Skenderaj në zemër të Republikës – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Skenderajt
Të dashur qytetarë të Skenderajt, mirë se ju gjej dhe ju falënderoj nga zemra për këtë mikpritje
kaq të zjarrtë. Mirë se ju gjej këtu në Skenderaj, në Drenicën e Shaban, Hamez, e Adem Jasharit.
Mirë se ju gjej në Drenicën e Azem e Shote Galicës, të Shaban Polluzhës e Tahir Mehës, të
Ahmet Delisë e të Mehmet Gralicës, të Fehmi e Xheve Lladrovcit, e dëshmorëve Osman Gecit,
Abedin Rexhës, Ilaz Kodrës, Malush Ahmetit, Ilir Lushtakut, Lec Gradicës, Rifat Mziut dhe Ilir
Asllanit. Mirë se ju gjej në Drenicën e Idriz Rrecit, Halil Gecit, Hajr Gashit, Nezir Nebihut e
Sejdi Kocës. E po ashtu, mirë se ju gjej në Drenicën e daljes në skenë për herë të parë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, në Drenicën e Mujë Krasniqit e të Rexhep Selimit.
Në Drenicën, ku u dha kumti i pushkës e s’ju ndal asnjëherë zani i këngës së Ilir Shaqirit,
Leonora Jakupit e Shaqir Çervadikut. Jemi këtu ku edhe thërret e bërtet pafajësia e Leutrim
Ahmetit, djalit 7-vjeçar nga Rezalla, që na e këput shpirtin e na e rikujton e ripërjeton dhimbjet e
luftës. E këtu, ku lindën artistë të mëdhenj si Petrit Halili, që na e dëshmon forcën e madhe të
popullit tonë, që prej hirit të zjarrit e trupit të rënduar ngjitet në majë të botës.
Gjatë qeverisjes tonë 4-vjeçare, ne jemi dëshmuar me rritje ekonomike si asnjëherë më parë, si
askush tjetër për Kosovën tonë, cep më cep. E kemi rritur ekonominë, shtuar punësimin, ngritur
mirëqenien, rritur prodhimin dhe po ashtu rishpërndarjen e të mirave për të gjitha kategoritë
shoqërore. Gjithashtu, kemi ngritur buxhetet për të gjitha komunat pa dallim. Kësisoj, buxhetin
për komuna e kemi ngritur nga 547 milionë euro në 788 milionë euro sivjet. Pra, 44% e kemi
rritur buxhetin për komunat e Kosovës. Dhe a e dini çfarë? Buxheti për vitin 2025 për komunën e
Skenderajt nga të hyrat vetanake është vetëm 1.7 milionë euro, ndërsa gjithsej është 19.9 milionë
euro, që do të thotë, 18.2 milionë euro është grant qeveritar. Komuna e Skenderajt nga të hyrat
vetanake i ka vetëm 8.5% të dashur qytetarë, shumicën dërrmuese, 91.5% të buxhetit e ka grant
nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Komuna e Skenderajt, me të hyrat vetanake, prej 11
eurove, as 1 euro nuk e ka të vetën. Prej 11 eurove, më shumë se 10 euro ia sjell Qeveria e
Republikës së Kosovës.
Në këtë mandat që po e përmbyllim në këtë pranverë, shpëtuam Shtëpinë e Kulturës në Runik
dhe po investojmë në bashkëfinancim vlerën e 850 mijë eurove në këtë shtëpi për të mbrojtur
trashëgiminë e qytetit tuaj e tonë. Më shumë se 120 mijë euro janë investuar në shkollat “Anton
Çetta,” “Hamëz Jashari,” “Shaban Jashari,” “Dëshmorët e Qyqavicës,” “Abedin Rexha,” “Shotë
Galica,” “Ahmet Delia,” që të kenë edhe ato po ashtu internet të shpejtë dhe të lidhen në rrjetin
kosovar për edukim dhe hulumtim, ashtu që fëmijët në Skenderaj të kenë arsimim cilësor dhe
nesër të bëhen profesionistë të zotë të Skenderajt dhe të Kosovës, cep më cep.
