Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Vushtrri
Të dashur qytetarë jemi këtu në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës, në Vushtrrinë e Jeton Tërstenës, emrin e të cilit e mban kjo palestër e cila është e stërmbushur aq shumë sa që nuk po ju zë brenda këtu. Në tubimet e Vetëvendosjes në Vushtrri, nuk mund të bësh fotografi por vetëm video që i përthakon të gjithë Cep më Cep.
Jemi këtu edhe në Vushtrrinë e Ukshin Kovaçicës e të Azem e Shotë Galicës, jemi në Vushtrrinë edhe të dëshmorëve Isë Mërnicës, Ferki Aliut e Ahmet Krasniqit, në Vushtrrinë e Enver Zymberit e të Afrim Bunjakut, të cilët e lanë me gjakun e tyre veriun e Kosovës, për ta bërë Kosovën tonë të dashur, Cep më Cep, me sovranitet dhe me integritet. Të nderuar të pranishëm, Vushtrria është qytet i urës e i kulturës, i luftës çlirimtare e i punës së ndershme.
E tash nga Prishtina në Vushtrri vi më shpejtë se kurr më parë, sepse e kemi rrugën e përfunduar, shpejtësia është vetë rruga e re, rruga që kishte mbetur rrugëve nga ish-Qeveritë që prej vitit 2009, e në të cilën për të mbërritur nga Prishtina në Vushtrri, nga Vushtrria në Prishtinë janë dashur më shumë se 1 orë, e tash mbërrihet për më pak se gjysmë ore. Punimet janë duke u zhvilluar edhe në pjesën tjetër, nga hyrja në Vushtrri deri në Gojëbulë, me gjatësi rreth 4.2 km. Gjithashtu, e kemi nënshkruar marrëveshjen edhe për segmentin nga Smërkovnica në Mitrovicë, me gjatësi 5 km, rruga përfundon në pranverë sivjet.
Vushtrria është qytet i historisë, i traditës dhe i vlerave. Njerëzit e këtij vendi janë të fortë në shpirt, të lidhur me tokën, me punën dhe me besimin e tyre të palëkundur. Ky kombinim i shpirtit të fuqishëm dhe i zemrës së pastër, e bën Vushtrrinë zemër dhe shpirt të Republikës së Kosovës. Vushtrria ka dhënë shumë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Në Vushtrri ka shumë veteranë e invalidë të luftës, Vushtrria i ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë kombit. E nga ky qytet kanë dalë shumë gra e burra që kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, e kanë dhënë kontribut tejet të çmueshëm për vendin tonë mbarë. Me respekt të thellë, në veçanti nga këtu përshëndes familjen Zymberi dhe Bunjaku, të cilët janë simbol i flijimit, i sakrificës, i asaj çfarë Vushtrria ka dhënë për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Familjet Zymberi dhe Bunjaku janë krenaria e Vushtrrisë dhe e Kosovës dhe e shqiptarisë!
Ushtrinë e Kosovës qeveria jonë, qeveria juaj, e kemi forcuar me armatim e me buxhet, Bajraktarë nga Turqia, Javelinë nga Amerika dhe së shpejti edhe helikopterë Black Hawk, apo Skiftera të Zi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E në Vushtrrinë tuaj të dashur, e në Vushtrrinë tonë të dashur e të mirë, Policia e ka akademinë, e Ushtria e ka rininë. Ne e kemi hapur derën e Ushtrisë sonë, për çdo të re e të ri, deri në moshën 25 vjeçare, dhe e kemi hequr tavanin prej 5000 pjesëtarësh. Kosova po e ndërton një Ushtri kompetente, me integritet dhe të avancuar, të aftë për ta mbrojtur vendin tonë. Ushtarët e Kosovës, oficerët e nën oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë krenaria jonë e përbashkët!
Baba po me dalë në zgjedhje, por jo veç baba, edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nënat, edhe dajtë, edhe hallat, edhe tezet, edhe kushërinjtë e të gjitha anëve, me dal me 9 shkurt e me votu Vetëvendosjen!, dhe numrin 118 që është e vetmja zgjidhje e zgjedhje e vërtetë.
