25 01 2025
Triera Kasumi Berisha
Triera Kasumi Berisha është lindur më 19 korrik 1990 në Prishtinë. Me një formim akademik në
shkencat ekonomike, të përqendruar në menaxhment dhe administrim biznesi, të përfunduar në
Prishtinë dhe Londër, ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme profesionale prej 16 vitesh në
fushën e biznesit, të cilën e nisi si ndërmarrëse që në moshën 18-vjeçare.
Triera ka punuar në sektorin bankar dhe ka ofruar shërbime konsulence për zhvillimin,
dokumentimin dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë. Si pronare dhe drejtuese
biznesi, Triera ka themeluar dhe menaxhuar brende inovative në fushat e marketingut, artit dhe
teknologjisë, duke operuar në tregjet lokale dhe ndërkombëtare, si Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.
Në politikë, ajo iu bashkua Partisë Guxo, duke kandiduar si këshilltare komunale dhe u rendit ndër
gratë më të votuara në Prishtinë. Si një nga themelueset e Partisë Guxo, ajo mban pozitën e
Sekretares dhe është anëtare e Kryesisë në nivel qendror. Në Qeverinë “Kurti 2”, Triera ushtron
detyrën e shefes së kabinetit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Përveç karrierës së saj profesionale dhe politike, ajo është një sportiste. Si zhytëse profesionale
shpëtimtare, ka marrë pjesë në misione kërkimore nënujore dhe ka përfaqësuar Kosovën në garat
ndërkombëtare të skijimit.
Në kandidaturën e saj për deputete, Triera Kasumi Berisha synon të promovojë fuqizimin e grave, të
kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe të avancojë sportin si një faktor kyç për përfshirjen dhe
zhvillimin shoqëror.