Kemi investuar rreth gjysmë milioni euro në ndërtimin e urave të dëmtuara: në Aqarevë,
Llaushë, Kuqicë, Tërnac, Tushillë, Kodernicë dhe Skenderaj. E familjeve të cilat pësuan nga
vërshimet, u kujdesëm që paratë t’iu dalin direkt atyre në llogari: më sigurtë, më shumë, më mirë
e më rahat, direkt e në xhirollogaritë e qytetarëve. Dhe a e dini çfarë, të dashur qytetarë?
Komuna këtu ka kërkuar që mjetet nga Qeveria t’i barten Komunës, e mandej Komuna
qytetarëve. Mirëpo, ne kemi thënë jo. Mbështetja financiare iu shkon direkt qytetarëve në
xhirollogarinë e tyre. Nuk ka pse të ndërmjetësojë Komuna, por duhet të përfitojë direkt qytetari.
E ne së shpejti do të kompensojmë dëmet edhe tek biznesi e te bujqësia. Si qeveri jemi për barazi
dhe po sigurohemi që edhe vlerësimi i dëmeve të jetë i drejtë. Asnjë qytetar që ka pësuar dëme,
nuk do të mbetet i papërkrahur.
Mbi 15 milionë euro mbështetje me subvencione dhe grante, për më shumë se 6300 bujq dhe
fermerë të Skenderajt. Rreth 1800 nëna lehona dhe mbi 12 mijë fëmijë kanë përfituar shtesa për
herë të parë, dhe gati 350 të rinj janë punësuar përmes platformës Superpuna, që ua jep të rinjve
pagën minimale të rritur në 350 euro për 6 muaj në ndërmarrje të ndryshme private, ku ata
punësohen dhe fitojnë për vete dhe familjet e tyre. Mbi 6100 pensionistë të komunës së
Skenderajt, nga tetori i vitit të kaluar, kanë marrë pensionin në rritje prej 20%. Edhe për 4 vite, 5
herë e kanë përfituar pensionin e 13-të prej 100 euro. Me mandatin e ri të Qeverisë sonë të mirë,
pas 9 shkurtit, gjyshërve dhe gjysheve, vjehërrve dhe vjehrrave, që kujdesen për mbesat e nipat e
moshës prej 1-3 vjeç kur prindërit punojnë, kemi vendosur t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë në
muaj mbi pensionet e tyre që i marrin.
Kemi bërë mbështetje në efiçiencë të energjisë për t’i izoluar shtëpitë e qytetarëve anë e mbanë
Kosovës, përfshirë këtu Skenderajn, ku i kemi përkrahur 55 familje me mesatarisht 3700 euro
secilën. Gjithashtu, i kemi izoluar 3 ndërtesa shumë-banesore sociale, ku banojnë 200 familje të
cilat tash dimrin e kanë më të ngrohtë dhe verën më të freskët. Kurse me gjysmë milion euro e
kemi rinovuar gjimnazin “Hamëz Jashari” dhe Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina.” Mandatin e
ri, do të investojmë edhe 150 milionë euro në efiçiencë të energjisë, duke mbështetur kështu
familjet që kanë nevojë për përkrahje për t’i izoluar shtëpitë e tyre, që të kursehet energjia dhe
për të siguruar kushte më të mira për nxënësit, pacientët, sportistët e zyrtarët, në ndërtesa publike
si shkolla, spitale e salla sportive.
Të dashur qytetarë, të nderuar pjesëmarrës, mandatin e ri do t’i ndërtojmë 5 rezervuarë të ujit.
Një prej tyre do të jetë Diga e Kuqicës. Ka 50 vjet që përmendet kjo Digë e Kuqicës. Me 500
mijë zemra që do të bëhen bashkë më 9 shkurt, Diga e Kuqicës do të bëhet, sepse i duhet
Skenderajt dhe Drenasit, sepse ne e duam atë, sepse ju e doni atë, edhe për Skenderajin, edhe për
Drenasin.
Në shëndetësi, do të decentralizojmë në tërësi shërbimet shëndetësore. Do të investojmë në çdo
spital rajonal, në pajisje dhe shërbime të reja dhe në infrastrukturë. Do të ndërtojmë spitalin e ri
në Mitrovicë dhe një poliklinikë të re specialistike në Drenas, dhe nga këto dy projekte do të
përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Skenderajt.
