Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh të Kaçanikut
Kur u nisa sot prej Prishtinës, më thanë “veshu trashë se sonte është ftohtë”, e unë ju thash “Po n’Kaçanik po shkoj”. E masanej m’thanë “Eh mirë je pra. Se ajri janë njerëzit.”
Mirë se ju gjej këtu, të dashur qytetarë, në Kaçanikun e Idriz Seferit, n’Kaçanikun shkëmb e gurë, që e mban lart këtë flamur, n’Kaçanikun e Sali Bajrës e të Ismail Rakës, n’Kaçanikun e Kushtetutës dhe në Kaçanikun që i raftë pika, se nuk e din se çka është frika.
Sa më shumë që i afrohemi datës 9 shkurt, aq më shumë i afrohemi fitores së Vetëvendosjes, së koalicionit tonë me partinë Guxo, e me partinë Alternativa.
Të dielën e 9 shkurtit, do t’i kushtoni vetëm 10 minuta shkuarje-ardhje deri në vendvotim dhe me ato 10 minuta të vendosni vet, të vetëvendosni dhe t’i fitoni 4 vjet jetë me mirëqenie dhe dinjitet për të gjithë ju, për secilën familje, për çdo qytetar të Kaçanikut, e të Kosovës mbarë.
Por shtrohet pyetja: Pse do të fitojmë ne me 9 shkurt? Sepse ish-qeveritarët që populli i njeh mire, sepse i ka përjetuar edhe n’lëkurë edhe n’asht, ishin mendjelehtë e zemërgurë, e ne që jemi bashkë në këtë listën me numër 118, 110 kandidatë për Kuvendin e ri të Republikës, jemi edhe mendjemprehtë edhe zemërgjerë. Ne bashkë me mendje sjellim shpresë sepse me zemër kemi besë. E ish-qeveritarët janë edhe të pashpresë edhe të pa besë. E po, sërish shtrohet pyetja: Pse është kështu? Sepse të dashur qytetarë, ne merremi me politikë jo nga dëshira për pushtet, por nga dashuria për shtet, për liri, për drejtësi, për zhvillim, për komb edhe për barazi.
Gjatë këtyre katër viteve kemi pasur rekord të investimeve, të shpenzimeve kapitale, kemi vendosur standard të ri sa i përket buxhetimit të projekteve kapitale. Gjatë periudhës 2021-2024, mesatarja vjetore për projektet kapitale është rritur me plot 35%, krahasuar me periudhën pas pavarësisë e para neve, 2008-2020, dhe ja qysh duket kjo rritje: 25% më shumë buxhet nga qeveria, 65% më shumë komunave, 15% nga institucionet e pavarura publike.
Të dashur qytetarë të Kaçanikut, Lëvizja VETËVENDOSJE! qeverisë në vetëm gjashtë komuna të Kosovës, dy prej tyre në veri, veriu i Mitrovicës dhe Leposaviqi, edhe katër në jug. Mirëpo, a e dini çka? 44% e kemi rritur buxhetin për komunat e Kosovës, nga 547 milionë në 788 milionë. Kjo është dëshmi që unë nuk jam thjesht Kryetar dhe Kryeministër i Vetëvendosjes, por Kryeministër i Republikës së Kosovës duke i ndihmuar komunat e Kosovës, banorët e Kosovës, Cep më Cep gjithandej, anembanë, pa diskriminim.
Prandaj, pikërisht pse i ndihmojmë kësisoj banorët pa dallim, të të gjitha komunave ku qeverisim e ku nuk qeverisim, kemi rekord të investimeve kapitale, rekord që ja kemi thyer edhe vetvetes në vitin e fundit, 561 milionë euro në 2023 dhe 654 milionë euro në 2024. Por, nuk janë rritur vetëm investimet kapitale, është rritur edhe konsumi, është rritur edhe eksporti, e janë rritur edhe investimet e huaja direkte. Konsumi është rritur se kur populli ka shpresë edhe është optimist, më shumë shpenzon se kursen, e kjo është mirë edhe për qytetarët, ëdhe për familjen edhe për ekonominë e vendit.
Eksportet janë dyfishuar, investimet e huaja direkte më shumë sesa që janë dyfishuar, por a e dini çka? Është rritur njëkohësisht edhe punësimi, e sidomos punësimi i të rinjve. Kosovën e kemi gjetur me 350 mijë të punësuar, tash i kemi 430 mijë të punësuar. Kjo do të thotë që i kemi për më pak se katër vjet, 80 mijë më shumë të punësuar në Republikën e Kosovës Cep më Cep. E a e dini sa janë 80 mijë për katër vjet? Janë 55 të punësuar mesatarisht për çdo ditë. Për çdo ditë Kosovës gjatë katër vjet qeverisje ju kanë shtuar nga 55 të punësuar të rinj, që do të thotë, për çdo ditë në këto katër vjet është themeluar një kompani e re, një firmë e re, një biznes i ri me 55 të punësuar të rinj në Republikën tonë të dashur.
