15 06 2024

SHQIPËRIA qan HOMERËT

Dita VI:

SHQIPËRIA qan HOMERËT, është titulli i librit me poezi për Arbënor e Astrit Deharin, që u promovua sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ky libër me poezi të shkruara për Arbënor e Astrit Deharin ka disa autorë, që janë përmbledhur e redaktuar nga Rushit Ramabaja dhe Nebih Bunjaku, për t’u botuar nga Shtëpia Botuese dhe Shtypshkronja Lena Graphic.

Ngjarjen e moderoi aktorja Vlora Merovci, e cila bashkë me aktorin Afrim Muçaj, dhe aktivisten e Lëvizjes, regjisoren e teatrit, Shkurtë Aliu, nën tingujt e violinçelos së Gresa Broqit, i lexuan disa prej poezive për të pranishmit në këtë promovim.

Autorët e kësaj përmbledhje me poezi, Rushit Ramabaja dhe Nebih Bunjaku e mbajtën nga një fjalë prezantuese për punën që kanë bërë. Pas tyre, një fjalë rasti e mbajti edhe babai i Arbënorit dhe Astritit, shkrimtari, deputeti, Avni Dehari.

Të pranishëm ishin përplotë aktivistë, shokë dhe shoqe të Arbënorit dhe Astritit, familjarë, anëtarë të kryesisë nga Lëvizja, deputetë, ministra, zëvendësministra, nga qeveria e Kosovës.

Arbënor e Astrit Dehari janë dy vëllezërit tanë, dy aktivistët tanë, dy heronjtë që me dijen dhe guximin e tyre shënojnë luftën e popullit tonë për drejtësi, barazi dhe të vërtetën.

I përjetshëm do të jetë kujtimi dhe nderimi për Arbënor dhe Astrit Deharin.

Kontribo