04 02 2025

Theranda e fitoreve të mëdha është 118 me 9 shkurt – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin në Therandë

Para se të vijmë në këtë tubim madhështor këtu në Therandë, ne ishim nëpër komunën e
Therandës. Pra, para se të vijmë këtu, ishim në Bllacë, në Peqan, në Gjinoc e Greikoc, dhe pas
këtij tubimi, do t’i kemi edhe dy vizita e takime të tjera në Therandë, sepse nuk po mund të
kthehemi në Prishtinë aq kollaj për shkak të kësaj mikpritjeje kaq të përzemërt për koalicionin
tonë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me Partinë Guxo dhe Partinë Alternativa.
Faleminderit shumë, mirënjohje e thellë për këtë mikpritje të paharrueshme, Therandë e dashur!
Mirë se po takohemi në qytetin e punëtorëve fisnikë e bujqve të ndershëm. Në këtë komunë të
kulturës e të patriotizmit, në Therandën e pendës, të bukës, të këngës, të pushkës. Në vendin e
shumë dëshmorëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare. Në Therandën e Ramë Bllacës, Fadil
Vatës, Besim Ndrecës, dhe 93 dëshmorëve të kombit tonë nga lufta e fundit në Kosovë.
Por Theranda gjithmonë ka pasur veprimtarë, patriotë e dëshmorë të kombit, në secilën fazë e
etapë të zhvillimit, ndërtimit e ngritjes sonë, që nga Mulla Nuredin Haliti pas Luftës së Dytë
Botërore, atëherë kur patëm riokupimin tonë nga Serbia e Jugosllavia, e deri te demonstratat e
fuqishme në çdo dekadë, e sidomos në marsin e vitit 1989, atëherë kur e vranë dëshmorin,
veprimtarin tonë Nysret Gashi, e deri te luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Kryetari i
Komunës së Therandës Ukë Bytyqi. Ndërmjet të gjithë atyre personaliteteve të shquara që kanë
kontribuar shumë në zhvillimin e Kosovës, në çdo aspekt, ku janë panumerisht, po unë po i
përmendi dy prej tyre: ish-drejtorin e Rilindjes Asllan Fazlia dhe ish-drejtorin e Institutit
Albanologjik, profesor Kadri Fetiun.
E këtu në Komunën e Suharekës, në Therandën tonë të dashur, jemi edhe në vendin e këngës, të
artit, në Therandën e Riza Bllacës, të Shkurte Fejzës, Shyhrete Behlulit, të Bilbilave të
Mushtishtit, por edhe në Therandën e Bekim Lumit, artistit të jashtëzakonshëm të Kosovës e të
kombit shqiptar, universal në gjenialitetin e tij, në thellësinë e mendimit, në talentin e paparë, i
cili përndryshe nuk njihet vetëm për dramat e tij dhe tekstet brilante, por edhe si autori i këngës
që është bërë himn në tubimet tona, por edhe anë e mbanë ku ka shqiptar, me titullin Jo, nuk
ndahet Mitrovica.
Por, unë kam kënaqësinë të jem edhe në Therandën e dy super ekipeve, të Superligës së futbollit
tonë, të Ballkanit dhe Suharekës në futboll, dhe gjithashtu të Golden Eagle Yllit në basketboll.
Të nderuar të pranishëm, për gjatë këtyre katër viteve, koalicioni ynë përgjithësisht është rritur.
Mund të mos jetë rritur nga java në javë ndonjëherë, por rregullisht është rritur nga muaji në
muaj, e sidomos nga viti në vit. Dhe tash, në vitin 2025, jemi më të mëdhenj se kurrë më parë e
se askush tjetër! Andaj, edhe ne që jemi të mëdhenj si askush tjetër, e më të mëdhenj se kushdo
tjetër, fitoren e kemi të sigurt me 9 shkurt, me numrin 1-1-8, e cila do të jetë fitorja rekord dhe
historike, më e madhja e parë ndonjëherë, pra fitore e paparë e koalicionit VETËVENDOSJE!,
Guxo, Alternativa!
E kandidatët tanë, gjithsej 110 të listës sonë, janë edhe qytetarë aktivë, edhe aktivistë politikë, të
profesioneve e të moshave të ndryshme, por patriotë të të njëjtit atdhe. Me shembullin e tyre, ata

e dëshmojnë veten çdo kund, çdo herë, dhe garantojnë qytetarin e qytetarinë, cep më cep dhe
gjatë gjithë kohës. Unë ju uroj të gjithëve shumë punë e angazhim, sepse ju uroj suksese të
përbashkëta dhe fitore për secilin e secilën! Ju faleminderit që jemi bashkë, punojmë bashkë, e
pa dyshim që më 9 shkurt do të votojmë bashkë, e do të fitojmë bashkë!