Me programin “Superpuna” janë punësuar 14 mijë të reja e të rinj, gjysma vajza e gjysma djem përafërsisht, dhe kanë përfituar 9500 biznese vetëm me programin “Superpuna”. Prej moshës 18-29 vjeç janë punësuar 14 mijë të reja e të rinj që për 6 muaj e marrin pagën minimale, tashmë të rritur në 350 euro, si bonus të pagës që ua jep punëdhënësi nëpër ndërmarrje të ndryshme në Kosovë. Dhe të dashur kaçanikas, a e dini sa janë 14 mijë të punësuar të rinj vetëm me një program? Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë përplot i mbushur me punësime të reja, të rejave dhe të rinjve të Kosovës. E tash, neve na nevojitet një fitore më e madhe se kurdoherë më parë, e si askush tjetër, gjysmë milioni zemra me 9 shkurt te numri 118.
Disa thanë shumë bre 500 mijë! 438 mijë i kemi pasur me 14 shkurt 2021. Shumë 500 mijë, a mund t’i bëjmë a s’mund t’i bëjmë, por unë po ua tregoj cila është qasja jonë, cila është mënyra jonë. Paramendojeni kur ngjiteni në maje të një kodre, edhe me sukses keni arritur që përkundër mundimeve e vështirësive, të mbërrini në maje, dhe çka me pa kur të mbërrish në maje të kodrës, e qon kokën lartë, një mal edhe më i madh përpara. E shtrohet pyetja, masi t’i ngjitesh kodrës në maje, e përpara del një mal me maje edhe më të lartë, çka duhet me bë? Natyrisht, buzëqesh shkurtimisht edhe ia mësyn edhe malit. Ja mësyn edhe malit me gëzim në zemër, e me vullnet në qenie dhe e bën atë që din më së miri, të ngjitesh përpjetë, të shkosh lartë e më lartë, sërish e ja mësyn edhe malit, malit të madh të 500 mijë zemrave, Cep më Cep të Republikës së Kosovës.
Të dashur qytetarë të Kaçanikut, ne e dimë se me demokracinë mund të realizosh një shoqëri tanë të mrekullueshme, por edhe mund të abuzosh në ekstrem, e ta ndrydhësh emocionin e një shoqërie të tanë. Për dy dekadat e ish-qeverive kemi pasur periudhën kur me demokracinë është abuzuar tej mase, dhe e kanë hedhur popullin në varësi të rastësisë, por atdheu e shteti nuk janë vende të rastësisë. Atdheu e shteti janë vende ku duhet të ndihesh më i sigurt se kudo tjetër. Ashtu sikur kur lind një foshnjë dhe ndihet e sigurt në gjirin prindëror, po ashtu edhe në atdhe e në shtet duhet të ndjehesh i sigurt sado e ngarkuar të jetë gjendja botërore. Ky është synimi ynë, një Kosovë e sigurt me qytetarë të sigurt. Jeta e pasigurt në atdhe e ka shpikur kurbetin, por nuk kishte asnjë kuptim që edhe në Kosovën e pavarur e sovrane të kishim gjendje rastësore për popullsinë. Kosova është shteti ynë më i mrekullueshëm dhe jo dheu i rastësisë. Prandaj e quajmë dheu i mëmës dhe i atit, sepse e krahasojmë me ngrohtësinë e dy prindërve tanë.
Në katër vjeçarin e ardhshëm, pas fitores tonë, do t’i ndajmë 1 miliardë euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrje prodhuese, sepse kemi nevojë që edhe t’i shtojmë bizneset tona, por edhe ta shtojmë prodhimtarinë e atyre bizneseve që të punësojmë sa më shumë të reja e të rinjë, dhe me këtë rast do të punësohen sa më shumë djem e vajza, burra e gra dhe do të ketë gjithnjë e më shumë familje ku punojnë të dy prindërit. Prandaj, në ato familje ku punojnë të dy prindërit, ne do të kemi mbështetje financiare për gjyshet edhe për gjyshërit që kujdesen për fëmijët e prindërve punëtorë, për nipërit e mbesat e tyre, prej moshës 1-3 vjeç. Se ne i paguajmë edukatorët nëpër çerdhe, do t’i paguajmë edhe gjyshet dhe gjyshërit nëpër shtëpi. Kështu që dhëndurëve që punojnë, e nuseve që punojnë do t’ua paguajmë vjehrrat e vjehrritë.
Do të bëjmë investime në industri ushtarake, e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, por do ta bëjmë edhe fabrikën e municionit që kurrë më të mos ketë mungesa për ushtrinë tonë që na mbron vendin tonë Cep më Cep.
