25 01 2025
Sanije Rexha
Sanije Rexha u lind më 27 mars 1969, në fshatin Llaushë, Skenderaj. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi
Shqipe i kreu në Prizren, ndërkohë që përfundoi edhe studimet Bachelor në Punë Sociale në kuadër
të Fakultetit të Helsinkit. Ajo ka ndjekur trajnime dhe çertifikime ndërkombëtare në fushën e
mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Që në moshë të re, Sanije Rexha u angazhua në çështjet kombëtare, duke qenë aktive pas
demonstratave të vitit 1981. Së bashku me bashkëshortin e saj, Heroin e Kombit, Abedin Rexha –
Sandokani, ajo u bë pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, duke marrë pjesë në
demonstrata kundër pushtimit serb. Në vitin 1993, iu bashkua stërvitjeve për Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës në Shqipëri. Pas stërvitjeve, ajo dhe Abedini u martuan dhe për shkak të përndjekjes serbe,
emigruan në Gjermani.
Në vitin 1997, pas thirrjes për mobilizim, çifti Rexha u kthyen në Kosovë për t’iu bashkuar luftës
çlirimtare. Pas përfundimit të luftës, Sanije Rexha filloi punën si punëtore sociale në Komunën e
Klinës dhe kontribuoi në krijimin e Administratës Komunale. Në vitin 2008, ajo u transferua në
Prishtinë, ku vazhdoi angazhimin në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke shërbyer në
pozita udhëheqëse në departamente që mbështesin kategoritë e luftës. Aktualisht, ajo mban
pozitën e Udhëheqëses për Administrimin e Skemave për Kategoritë e Luftës.