25 01 2025

Daulina Osmani

Shkrime

Emri i plotë

Daulina Osmani

Daulina Osmani është lindur më 9 shkurt 1993 në Prishtinë. Studimet bachelor i ka përfunduar në
Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës dhe studimet master në
Universitetin e Seulit në Kore të Jugut, në programin “Menaxhim Sportiv”.
Me një karrierë të suksesshme si notare, Daulina ka qenë kampione e shumëfishtë dhe mbajtëse e
23 rekordeve të Kosovës në not. Gjatë një dekade si pjesë e ekipit përfaqësues të Kosovës, ajo
zhvilloi performanca të larta në gara kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kulmuan me stërvitje
profesionale në Kroaci pranë trajnerëve të njohur të notit kroat. Pas përfundimit të karrierës si
sportiste aktive, ajo u angazhua si trajnere noti, duke u fokusuar në identifikimin dhe zhvillimin e
sportistëve të rinj.
Krahas kontributit sportiv, Daulina ka qenë një zë i rëndësishëm në qeverisjen dhe organizimin e
institucioneve sportive në Kosovë. Përmes përfaqësimit aktiv të studentëve, sportistëve dhe
trajnerëve, ajo ka kontribuar në forcimin e komunitetit sportiv dhe zhvillimin e politikave për
qeverisje të mirë sportive.
Në prill të vitit 2021, Daulina Osmani u emërua zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë
dhe Sportit në Qeverinë Kurti 2, ku mori përgjegjësi kryesore për fushën e sportit. Gjatë mandatit të
saj, ajo drejtoi reforma të rëndësishme ligjore në sport, siguroi rritje të buxhetit për sportistët dhe
zhvilloi programe shtetërore për mbështetjen e sportit elitar dhe rinor. Një ndër arritjet kryesore të
saj ishte udhëheqja e procesit për aplikimin dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030,
një projekt madhor për sportin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Si kandidate për deputete nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Daulina synon të ndërtojë politika që
fuqizojnë të rinjtë, sportistët dhe gratë, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim shoqëror dhe
ekonomik në vend.