Në veri të vendit, ato partitë e vjetra të ish-qeverive, dërgonin banda kriminale e kontrabandistë, e bënin pazare të ulëta në kurriz të Kosovës, ndërkaq ne dërgojmë zhvillim, investim dhe siguri. Me qeverinë tonë, Kosova si Republikë e ka mbrojtur dhe e ka integruar çdo pëllëmbë të territorit të vet. Sot kushdo mund të shkojë, kurdo përtej Ibrit, e të pijë kafe atje, kushdo mund të shkojë atje, kurdo, e të fillojë të investojë, pavarësisht etnisë, sepse kryefjala e punës tonë është paqja dhe bashkëpunimi. Ne nuk e pranojmë as shantazhin, as kërcënimin. Nuk ka më letërnjoftime ilegale e patentëshofera të Serbisë, nuk ka më zyra ilegale, të ashtuquajtura struktura paralele, por ka kudo institucione dhe mekanizma të shtetit tonë të Republikës së Kosovës, ka demokraci, ka zhvillim, ka punësim, ka hapje të bizneseve të reja.
E të dashur vushtrrias, këto janë të mundura, për shkak se Ballkani e ka në Republikën e Kosovës shembullin e mirëqeverisjes dhe të demokracisë kampion. Duke qenë kampion në demokraci, ne arrijmë të integrojmë, të zhvillojmë, ta bëjmë shtetin me sovranitet dhe territorin me integritet. E pra, gjaku i Enver Zymberit dhe gjaku i Afrim Bunjakut nuk kanë shkuar kotë! Gjaku i tyre, mundi e sakrifica e tyre është shpaguar sepse Republika juaj ka fituar! Unë nuk lëshoj pe 3 vjet e 364 ditë, e vetëm një ditë, vetëm me 9 shkurt ju mos lëshoni pe! Mos lëshoni pe, votojeni numrin 118, të koalicionit tonë fitues, Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa!
Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi madhështorë, në Vushtrri për këto 4 vjet, i kemi mbështetur direkt mbi 2700 nëna lehona, më shumë se 16,500 fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, dhe gati 600 të rinj mes moshës 18 dhe 29 vjeçare. Nënat lehona dhe fëmijët i kemi mbështetur me shtesa, kurse të rinjtë punësim përmes Super-punës. Mbi 200 familje nga Vushtrria i kanë izoluar shtëpitë e tyre me mbështetjen tonë, dhe tash e kanë ngrohtë gjatë dimrit, e freskët gjatë verës. Ndërkaq bujqit dhe fermerët e zotë e punëtorë të Vushtrrisë, i kemi mbështetur me afër 20 milionë euro subvencione dhe grante.
Qeveria jonë, koalicioni ynë, ka treguar se është forca e vetme politike në Republikën e Kosovës e cila qeverisë, me ndershmëri e përgjegjësi, me transparencë dhe përkushtim ndaj vendit, qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm, interesit publik. E kemi luftuar korrupsionin, e kemi forcuar sundimin e ligjit duke goditur grupet kriminale në veri e në jug, në lindje, e në perëndim, Cep më Cep, dhe duke siguruar që askush nuk do të jetë asnjëherë, askund, më i fortë sesa ligji i drejtë i Republikës së pavarur e demokratike të Kosovës.
E prandaj pra, Kosova jonë, është në top vendet me indeksin ma të lartë të ligjit dhe të rendit, është e para në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë, me pikë të barabarta me Estoninë, Finlandën, Luksemburgun dhe Zvicrën, dhe e pesta në botë.
Fitorja e Vetëvendosjes, prandaj të dashur qytetarë, është qelës, është dëshmi, është garanci për të vazhduar përparimin dhe sigurinë, me përgjegjësi dhe transparencë të çdo procesi, të çdo strukture e të secilit zyrtarë të shtetit.
Stadiumi i qytetit Ferki Aliu do të duket sikur të ishte i ri. I kemi ndarë 5 milion euro, punimet nisin sivjet përfundojnë gjatë mandatit tonë të ri. Vushtrrinë e Milot Rashicës do ta bëjmë me një ndër stadiumet më moderne në Kosovë dhe përtej.
Vushtrrinë, rajonin e Shalës, do ta mbështesim me agroturizëm, Vetëvendosja do ta mbështet me agroturizëm, e do të ju mundësojmë parkun energjetik në Qyqavicë, dhe do ta përkrahim industrinë prodhuese ushqimore, e të mobilieve në kuadër të programit të madh shtetëror të 1 miliardë eurove për industrinë prodhuese të vendit tonë.