Gjatë këtyre më pak se 4 viteve, kemi arritur që ta rrisim ekonominë, ta shtojmë prodhimin, ta
rrisim punësimin, por gjithashtu edhe të mbështesim si sektorin privat, ashtu edhe atë publik.
Konkretisht, gati 10 milion euro kemi ndarë mbështetje me subvencione dhe grante për më
shumë se 4600 bujq e fermerë këtu në Therandë.
Po ashtu, kemi investuar 300 mijë euro në sistemin e ujitjes, i cili përfshin ndërtimin e kanaleve
të ujitjes në fshatin Mushtisht, Vraniq dhe Reshtan, kurse për rrjetin e ujësjellësit në fshatin
Bllacë kemi investuar mbi 100 mijë euro, duke lidhur në rrjet 600 konsumatorë që kanë qenë
duke vetëmenaxhuar furnizimin me ujë. Pra, 400 mijë euro për sistemin e ujitjes dhe të pijes në
komunën tuaj.
Rreth 2000 nëna lehona dhe mbi 14,000 fëmijë të moshës deri në 16 vjeç, kanë marrë shtesa nga
buxheti i shtetit për herë të parë. Kjo është dora e mirë e shtetit për kategoritë që kanë më shumë
nevojë.
320 të rinj janë punësuar përmes platformës “Superpuna” dhe në mandatin e radhës do ta kemi
edhe programin “Superpuna për Gra”, ndërkaq paga minimale që e kemi ngritur në 350 euro, nga
130 dhe 170 sa e kemi gjetur, do të bëhet mbi 500 euro.
Nga tetori i vitit kaluar, afër 8000 pensionistë të Komunës së Therandës kanë marrë pensione me
rritje prej 20%, dhe gjatë këtyre 4 viteve 5 herë e kanë marrë pensionin e 13-të. Në mandatin e
ardhshëm, për të gjitha kategoritë, e në veçanti që është e dobishme për të moshuarit, do ta rrisim
buxhetin për listën e barnave esenciale në 100 milion euro, nga 70 milion euro sa është tani, e
nga 24 milion euro sa e kemi gjetur në vitin 2021.
E meqenëse kemi një shkallë të lartë të rritjes ekonomike, na duhet që të kemi edhe më shumë
fuqi punëtore për ekonominë, për industrinë, për bujqësinë e për zejtarinë tonë, andaj do të na
duhet të punësojmë sa më shumë djem e vajza, sa më shumë burra, por sidomos gra, dhe për këtë
arsye do të ndërtojmë gjithnjë e më shumë çerdhe për fëmijë, por do të mbështesim edhe gjyshet
e gjyshërit që kujdesen për fëmijët nga 1-3 vjeç, atëherë kur atyre u punojnë të dy prindërit, me
një shtesë prej 100 euro në muaj mbi pensionin e tyre.
Gjatë këtij mandati që ende nuk ka përfunduar, por është i pari që shkon deri në fund në Kosovën
e pavarur, mbi 13 milion euro kemi pasur investime në infrastrukturë. Tashmë e kemi nënshkruar
kontratën edhe për ndërtimin e rrugës Mushtisht – Shtërpcë, me gjatësi 18 km, që do të jetë e
gatshme deri në fund të vitit të ardhshëm.
Kemi ndarë buxhetin për ndërtimin e rrugës së vjetër Duhël – Bllacë, që pastaj vazhdon edhe për
Shtime e deri në Banullë të Lipjanit, dhe rrugën Suharekë – Peqan – Peqan i Vogël, kurse
mandatin që e kemi pas 9 shkurtit, përqendrimi ynë do të jetë pikërisht në ndërtimin e asaj

autostrade Duhël – Banullë. Dhe në këtë mënyrë, padrejtësia që iu është bërë Suharekës do të
korrigjohet me këto rrugë të reja, me këtë autostradë të re.
Në Therandë e kemi edhe një projekt tejet të rëndësishëm, e ai është projekti i Digës së
Dragaqinës. Rëndësinë e këtij projekti askush në Kosovë nuk e di më mirë se ju vetë, e ai do të
jetë në mesin e pesë rezervuarëve të ujit që do t’i ndërtojmë gjatë qeverisjes sonë të re në
mandatin e ardhshëm. Pra, Suhareka, Theranda, do të bëhet edhe me autostradë edhe me digë të
re që sigurojnë edhe qëndrueshmëri edhe zhvillim.