Në arsim po investojmë në dy çerdhe që janë në proces të ndërtimit. Një në Runik për 60 fëmijë,
që do të jetë e gatshme vitin tjetër, dhe një në Skenderaj për 120 fëmijë, për të cilën do të
nënshkruhet kontrata këtë muaj.
Të dashur qytetarë të Skenderajt, të dashur drenicakë, e kemi lartësuar dhe memorializuar daljen
e parë publike të UÇK-së me memorialin në Llaushë. Fëmijët tanë, gjeneratat që do të vijnë, do
të shkojnë e duhet të shkojnë sa më shpesh aty për të mësuar për guximin dhe qëndresën e
popullit tonë, për dashurinë e pashterrshme dhe të pakushtëzuar për liri, për sakrificën për atdhe.
Do të lartësojmë heroizmin e papërsëritshëm, unik, të familjes Jashari, me kompleksin memorial
Adem Jashari në Prekaz. Me gjithë përfitimet që i gëzuan në emër të luftës dhe UÇK-së, opozita
e tashme nuk arriti ta çojë përpara projektin më të rëndësishëm kombëtar për familjen Jashari.
Qeveria jonë, 25 vjet pas epopesë së UÇK-së, miratoi projektin për kompleksin memorial Adem
Jashari në Prekaz. Kemi angazhuar kompani dhe ekspertë me renome botërore nga Gjermania,
Britania dhe Italia për masterplanin, që përfshin një hapësirë prej 450 hektarësh. Gjatë mandatit
tonë të ri, do të sigurohemi që të nisë konservimi i kullave të rezistencës, paralelisht me
investimet e tjera për muzealizimin e tërë kompleksit memorial.
Të dashur anëtarë, të dashur aktivistë, të dashur qytetarë, ne e nderojmë UÇK-në duke ia shtuar
shtetit sovranitetin cep më cep. Edhe në Mitrovicë, edhe në veri të Kosovës, në Leposaviq,
Zveçan, e Zubin Potok, ajo është pjesë e patjetërsueshme e Republikës sonë dhe nuk është
dhuratë e Rankoviqit, siç e quanin disa dikur.
E lartësojmë luftën dhe sakrificën e secilit ushtar e dëshmor, veteran e invalid, duke e forcuar
ushtrinë dhe duke e vënë në krye të saj komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Bashkim
Jasharin. Nuk mund të ketë emër më të mirë për komandant të ushtrisë sesa Bashkim Jashari.
Edhe Bashkim, edhe Jashar!
Ne e përmbushim amanetin e të rënëve duke zhvilluar shtetin, duke rritur mirëqenien dhe duke
shporrur mbetjet e fundit, duke i këputur rrënjët e mbrama të Serbisë në Kosovë. Në këto 4 vite,
rreth 320 milionë euro i kemi investuar në armatim dhe municion për ushtrinë tonë. Çizmet në
tokë i kemi dyfishuar, sytë në ajër i kemi shtuar me dronët luftarakë Bajraktar. Për tanket e
armiqve po blejmë sistemin amerikan antitank Javelin. Përpos shqiponjave autoktone, në qiellin
e Republikës do të fluturojnë edhe skifterët e zi amerikanë, helikopterët Black Hawk. Këta
helikopterë do të jenë me pilotët e FSK-së dhe flamurin e Republikës sonë, që neve na e shton
sigurinë, e armikut ia shton frikën.
Ushtari ynë nuk do t’ia shohë kurrë fundin sandukut të plumbave, sepse në mandatin tjetër do të
investojmë 1 miliard euro për ushtrinë tonë. Do të ndërtojmë fabrikën e municioneve dhe dronët
tanë luftarakë “Made in Kosova.”
