25 01 2025

Hydajet Hyseni Kaloshi

Shkrime

Emri i plotë

Hydajet Hyseni Kaloshi

Hydajet Hyseni është lindur më 10 mars 1954 në Përlepnicë të Gjilanit. Ka studiuar Gazetari dhe
Diplomaci në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si gazetar i gazetës “Rilindja”.

Në rininë e tij, ishte aktiv në Lëvizjen e fshehtë çlirimtare dhe shtypin ilegal, duke kontribuar si në
Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Për aktivitetin e tij politik, kaloi dhjetë vite si i burgosur politik. Pas
lirimit, vazhdoi si veprimtar politik i Alternativës së kohës, duke mbajtur një mandat si nënkryetar i
LDK-së, ndërkohë që mbeti i lidhur me LPK-në dhe organizata të tjera të ngjashme. Gjithashtu, ishte
anëtar dhe nënkryetar i KMDLNJ-së dhe shërbeu si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i gazetës
“Bujku”.
Pas ndarjes në LDK, ishte një nga themeluesit e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe pjesëmarrës
në delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Shërbeu si anëtar i Qeverisë së
Përkohshme dhe bashkëdrejtues në “Departamentin për Çështjet Jorezidente” në Strukturat e
Përbashkëta Administrative. Si deputet shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës, ka qenë anëtar i
Kryesisë dhe përfaqësues i Kuvendit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Nga viti 1995, ka shërbyer si kryetar i Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë dhe ka qenë anëtar i
Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ishte nismëtar i Këshillit të Paqes në Kosovë,
bashkëkoordinues i Këshillit Shqiptar për Paqe dhe anëtar i Këshillit Global të Federatës për Paqe
Universale.
Dy herë kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, është autor dhe bashkautor i
disa veprave letrare dhe publicistike. Po ashtu, ka kontribuar me skenare, ilustrime dhe karikatura
në shtypin zyrtar dhe të ndaluar.