Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Podujevë
Të dashur pjesëmarrës, të nderuar të pranishëm, qytetarë të Llapit, ju faleminderit shumë për këtë mikëpritje kaq të përzemërt e kaq të ngrohtë në këtë palestër të sporteve që mban emrin e dëshmorit të kombit, e luftëtarit të paepur të UÇK-së, Hakif Zejnullahu.
Në mandatin tonë të ardhshëm, kjo mbrëmje na tregon, na e konfirmon, na e dëshmon që na duhet një palestër më e madhe e sporteve. Bashkë me kryetarin Shpejtimin do ta ndërtojmë një palestër më të madhe, shumë më të madhe, mirëpo duhet prapë se prapë të kemi kujdes në projektim, se kurrë nuk e dijmë a është mjaftueshëm e madhe në Llap apo jo. Nuk kemi hesap me ua maru edhe një palestër të re të sporteve dhe juve mos me ju nxënë prapë.
Mirëse e gjejmë njëri-tjetrin në këtë tubim madhështor të koalicionit tonë, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! është bashkë me partinë Guxo, kryetarët Donika Gërvalla e Faton Peci dhe me partinë Alternativa, kryetaren Mimoza Kusari. E gjithë ne bashkë, 110 kandidatë të listës më të mirë në histori të Kosovës dhe jo vetëm, që janë të profileve të ndryshme, dy gjinive, me prejardhje prej Kosovës cep më cep, por që i bashkon qëllimi për Republikën e Kosovës demokratike e progresive. Jemi këtu bashkë me juve, para jush, në Llapin e bacës Adem, Adem Demaçit, të Shaban Shalës e të Ali Ajetit. Në Besjanën e Afrimit, Zahirit e të Ilirit, në Podujevën e Ylfete Humollit e të Mon Balajt. Në Llapin e Gollakun e Fadil Vokrrit e të Ismet Bogujevcit.
Të dashur qytetarë, ne shqiptarët në Ballkan jetojmë prej aty e deri aty ku e kemi ndalur e ndaluar okupatorin e fundit. Këtu në Llap kanë ngecur Serbia dhe këtu në Llap gjithmonë ka ecur Lëvizja, e në shekullin 21 Lëvizja e ka emrin VETËVENDOSJE! Ne e mbajmë këtë emër me zemër, ne e mbajmë këtë emër në zemër, këtë emër që ishte parulla kryesore e demonstratave të vitit 1968, të cilat e sollën Universitetin e Prishtinës e në ballë të të cilave ishin veprimtarët Ilaz Pireva e Xheladin Rekaliu. E ne të gjithë bashkë e dijmë shumë mirë se gjatë luftës, Prishtina ishte në zonën operative të Llapit, e tash në paqe ne do ta bëjmë Llapin zonë operative të Prishtinës. Do ta bëjmë zonë operative. Do ta bëjmë zonë operative me investime e zhvillim ekonomik, por edhe me ish aeroportin e Dumoshit që tash e ka ushtria jonë, Forca e Sigurisë së Kosovës.
Për neve, të nderuar të pranishëm, zhvillimi nuk është çështje fati apo rastësie, me ne fitojnë kategoritë shoqërore, e jo persona të veçantë. Kur japim 118 mijë subvencione për bujqit, ne ndihmojmë zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës, e jo pasurimin e disa personave privatë. Kur kemi ofruar më shumë se 1 mijë grante, ne e kemi menduar deri në detaje, për naftë, për plehrim, për shtalla, për solare, për studentë të bujqësisë e për partneritet zhvillimor. 300 milionë euro subvencione për bujqësi nga qeveria jonë e mbi 300 milionë euro armatim për ushtrinë tonë. Sepse buka dhe pushka janë dy siguritë më urgjente, më prioritare, më të domosdoshme për një shtet e për një komb. E pra, ne nuk japim subvencion për dikë apo për diçka. Ne mendojmë për gjithçka. Ne mendojmë cep me cep, skaj e m’skaj.
Me qeverinë tonë, me qeverinë tuaj, nuk mbetet asnjë pëllëmbë toke djerrë. Ne i rrisim edhe fermat, edhe rendimentet, edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore. Partitë e tjera nuk janë në tokë të bukës. Me qeverinë tonë, në sofrën tonë, e kemi bukën tonë, nga toka jonë. Rekord të mbjelljeve dhe rekord të korrjeve në vitin 2024. E pasha bukën me neve edhe mrapsht me qitë mbarë po del.