Kemi investuar shumë edhe në shëndetësi, buxheti është 50% më i madh sesa në vitin e parë parapandemik në 2019. Shumë prej klinikave qendrore në Prishtinë, ku trajtohen pacientë nga mbarë Kosova, janë transformuar plotësisht e rrënjësisht. Në mandatin e ri në fokus do t’i kemi spitalet e qyteteve, pra pas vizionit tonë, klinikë pas klinike, në këtë mandat që po e përmbyllim dalë nga dalë, por sigurt në mandatin e ri të cilit po i afrohemi me shpejtësi, e sigurtë do ta kemi vizionin tonë, spital pas spitali. Kështu, në Mitrovicë do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Ferizaj do ta ndërtojmë spitalin e ri, në Gjilan do ta transformojmë rrënjësisht atë, të gjitha spitalet do t’i modernizojmë, shërbimet do t’i decentralizojmë, dhe spitalin e Vushtrrisë do ta zgjerojmë me kapacitete infrastrukturore dhe pajisje të reja moderne, teknologjike, sepse duam ta bëjmë qendër të specializuar për ndërhyrjet minimale invazive.
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, me qeverinë tonë, e gjithë Kosova u mbulua nga rrjeti 5G. Ndërkaq në qeveritë e kaluara duhej me u ndalë në kafe për të kërkuar passwordin e WI-FI, e opozita, opozita ende sillet duke e kërkuar passwordin e WI-FI. Mirë do të ishte dikush prej jush që ka ndodnjë kontakt me ta, t’u tregojë se nuk ka nevojë më, sepse rrjeti është 5G, mos kërkoni më password të WI-FI nëpër kafet e çajtoret e Vushtrrisë. Me qeverinë tonë, në shkollat e mesme ka filluar që të studiohet e të mësohet kodimi, nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Aty do të krijohen programerët e rinj, hakerët e rinj, gamerët e rinj, shpikësit e rinj që do të kontribuojnë jo vetëm për Kosovën, por edhe për njerëzimin.
E në shkollat tona nuk e kemi futur vetëm kodimin, por edhe edukimin për sigurinë. Kjo lëndë i aftëson fëmijët tanë për konceptet dhe praktikat e mbrojtjes së vendit. Shkolla, me qeverisjen tonë, është vend i aftësimit të të rinjëve, është vend i ardhmërisë tonë edhe të sigurtë edhe të ndritur.
Të nderuar të pranishëm, Vushtrria ka qenë gjithmonë nëballë të mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje!. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 kjo komunë na i dha mbi 60% të votave që ne i fituam, apo 61.5% qysh kanë qef me thonë Syla, Besimi, dhe aktivistët dhe deputetët tanë nga Vushtrria. E tash, në vitin 2025 ne synojmë gjysmë milioni vota, gjysmë milioni zemrat bëhen bashkë të votojnë bashkë, të fitojnë bashkë, të festojnë bashkë e të rrahin por si një. Por, para 4 vjetëve i kemi pasë 438 mijë vota, e tash prej 438 mijë vota i duam 500 mijë vota, sepse na duhen 500 mijë vota. Kjo i bjen gati 15% më shumë sesa para 4 vjetëve, prandaj në zgjedhjet e 9 shkurtit le të synojmë, le të punojmë, le të festojmë për 25 mijë vota këtu në Vushtrri. koalicioni ynë Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa! Pra këtu në Vushtrri, këtu tek ju në Vushtrrinë tonë të dashur, na duhen 25 mijë vota për të ju bashkuar vargut të 500 mijë zemrave që rrahin bashkë, e punojnë bashkë. Ne të Vetëvendosjes, ne të qeverisë, ne pulsin e zemrës e kemi 118! Është pak puls i lartë, por nuk ka ndryshe kur punon shumë dhe ec shpejtë. 118 është pulsi jonë, ashtu qysh është numri i fitores me 9 shkurt.
E të dashur qytetarë të Vushtrrisë, duke na parë qytetarët sa shpejtë ecim e sa shpejtë punojmë, në një qytet, njëri prej pjesëmarrësve në tubim më ndali edhe me një seriozitet përplot dashuri, por jo edhe pa brengë, më tha Albin, a je lodhë? Unë i thashë, bac niher unë jam tu i lodhë opozitën! Edhe të dashur qytetarë, jo veq që jemi tu i lodhë, por edhe jemi tu i sosë, e jemi tu i skropit, e jemi tu i rraskapitë, e jemi tu i dërmu, e jemi tu i thërrmu, se kemi ndërmend t’i shpartallojmë me 9 shkurt, atëherë kur bashkë votojmë, fitojmë e festojmë!
Ju faleminderit përzemërsisht për përkrahjen e pa rezervë, për mbështetjen e pa kursyer, për solidaritetin në çdo stuhi e në çdo krizë për qeverinë tuaj, e për Lëvizjen tonë.
Zoti ju ruajtë, e ju bekoftë, rrnofshi e u gëzofshi, natën e mirë e mirëupafshim!