Të dashur qytetarë, nuk ka të krahut të luftës e të krahut të paqes, por të krahut materialist të
luftës dhe të krahut idealist të luftës. Ata të krahut materialist të luftës kanë rënë në opozitë dhe
janë ndarë e përçarë. Ata të krahut idealist të luftës janë në lëvizje, si gjithmonë, në lëvizjen tonë
e tuajën, ku janë bashkuar, sepse idealja bashkon, materialja ndan, sepse Vetëvendosja bashkon,
sepse këtu njerëzit vendosin vetë, dhe do të vendosin vetë edhe më 9 shkurt për numrin 1-1-8,
500 mijë vota anë e mbanë Republikës sonë, cep më cep të shtetit të pavarur të Kosovës.
Bizneseve vendore, para qeverisjes sonë, iu kërkohej edhe ryshfet, edhe haraç, aq shumë e aq
shpesh. Njëherë para se të fillonin punën – ryshfeti, dhe pas fitimit nga biznesi e nga ai fitim –
haraçi. Bizneset në Kosovë punonin për politikën, prandaj politikanët ishin bërë biznesmenë të
suksesshëm. Kjo mori fund me qeverinë tone!
Me qeverinë tonë, numri i bizneseve të reja është rritur gati me 20%, dhe nuk mund të gjeni asnjë
biznes të vetëm që thotë se Qeveria Kurti i ka kërkuar ndonjëherë, dikujt, haraç ose ryshfet.
Kurrë, asnjëherë, askush!
Opozita dëshiron të kthehet, për të vazhduar aty ku kanë mbetur, prandaj edhe ata do të mbesin
në opozitë. Ne e përparojmë vendin dhe e drejtojmë shtetin, dhe shteti nuk është dirigjues politik,
por rregullator i drejtë, me biznese që rriten, që shtojnë punësimin dhe që kanë konkurrencë të
lirë – pa haraç, pa ryshfet.
Të dashur qytetarë të Skenderajt, shumëkush ka menduar se institucione ilegale e struktura
paralele ka vetëm në veri të lumit Ibër. Tashmë nuk ka as në veri, as në jug. Në Kosovën e
pavarur kanë operuar 28 komuna paralele dhe 5 qarqe të tyre. A e dini që në Kosovë, 16 vjet pas
pavarësisë, ka pasur komunë paralele në Skenderaj? Ne atë e kemi mbyllur në tetor të vitit të
kaluar, sepse me Qeverinë tonë përfundon epoka e komunave dhe institucioneve ilegale të
Serbisë në Republikën e Kosovës. Me qeverisjen tonë është rritur roli i shtetit brenda vendit dhe
respekti për të jashtë vendit, në botë.
Të dashur qytetarë të Skenderajt, është e rëndësishme që sa më shumë qytetarë të votojnë, aq më
shumë fitojmë ne. Prandaj, punoni që dalja të jetë masive e fitorja të jetë historike më 9 shkurt.
E tash, kundërshtarët tanë këtë s’po e kuptojnë, sepse ata nuk mendojnë me emancipim, por me
frikë. Ata janë të frikësuarit që dëshirojnë të frikësojnë edhe të tjerët. Ne kemi synimin e
emancipimit, ata e kanë frikën e pushtetit. Ne jemi për shtetin e emancipuar, e ata për pushtetin e
frikës. E kush është për pushtetin e frikës, nuk e ndan më nëse e do pushtetin për të futur frikë
apo ka frikë nga shteti i vet. Le t’i lëmë në pasigurinë e tyre të mbrapshtë, kudo që ndodhen, e të
vazhdojmë në rrugën tonë të drejtë, të sigurt, me fitoren e 500 mijë zemrave, cep më cep, më 9
shkurt.
Edhe njëherë, sa më shumë qytetarë që votojnë, aq më shumë ne fitojmë. Andaj, ne i thërrasim të
gjithë qytetarët të dalin në votim. Ne ftojmë të rinjtë dhe gratë, burrat e pleqtë të vendit tone, të
vijnë masivisht në qendrat e votimit. Ne ftojmë punëtorët e bujqit të dalin në votim, cep më cep.
Ne ftojmë mërgatën tonë gjithandej botës të votojnë masivisht për atdheun e vet. Ne nuk kemi as
grupe interesi, as bastione, sepse ne duam atdhe dhe shtet, liri dhe barazi, demokraci dhe fitore.