Në Therandë i kemi mbështetur 133 familje me mesatarisht secila 3,800 euro për izolimin e
shtëpive, në mënyrë që gjatë dimrit ta kenë ngrohtë, e gjatë verës ta kenë freskët. E përveç kësaj,
do të renovojmë për efiçiencë edhe 3 ndërtesa: dy shkolla dhe një institucion parashkollor, me
një investim rreth 1 milion euro; Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Skënder
Luarasi”, Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shkendija”, dhe Shkollën Fillore të Mesme të Ulët
“Flamuri i Arbërit”.
Në fushën e energjisë për republikën tonë, do ta modernizojmë termocentralin “Kosova B”, do ta
rehabilitojmë thellësisht termocentralin “Kosova A”, dhe 150 milionë euro për familjet dhe
amvisëritë cep më cep të Kosovës për efiçiencë të energjisë elektrike që na e kursejnë energjinë
të gjithëve.
Gjatë këtyre më pak se 4 vjetëve, i kemi mbështetur rreth 30 kompani nga Theranda, me gjithsej
800 mijë euro nga skemat për makineri, certifikim, inovacion dhe digjitalizim. 15 kompani kanë
marrë pjesë në panaire të industrisë ushqimore dhe përpunuese të sektorit të drurit dhe verërave.
Sa i përket çerdheve e shkollave, kemi investuar më shumë se 5 milionë euro në infrastrukturë
arsimore në Suharekë. Një prej çerdheve më të mëdha në Kosovë është pikërisht këtu në
Therandë. Ka kushtuar rreth 750,000 euro dhe është shtëpia e dytë për 120 fëmijë. Investime të
tjera i kushtohen ndërtimit të shkollave në Dobërdelan, Vranik dhe Samadrexh, si dhe
furnizimeve të nevojshme me pajisje të shkollave e sallave të sportit. Sa i përket kulturës dhe
trashëgimisë kulturore dhe sportit, këtu në Therandë e kemi qendrën më të mirë të kulturës në
krejt Kosovën. Ajo ka kushtuar gati 4 milionë euro, por ju që keni qenë aty e dini që ja ka vlejtur
secili cent i investuar. Kjo qendër e mban emrin e ish-të burgosurit politik, luftëtar i Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Kryetarit të Therandës së çliruar, Ukë Bytyqi.
E në këto 4 vjet e kemi shpëtuar, të nderuar të pranishëm, trashëgiminë kulturore e historike që
po degradohej. I kemi kryer mbi 100 ndërhyrje në monumente në tërë territorin e Kosovës. Kemi
restauruar më shumë se sa në dy dekada pararendëse, mbarë së bashku. Në Suharekë e kemi
restauruar Kullën e Jonuz Hasan Tafollit të shekullit 19, e Therandën do ta bëjmë po ashtu për
sport, me një stadium të ri, për të cilin sivjet nis procedura e prokurimit.
E sa herë që vij në Therandë tani, na kujtohet kur vinim në Therandë dikur dhe ka qenë e
pamundur pa i takuar grevistët te shtëpia e ish-kulturës, ish-punëtorët e fabrikës së Ballkanit, të
cilët për gati 20 vjet e pritën shpërblimin e djersës së tyre që kishin lënë në këtë fabrikë, e të
cilën ata ish-ish-qeveritarët ua patën shitur. Pronën e ndërmarrjes Damperi, që deshën ta
shndërrojnë në supermarket – merreni me mend – ja kemi kthyer shtetit, shteti ja kaloi ushtrisë

sonë, e më pare që shteti ja siguroi, ja mundësoi që, gati 20 vjet pas, t’u shpaguhet 20%
punëtorëve të Ballkanit.
Siç e kemi parë, sepse e dinë të gjithë, punëtorët më nuk janë në grevë, në Damper po vjen
Ushtria e Kosovës dhe në Therandë po rriten mirëqenia dhe siguria.
Në 10 shkolla në Therandë e kemi vendosur, e kemi instaluar internetin e shpejtë të rrjetit
kosovar për edukim dhe hulumtim KREN, e ato janë Shkollat “Jeta e Re”, “Naum Veqilharxhi”,
“Vllazërit Frashëri”, “Rame Bllaca”, “Sadri Dula”, “17 Shkurti”, “Vaso Pash Shkdorani”,
“Kongresi i Manastirit”, “Sadri Dula” dhe “Ismet Jashari Kumanova”. Të gjitha këto janë shkolla
në të cilat e kemi internetin e shpejtë, në mënyrë që t’i ofrohet arsimimi sa më cilësor fëmijëve,
nxënësve aty.