Me qeverisjen tonë, me vlerat e koalicionit tonë, përfundon edhe diskriminimi edhe privilegjet. Të gjithë pasurohen me punë, të gjithë angazhohen sepse punojnë, ne ja shtojmë shoqërisë ekonominë e zhvilluar, ekonomisë prodhimin vendor dhe prodhimit vendor arsimin cilësor, sepse prodhimi i bën njerëzit punëtorë dhe punëtorët qytetarë. E qytetari në Republikën demokratike, në shtetin e pavarur të Kosovës tonë të dashur, nuk duhet të kryejë punë përmes një njeriu në sistem, por përmes një sistemi që u shërben të gjithë njerëzve. Para neve kishte punësime pa kontratë, dhe kontrata punësimi pa punë. Me qeverinë tonë, kriter për punësim dhe avancim është profesionalizmi dhe aftësia, ndershmëria e devotshmëria, dhe jo lojaliteti partiak, a mbiemri i farefisit. Ne punojmë sipas ligjit dhe me program. Fitohet sipas meritës dhe punës. Andaj edhe populli na don neve shumë, na don porsi mjeshtri që e don çekiçin: bam, bam, bam, bam, 118, 118, 118, 118, 118, 118, 118. Është zgjidhja e vërtetë me 9 shkurt në zgjedhjet e rregullta parlamentare, kur ne e fitojmë gjykimin pozitiv për katër vjet mirëqeverisje, dhe njëkohësisht lejen tuaj për të vazhduar punët e mira e për të bërë edhe shumë punë të tjera, gjithsesi të reja e të mira.
Rritjen ekonomike nuk e kemi mbajtur për shtet, por e kemi shpërndarë për mirëqenie sociale dhe për cilësi të shërbimeve publike. Mjeku po ju vjen në shtëpi tash. Mbi 67 mijë vizita në shtëpi në vitin 2024 cep më cep Republikës. Sepse një fëmijë i rritur shëndetshëm është një Kosovë e cila rritet fuqishëm. Mbulimi i plotë i shpenzimeve për trajtim mjekësor të invalidëve të luftës lidhur me protezat bëhet pikërisht me qeverinë tonë e me qeverinë tuaj. Gjatë qeverisjes sonë, për vetëm tri vjet, i kemi 370 infermier më shumë, 300 mjekë më shumë në kujdesin parësor shëndetësor dhe 250 specialista më shumë në kujdesin sekondar e terciar. Specialistit ju ka rritur rroga për 110% nga 660 euro në 1375 euro, e bashkë me kujdesin, bashkë me kujdestarinë, bashkë me shtesat, e kalon rrogën e Kryeministrit e të Presidentes. A e dini çka të dashur llapjanë? Para 6 vjetëve ish-kryeministri e ka pasur pagën pesë herë më të madhe sesa kirurgu, e tash e ka më të madhe se kryeministri, kirurgu. Për mjekun e përgjithshëm, kemi rritje mbi 65%, prej 565 euro sa janë kemi gjetur rrogën, ja kemi ngritur në 935. Për infermierin me studime baçellor, e ka pasur 425 euro, ju ka bërë 671 euro, pra rritje 58%. E për infermierin me shkollë të mesme, afër 70% rritje të pagës, nga 377 euro në 638 euro. Kjo është qeveria që kujdeset për mjekun, që kujdeset për pacientin. Kjo është qeveria që kujdeset për infermierin, që kujdeset për qytetarin, e nga korriku pagat do të rriten sërish edhe për 55 euro, të gjitha kategorive.
Kur kemi ardhur ne në qeverisje, në administratën publike, të dashur llapjanë, raporti midis pagës më të lartë dhe pagës më të ulët ka qenë 20 me 1. Njëzetfish e ka pasur rrogën më të madhe sesa ai që ka pasur pagën më të ulët, merrni me mend, njëzetfish! Atij i duhen gati 2 vjet me i marrë ato para për ato që i ka marrë ai veç për një muaj. Me qeverisjen tonë, sivjet raporti ndërmjet pagës më të lartë dhe pagës më të ulët në administratën publike bie nga 20 me 1 në 4 me 1.
Ne, rrugën Prishtinë-Podujevë, jemi zotuar se do të bëhet, rruga Prishtinë-Podujevë, Podujevë-Prishtinë, po bëhet në këtë pranverë, në pranverën 2025 përfundojnë edhe urat, dhe kështu kësaj pritje të gjatë të llapjanëve prej gati një dekade po i vjen fundi dhe po ashtu po i vjen fundi sepse qeveria jonë e mirë, e qeveria juaj e dashur kanë punuar edhe sa i përket problemeve me mangësitë në shpronësime edhe sa i përket problemeve me projektimet e këqija. Rruga Prishtinë-Podujevë mbaron për juve, për neve në pranverën e sivjetshme.
Jemi kujdesur shumë për fëmijët se fëmijët janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë. Llapin e kemi gjetur me 1 çerdhe, e po i bëjmë 9 çerdhe bashkë me kryetar Shpejtimin. Por, në katër vjeçarin e ardhshëm e kemi ndërmend me punësuar sa më shumë gra e burra, vajza e djem, se shkalla e punësimit mund të rritet edhe shumë më tepër për ta arritur shkallën e rritjes ekonomike. Dhe në krejt familjet ku punojnë edhe burri edhe gruaja, edhe nëna edhe babai, e ku gjyshja e gjyshi i kqyrin fëmijët prej 1-3 vjeç, do t’u japim gjyshërve, gjysheve mbështetje financiare nga shteti. Prandaj, nuse e dhëndur, e kemi ndërmend me iu dhënë para vjehrrave e vjehrrive pavarësisht çka mendoni ju për ata. Ne po i paguajmë edukatorët nëpër çerdhe, por kurr mos të harrojmë se nëpër familjet tona i kemi disa çerdhe të vogla ku prindërit tanë po e përfundojnë jetën duke i rritur dy palë fëmijë, edhe neve edhe fëmijët tanë. E këta edukatorë në çerdhet familjare duhet ta ndjejnë dorën e mirë të shtetit të mirë, të qeverisë së mirë, të Republikës së mirë të Kosovës.