Ata që luajnë rolin e opozitës i kanë frikë zgjedhjet masive. Ata duan pak popull dhe shumë
bastione, ne duam shumë popull pa bastione. Andaj, fitorja do të jetë e jona, e numrit 1-1-8, e
koalicionit VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa.
Të dashur qytetarë, ne nuk e mbajtëm tubimin brenda në Shtëpinë e Kulturës, sepse, siç e kemi
paralajmëruar këtë tubim, ata e paralajmëruan renovimin. Po të dija që fillojnë renovimin, ua
kisha paralajmëruar tubimin para 1 muaji. Por ju e dini shumë mirë që këta nuk janë të
renovimit. Prej 12 muajve sa i ka viti, mos të ishte Qeveria e Republikës së Kosovës, Komuna e
Skenderajt nuk do të kishte buxhet më shumë se për 1 muaj. Edhe renovimin e bëjmë ne. Këta
veç bëjnë paralajmërime, zhurmë e tym. Por punën, mbrojtjen, zhvillimin, përparimin, progresin,
republikën cep më cep, Skenderajin e çdo komunë, shtetin e pavarur, e bën Lëvizja
VETËVENDOSJE!
Ne këtu e kemi pasur ndërmend të qëndrojmë më shkurt, por kjo mikpritje kaq e përzemërt edhe
me petarda nuk kishte si të mos na detyronte që ta zgjasim tubimin. Pra, nga një tubim gjysmë
ore, po rrijmë 1 orë e gjysmë. Faleminderit shumë!
E atyre që iu kanë tepruar petardat nga Viti i Ri, e nëse ju kanë ngelur edhe ndonjë pa përdorur
sonte, atëherë iu tregoj: me datën 9 shkurt le ta festojmë bashkë fitoren e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! E numrit 1-1-8, këtu në Skenderaj e anë e mbanë Kosovës!
Qeveria jonë, kur i ndihmon qytetarët, nuk i pyet për librezat e partisë. Shtesat e fëmijëve janë
bërë për krejt fëmijët anë e mbanë Kosovës. Mbështetja financiare për nënat lehona po ashtu
është për të gjitha nënat, anë e mbanë. Dhe, për dallim prej atyre që shkuan e s’u kthyen më, këta
tenderat – ju e dini – i kanë ndarë veç me vëllezër e fëmijët e tyre, kurse te ne gjithçka bëhet në
mënyrë të rregullt, ligjore, kushtetuese, me llogaridhënie të zyrtarëve e me transparencë të plotë
të proceseve.
Ne i kemi blerë ambasada shtetit, kemi blerë Javelinë e dronë Bayraktar për ushtrinë. Kurse para
nesh ata, për dallim, blinin për vete nga 50 euro ari, pronë e shtetit, e ia shisnin më pas nga 5
mijë. Pra, këta e kanë përdorur shtetin për të pasuruar veten, e ne e përdorim veten tonë për ta
pasuruar vetëm shtetin!
E kështu, pra, të dashur qytetarë, kanë qenë këto 4 vite, e kështu do të jetë edhe për 4 vite të tjera
me Qeverinë tonë, sepse më 9 shkurt fiton VETËVENDOSJA!, fiton numri 1-1-8, fiton
Republika e Kosovës, fiton Skenderaj, fiton zhvillimi e mirëqenia. Për këtë, mos u ndalni as
ditën as natën, në çdo lagje të qytetit e çdo rrugë të fshatit, shtëpi më shtëpi, te familja e farefisi,
te miqtë e dashamirët, te kolegët që i keni. Dhe të dielën, më 9 shkurt, siç e kemi organizuar këtë
tubim, le të organizojmë tubime anë e mbanë Kosovës, për ta festuar fitoren e përbashkët pas
votimit masiv për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Partinë Guxo! Dhe Alternativa!
Faleminderit shumë për këtë mikpritje, ju dua fort! Mirupafshim e natën e mirë!
Rroftë Familja Jashari! Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës! Rroftë Skenderaj! Rroftë Lëvizja
VETËVENDOSJE! Rroftë Republika e Kosovës! Rroftë kombi shqiptar!
Zoti ju ruajtë, ju gëzoftë e ju bekoftë!