25 01 2025
Driton Hyseni
Driton Hyseni është lindur më 29 shtator 1977 në Podujevë (Besianë). Studimet universitare i ka
përfunduar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, dega Kompjuterikë, në Prishtinë,
ndërsa ato pasuniversitare në programin MBA/Biznes Ndërkombëtar në Universitetin Donau në
Krems, Austri. Gjithashtu, është i certifikuar në fushën e Aviacionit Civil nga Organizata
Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror (IATA) me seli në Montreal, Kanada.
Në maj të vitit 1998, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku fillimisht shërbeu në brigadat
luftarake të Zonës së Llapit dhe më pas në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së,
Adem Demaçi. Në prill të vitit 1999, u rikthye në vijat luftarake në Zonën e Llapit, ndërsa pas
përfundimit të luftës shërbeu deri në qershor 2000 si Oficer i Sektorit Operativ në kuadër të Trupave
Mbrojtëse të Kosovës.
Karrierën civile e filloi në maj të vitit 2002, në Zyrën Rregullative të Aviacionit Civil, ku punoi deri në
janar 2005. Më pas, u emërua Menaxher për Koordinimin e Fluturimeve në Aeroportin
Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Nga viti 2011, angazhimi i tij u zgjerua edhe në
Marketingun e Aviacionit Civil, ku vazhdon të kontribuojë deri më sot.
Në maj të vitit 2018, Driton Hyseni zyrtarizoi anëtarësimin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke
përqendruar angazhimin politik në fusha të tilla si aviacioni civil, ekonomia dhe telekomunikacioni.
Gjatë mandatit të tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (2021-2025), ai ka udhëhequr
Delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku luajti një rol kyç në
avancimin e statusit të delegacionit nga vëzhgues në anëtar të asociuar, proces që u përmbyll me
sukses në maj të vitit 2024.
Përveç kësaj, ai ka qenë anëtar aktiv i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, si
dhe i Komisionit për Integrim Evropian. Në kuadër të Kuvendit, ai ka kontribuar gjithashtu në
Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim me BE-në dhe komisione të tjera të veçanta.