Të dashur qytetarë të Therandës, përkundër të gjitha këtyre investimeve kapitale, kur kryhen
punimet, nuk e shihni në tabela që ka investuar Qeveria e Republikës me ministritë përkatëse,
sepse kemi përpjekjen e vazhdueshme të dëshpëruar, tendencën e pandershme për të përvetësuar
investimet që shprehin dashurinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për komunën tuaj në
Therandë. Dhe a e dini çfarë, të dashur qytetarë të Therandës? Nga 23.3 milionë euro që është
buxheti i komunës së Therandës, të hyra vetanake të komunës së Therandës nuk janë as 11.5%.
Pra, mbi 88.5% janë grant qeveritar i Republikës së Kosovës.
Lëvizja VETËVENDOSJE! që unë e udhëheqi, qeverisë vetëm në 6 komuna nga 38; 2 prej tyre
në veri, Leposaviq dhe veri i Mitrovicës, por ne nuk diskriminojmë komuna, sepse ne e dijmë që
qytetarët e Republikës jetojnë edhe si banorë të komunave dhe ne i duam ata dhe ne duam t’i
ndihmojmë ata, sepse jemi zyrtarë e shtetarë të përgjegjshëm ndaj të gjithëve dhe secilit.
Kështu, granti qeveritar i Republikës së Kosovës për komunën e Therandës nga viti 2021, që ka
qenë buxheti i atyre ish-ish-qeveritarëve i trashëguar, në buxhetin e vitit 2025 është rritur më
shumë se 41%. Granti qeveritar për komunën e Therandës nga 2021 në 2025 është rritur më
shumë se 41%. Kjo tregon që ne nuk e diskriminojmë Therandën, pavarësisht kush e qeveris
këtu, sepse ne i duam pa kushte, pa rezerva therandasit, juve të dashur banorë të komunës dhe
qytetarë të Republikës.
Ne e kemi rritur buxhetin, e alokuar në shumë fusha për të gjitha kategoritë shoqërore. Mirëpo,
është një fushë ku jemi detyruar ta rrisim më shumë, e ajo është mbrojtja. Ushtria. Siguria. Në
vitet 2018-2020 ju e dini kush ka qenë në qeveri atëherë. Buxheti për armatim ka qenë më pak se
4 milion euro. Ndërkaq, në vitet 2021-2024 ne kemi blerë armatim mbi 319 milion euro, pra 100-
fish më shumë. E në mandatin e ardhshëm, 4-vjeçar, 1 miliard euro për mbrojtje, për ushtrinë e
Kosovës.
Në mandatin e ardhshëm, për 4 vjet, 1 miliard euro për të mbështetur investime të mëdha e të
mesme, ndërmarrje prodhues dhe po ashtu 1 miliard euro për mbrojtjen, për Ushtrinë tonë. Unë
do të kisha dëshiruar që të mos jemi të detyruar që 1 miliard euro t’i japim për mbrojtje e për
ushtri, mirëpo, të dashur qytetarë, na ka rënë kojshia i keq. E kur e ke kojshinë e keq, ka vetëm
një zgjidhje: pushka e mirë. Por, jo vetëm pushka e mirë, po edhe pushka plot. Prandaj, përveç se
kemi blerë drona luftarakë Bayraktar TB2 nga Turqia dhe sistemin Anti-Tank Javelin nga
Amerika, dhe po blejmë helikopterë ‘Skifterë të Zi’/’Black Hawk’ nga Amerika, gjithashtu do ta

kemi edhe fabrikën tonë të municionit e do të fillojmë edhe ne vetë të prodhojmë drona ‘Made in
Kosova’, të cilët do të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
E kështu, kur të jemi të mbrojtur cep më cep, kur ta kemi kufirin e ruajtur nga ushtria dhe policia
jonë me këtë armatim modern, me këtë municion të shumtë, padyshim që edhe kojshia i keq
mendon një dy-tre herë a me na e msy a jo, e kur të mendoj një dy-tre herë, s’na e msyn hiç, e me
besoni që kjo është më mirë edhe për ne, edhe për ata. Për ne është mirë, sepse nuk kemi nevojë
të luftojmë, e edhe për ata është mirë, se nuk do të kenë nevojë të vdesin.