Po ashtu 1 miliardë euro do t’i mbështesim për 4 vjet ndërmarrjet prodhuese në Kosovë. Raportin eksport-import që e kemi gjetur 1 me 9 në vitin 2021, e kemi bërë 1 me 6, i kemi dyfishuar eksportet, mirëpo duhet të vazhdojmë t’i shtojmë eksportet, e kjo bëhet duke e rritur prodhimtarinë e ndërmarrjeve tek ne. Kush prodhon fiton, kush prodhon mbështetet nga shteti, kush fiton investon, kush investon fiton edhe më shumë e kush fiton edhe punëson, e ata që punësohen fitojnë dhe në këtë mënyrë edhe rritet ekonomia e vendit tonë, por gjithashtu edhe mirëqenia e të gjitha familjeve, skej më skej, cep më cep, qosh më qosh të Republikës së Kosovës.
Tash neve po na duhet me dalë në fushatë. Kanë mbetur edhe 25 ditë deri në zgjedhje. Po e bëjnë ditën 25 orë duke shkuar në 3 komuna më së paku, e shumë fshatra në secilën prej tyre, por duhet ta bëjmë fushatën se në atë listën zgjedhore nuk jemi veç ne me numrin 118, janë edhe disa të tjerë aty. E për ata të tjerët që janë aty diçka duhet ta pranojmë, në një pikë ata kanë qenë koherent e konsistent, në fushata zgjedhore ata nuk kanë ndryshuar, duke e parë se autobusi nuk i çoi shumë larg në fushatën 2021, morën me qera me dhjetëra autobusa, për me e shty atë autobusin e tyre të prishur që s’iu prehke menja që duhet me thirrë mjeshtrin, por ne duhet ta pranojmë në këtë pikë që ata nuk ndryshojnë, gjithçka e shohin te autobusi. Çdo katër vjet me autobus, një herë me autobusin e tyre të prishtë, e herën tjetër me dhjetëra autobusa të marrë me qera për me e bartë anëtarësinë prej një qyteti në një qytet tjetër. Gjatë katër viteve të fundit nga 350 mijë të punësuar në Kosovë, e kemi rritur fuqinë punëtore të vendit tonë në 430 mijë. 22% në periudhën prej vitit 2015 deri në vitin 2020, ju e dini kush kanë qenë kryeministra e presidentë atëherë, punësimi është rritur mesatarisht as 1.5% në vit, për këto katër vjet sa jemi ne në qeverisje, punësimi është rritur mbi 7% mesatarisht në vit.
E kjo do të thotë, që për këto gati 4 vite, mesatarisht 55 vende të reja të punës në Kosovë janë hapur për çdo ditë, që i bie 55 veta sa me mbush një autobus. Pra, ne për çdo ditë e kemi mbushur nga një autobus me punëtorë, për këto katër vjet, me punëtorë të rinj duke hapur vende të reja pune për qytetarët tanë. Këtu pra është dallimi, ata me autobusa të prishur që duhet me i shty n’përpjetëze, e ne me autobusa me punëtorë të rinj që e shtyjnë ekonominë e Republikës tonë. Ata me autobusa me qera për të mbushur salla, e ne me autobusa me punëtorë të rinj që mbushin buxhetin edhe të shtetit edhe të familjeve të tyre.
Të dashur qytetarë të Llapit, LDK-yhi, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është Lidhje, por është Lodhje dhe nuk është Demokratike, por është Dokratike. E në përgjithësi, me nder ta themi, opozita po i japin zor mule anej – mule knej për vend të dytë, po get e kanë pa edhe ata vetë që s’ka ymyt, se kështu si Shpejtimi i ka mbytur në Llap, Vetëvendosja po i mbyt cep më cep në Republikën e Kosovës.
Andaj të dashur llapjanë, a po fitojmë me ka krejt a? Me ka krejtë a? Skej më skej? Qosh më qosh? Rreth më rreth? Cep më Cep? Faleminderit shumë, urime fitorja, e me 9 shkurt, numri ynë 118 fiton, votojmë bashkë Cep më Cep, fitojmë bashkë Cep më Cep, festojmë bashkë Cep më Cep të Llapit, Cep më Cep Republikës së Kosovës, Cep më Cep Shqiptarisë tonë të dashur.
Natën e mirë e mirëupafshim. Ju dua fort!
500 mijë zemra është mali i fitores tonë me 9 shkurt të vitit 2025.