05 10 2024

PANELI PËR INFRASTRUKTURË: RUAJTJA E MJEDISIT DHE INFRASTRUKTURË E QËNDRUESHME

Infrastruktura e qëndrueshme që lidh dhe zhvillon vendin tonë duke ruajtur mjedisin në të njëjtën kohë ishte në qendër të diskutimit në panelin për infrastrukturë, ku morën pjesë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dy zëvendësministrat e tij, Hysen Durmishi dhe Jeton Raka, kryetarja e Komisionit për Mjedis në Kuvend, Fitore Pacolli, shefi i kabinetit të MPHI-së, Valon Hoti, dhe këshilltari i jashtëm për energji të ripërtëritshme, Agim Mazreku.

Ministri Liburn Aliu theksoi rëndësinë e sinkronizimit të zhvillimit ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë përmes investimeve në infrastrukturë që krijojnë lidhje të qëndrueshme. Projektet kryesore përfshijnë ndërtimin e rrugëve si Prizren-Tetovë dhe Deçan-Plavë, hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë dhe përpjekjet për lidhje me Malin e Zi. Ai përmendi gjithashtu prioritetin për ndërtimin e rezervuarëve për sigurimin e ujit dhe menaxhimin e vërshimeve për mbrojtjen e jetës dhe ekonomive të familjeve. Një arritje të rëndësishme ai tha se është fillimi i projektit për banim të përballueshëm ku deri më tani 13 komuna kanë nënshkruar me ministrinë, dhe në 5 prej këtyre komunave tash do të hapet tenderi për ndërtim.

Zv. ministri Hysen Durmishi theksoi sfidat me të cilat është përballur ministria, përfshirë 182 milionë euro borxhe për shpronësimet dhe identifikimin e 12 rrugëve të ndërtuara pa u bërë shpronësime. Ai përmendi luftimin e krimit dhe korrupsionit në sektorin e patentë-shoferëve dhe digjitalizimin e këtij sektori. Për herë të parë pas shumë vitesh, rrugët rajonale janë përmirësuar dhe lidhjet mes fshatrave të Kosovës dhe Shqipërisë janë realizuar.

Deputetja Fitore Pacolli foli për ndryshimet ligjore në të mirë të mjedisit, përfshirë ligjin për mbeturinat, ku janë dyfishuar dënimet për ndotësit dhe është ndaluar përdorimi i materialeve plastike që nuk shpërbëhen lehtë në natyrë. Ligji i ri për pyjet i kalon përgjegjësitë e mbrojtjes dhe shfrytëzimit të pyjeve nga komunat tek agjencitë e pyjeve. Ajo theksoi edhe bashkëpunimin me qytetarët për ndalimin e gurthyesve dhe heqjen e homologimit për automjetet.

Zv. ministri Jeton Raka përmendi se janë gjetur 2800 deponi ilegale dhe është themeluar Task Forca e Gjelbër, e cila ka larguar këto deponi dhe ka sekuestruar mjetet e përdorura në mënyrë të jashtëligjshme për dëmtimin e natyrës. Investimet në përmirësimin e infrastrukturës për transportin hekurudhor dhe rehabilitimin e rrugëve janë prioritet.

Shefi i kabinetit, Valon Hoti, vuri në dukje sulmet që i bëhen ministrisë nga ata që për 20 vite nuk i përfunduan projektet që ne për një mandat i realizuam. Si referencë ai përmendi rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë dhe rrugën Prishtinë-Pejë, të cilat nuk u përfunduan për 20 vjet, e tash po përfundohen brenda këtij mandati. Ai kujtoi gjithashtu se si ata që na akuzojnë se kemi falur borxhe janë ata që kanë falur më së shumti borxhe në mënyrë të jashtëligjshme; vetëm kompanitë e ujit, për (2006-2020) u paguan 39 mijë euro për ambalazhim, ndërsa me qeverisjen aktuale (2020-2024) janë paguar 437 mijë euro. Hoti po ashtu kujtoi akuzat për monopole nga ata që tashmë kanë humbur monopolet dhe terminalet doganore.

Këshilltari i jashtëm i ministrisë së mjedisit, Agim Mazreku, theksoi se tashmë të gjitha stacionet monitorojnë dhe paralajmërojnë për rrezikun e vërshimeve në kohë reale, duke siguruar mbrojtje më të mirë për qytetarët. Ai theksoi se 50% e prioriteteve janë fokusuar në menaxhimin e ujit, një politikë largpamëse dhe e bazuar në shkencë.

Politika dhe masa si këto tregojnë angazhimin tonë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit për të gjithë qytetarët e Kosovës!

Kontribo