25 01 2025
Jetmire Vrenezi
Jetmire Vrenezi është lindur më 14 shtator 1987 në fshatin Marali të Malishevës.
Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të
Prishtinës, ndërsa aktualisht është në përfundim të studimeve pasuniversitare në Fakultetin e
Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës.
Karriera e saj profesionale është e pasur dhe e larmishme. Jetmire Vrenezi ka punuar si inxhiniere
ndërtimi në disa kompani private të ndërtimit në Malishevë dhe Prishtinë. Gjithashtu, ajo ka dhënë
një kontribut të rëndësishëm në sektorin publik, duke punuar në Drejtorinë e Urbanizmit në
Komunën e Prishtinës dhe në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.
Përveç angazhimit profesional, Jetmira ka një histori të gjatë angazhimi politik. Si aktiviste e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! në Qendrën e Malishevës që nga viti 2012, ajo ka qenë pjesë e rëndësishme e
strukturave të lëvizjes. Në Kuvendin Komunal të Malishevës, ku ka shërbyer si asambleiste, Jetmira
ka qenë e njohur për aktivizmin e saj, duke adresuar probleme dhe shqetësime të shumta të
qytetarëve.
Gjatë mandatit të saj në Kuvendin e Kosovës, ajo ka shërbyer si anëtare në disa komisione të
rëndësishme, duke përfshirë Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim,
Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi
Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.
Si një nga drejtueset e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë, Jetmire Vrenezi mbetet e
angazhuar aktivisht në të gjitha aktivitetet politike të strukturës, duke kontribuar në mënyrë të
pandërprerë në avancimin e agjendës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në mbështetje të komunitetit.