Unë si demokrat e si socialdemokrat nuk kisha dashtë me shpenzu buxhet në ushtri, mirëpo kur e ki kojshinë e keq, duhet me u bë ma i fortë. E na e kena ni kojshi të keq, gjeografinë e historinë nuk mund t’i ndryshojmë, por mund ta ndryshojmë të ardhmen, duke u forcuar në të tashmen, në mënyrë që fëmijët dhe rinia kurrë më të mos përjetojnë luftërat, e vuajtjet, e humbjet, e pikëllimet që i ka përjetuar brezi ynë dhe brezat para neve.
Të dashur qytetarë të Kaçanikut, këto tri javë, këto tri javë e gjysmë, ne nuk duhet t’i përjetojmë si javë normale, por duhet t’i kthejmë në javë të mobilizimit mbarë komunal, gjithë shtetëror e mbarë kombëtar, sepse 9 shkurti është ditë e datë historike, është ditë dhe datë kur qytetarët e të gjitha shtresave, komunave, moshave, feve, prejardhjeve do t’ju drejtohen kutive të votimit, ku do ta kenë një zgjedhje që është zgjidhje dhe e cila e mban numrin tuaj, e numrin tonë të dashur, 118.
118, 118, 118, 118…
Prandaj, le të jenë këto tri javë e gjysmë, kur ne sakrifikojmë pak nga jeta e përditshme dhe punojmë shumë, në mënyrë që të mos na ngelet asnjë merak apo pishman pas zgjedhjeve. Votat numërohen prej fillimit deri sa të bëhen 500 mijë, e deri sa ta tejkalojmë 500 mijëshin, gjysmë milioni zemra, për fitoren më të madhe që e ka pa Kosova ndonjëherë. Andaj me anëtarë të familjes e të farefisit, daja, tezet, hallat, kushërinjtë, me kolegë të punës, e me shoqe e shokë të klasës te shkollës fillore, e të mesme, me kojshi e miq e të njohshëm, mobilizoni që të gjithë, që ta mbërrijmë majën e këtij mali të 500 mijë zemrave. Unë ju falënderoj nga zemra, për krejt mbështetjen, përkrahjen, ndihmën, solidaritetin, që e keni pasur me Qeverinë e Republikës dhe me Lëvizjen Vetëvendosje!, jo vetëm në këto katër vjet, po në këto gati 20 vjet prej se ekzistojmë pavarësisht stuhive, krizave, vështirësive, nëpër të cilat kemi kaluar. Mirënjohje e thellë, falënderim i përzemërt për Kaçanikun.
Kemi bërë shumë punë të mira, do t’i vazhdojmë punët e mira e do të bëjmë edhe shumë punë të reja, tjera, të mira edhe më të mira. Për këto e për shumëçka tjetër, për këto e për gjithçka tjetër, zgjedhjet e reja janë mundësia, kurse qeverisja jonë është garancia.
Të dashur qytetarë të Kaçanikut, partitë opozitare i kanë kufijtë sociologjik. Lëvizja jonë ka kufij vetëm historik. Secili vit i Lëvizjes ka treguar që Lëvizja nuk mund të shkatërrohet prej jasht. Vitet e fundit kanë treguar edhe që Lëvizja nuk mund të rrënohet nga brenda. E tash ky vit, viti 2025, ky vit, duhet të tregojë e do të tregojë që Lëvizja mund të fitojë, duhet të fitojë, e do të fitojë, me rekord historik gjysmë milioni zemra. Viti 2025 është viti i fitores më të madhe e të paparë. Fitorja është e Lëvizjes sepse Lëvizja e ka historinë përpara e jo mbrapa, Lëvizja e ka historinë përpara.
Të dashur pjesëmarrës, të nderuar të pranishëm të këtij tubimi madhështor në Kaçanik, ne nga këtu do të vazhdojmë për Han të Elezit sepse e kemi bërë ditën 24 orë, po përpiqemi që ndoshta ta bëjmë edhe 25 orë. E tash, meqenëse nga Kaçaniku vazhdojmë për Han të Elezit, ju duhet t’i tregoni vetes, mua, Kaçanikut dhe mbarë Kosovës Cep më Cep, çka t’i themi Hanit të Elezit, a do të votoj Kaçaniku me 9 shkurt? A do të votoj Kaçaniku të dielën e 9 shkurtit? A do të fitoj numri 118? A do ta votojnë të gjithë, secila e secili Lëvizjen Vetëvendosje!? A do të festojnë qytetarët e Kaçanikut e të Republikës, në mbrëmjen e të dielës së 9 shkurtit?
Atëherë urime fitorja Kaçanik, urime fitorja Kosovë, e mirëupafshim në aktivitetet e përditshme, në rrugicat e qytetit, në rrugët e secilës lagje, të secilit fshat të Kaçanikut, shtëpi më shtëpi drejt 9 shkurtit, drejt fitores së Vetëvendosjes, Guxo, Alternativës dhe numrit 118!
Faleminderit shumë, mirëupafshim e natën e mirë!