakuzë para drejtësisë dhe historisë, ndaj shtetit të Serbisë, për përgjegjësitë që ka për të kaluarën e saj kriminale në Kosovë. Të 116 të vrarët që u janë skalitur emrat këtu në këtë memorial, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës. I zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur. 185 të burgosur të plagosur nga 771 të mbijetuar gjithsej, janë e vërteta mes njerëzish të gjallë që ishin dëshmitarë të masakrës së Dubravës, e vërteta që ende flet dhe dëshmon, sikurse këtu sot”, tha ai.
Lavdi të rënëve të masakrës së Dubravës dhe të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri!