25 01 2025

Hysen Durmishi

Shkrime

Emri i plotë

Hysen Durmishi

Hysen Durmishi ka lindur më 3 prill 1972 në Therandë. Në vitin 1989, si nxënës i shkollës së mesme,
u angazhua në organizimin e demonstratave kundër ndryshimeve kushtetuese të marsit të atij viti,
duke u përjashtuar nga shkolla për rolin e tij si një nga organizatorët kryesorë dhe duke iu ndaluar
shkollimi në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Pas amnistisë për të burgosurit politikë në vitin 1990,
ndalesa iu hoq dhe Hyseni u kthye sërish në shkollë, ku vijoi aktivizmin si anëtar i Këshillit të
Përgjithshëm të Unionit të Pavarur të Nxënësve të Kosovës gjatë viteve 1990-1992.
Nga viti 1993 deri në 1998, Hyseni kreu studimet universitare në Fakultetin e Ndërtimtarisë në
Universitetin e Prishtinës. Gjatë kësaj periudhe, ai u bë kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të
Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, duke luajtur një rol aktiv në protestat studentore të
organizuara për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Në vitin 1998, Hyseni iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtar i Brigadës 123. Ishte i
burgosur politik duke mbajtur dy vite burg në burgjet e Serbisë. Pas lirimit, ai u bë pjesë e Rrjetit të
Aksionit për Kosovën (KAN) dhe ishte një nga themeluesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku shërbeu në
pozita të ndryshme drejtuese deri në fund të vitit 2013.
Në vitin 2013, Hyseni u emërua Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, dhe më vonë
Drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave. Aktualisht është zëvendësministër në
MMPHI.
Ai ka përvojë të gjatë në fushën e infrastrukturës.
Është i martuar dhe ka katër fëmijë.