Të dashur qytetarë, ne edhe ja kemi shtuar sovranitetin shtetit, integritetin territorit, zhvillimin
ekonomisë, prodhimtarinë zhvillimit, punësimin prodhimtarisë, arsimin cilësor punësimit.
Njëkohësisht, ne kemi zhvilluar një dialog fortë të suksesshëm në Bruksel. Atje në Bruksel
vazhdimisht ata më bëjnë presion me nënshkrimet e pararendësve të mi, Mustafa e Thaçi, e
marrëveshjen me mua ikin, se s’dojnë me e nënshkru. Kur të gjitha ish-qeveritë po e zhvillonin
dialogun, dikur në Bruksel, kishim Serbinë që forcohej, e Kosovën jo stabile që dobesohej. Me
qeverinë tonë dhe dialogun që udhëheqim ne, kemi Serbi jo stabile dhe Kosovë që po ngritet e po
forcohet.

Të gjithëve ju kujtohet, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi të zjarrtë e madhështor, se si dikur
në Kosovë Kryeministrat jepnin dorëheqje, e tash Kryeministrat po e japin dorëheqjen në Serbi.
Ajo çka e kemi parë të gjithë ne nga përvoja është që korrupsioni brenda Kosovës dhe
koncesionet jashtë ndaj Serbisë për dy dekada kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj,
është e domosdoshme që në Kosovë të ndalohen koncesionet, të ndalohet korrupsioni e të
vendoset më në fund drejtësia e urtë dhe efikase për të gjitha viktimat anë e mbanë Kosovës.
Nuk mund të lejojmë që Kosova të zhvatet e të plaçkitet as si buxhet shteti, as si pasuri natyrore.
Prandaj, me mandatin tonë të ri do të kemi një Prokurori të re Speciale kundër Krimit të
Organizuar dhe Korrupsionit në Kosovë. Ne kemi shumë respekt për gjithë ata që kanë
kontribuar me çfarë kanë mundur e si kanë ditur, mirëpo asnjëherë nuk mund ta falim, nuk duhet
ta falim e nuk do ta falim korrupsionin dhe dëmin që ia kanë shkaktuar interesit të përgjithshëm
publik. Prandaj, pasuria e përvetësuar paligjshëm, pasuria e pajustifikueshme private do të
konfiskohet dhe kthehet cent me cent, cep më cep nga Byroja për konfiskimin e pasurisë së
pajustifikueshme.
Unë ju falenderoj, të dashur qytetarë, për krejt mbështetjen, përkrahjen, ndihmën, solidaritetin që
keni treguar, edhe me Lëvizjen, edhe me qeverinë, në çdo fazë, e pavarësisht krizave e stuhive në
të cilat jemi ndodhur. Por, tash jemi para një referendumi të ri, para referendumit të 9 shkurtit,
para referendumit ku ju duhet ta gjykoni pozitivisht qeverisjen tonë, ti ndëshkoni me votë ata që
nuk duhet të kthehen më kurrë në pushtet dhe të na i jepni lejen për zotimin tonë, që ne t’ju
shërbejmë për programin e ri qeveritar, me ato 25 premtime tona, dhe në këto 4 vjet të ngritet
çdo aspekt i jetës sociale, ekonomike, kulturore, artistike, sportive dhe siguria e mbrojtja anë e
mbanë, gjithandej, cep më cep, Republikës tonë të dashur.
Pra, nuk ka zgjedhje më 9 shkurt. Zgjedhjet janë në vitin 2029. Me 9 shkurt 2025 ka referendum
dhe numri 1-1-8 është numri me të cilin ju thoni PO në referendum! Prandaj, deri me 9 shkurt,
deri në të dielën e 9 shkurtit, mos u ndalni asnjë orë, ditë e natë! Në secilën rrugë të çdo lagjeje,
në të gjitha fshatrat e komunës së Therandës, për fitoren e numrit 1-1-8, të Lëvizjes

VETËVENDOSJE!, me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa dhe 110 kandidatët tanë të
shkëlqyeshëm, 10 prej të cilëve mund t’i rrumbullaksoni pas rrumbullaksimit të numrit fitues, 1-
1-8!
E fitorja që brohorasim në secilin tubim, edhe këtu, e ka numrin 500 mijë vota, apo më mirë të
themi, 500 mijë zemra, cep më cep Kosovës së pavarur, të cilat do të dalin nga kutitë e votimit në
orët e mbrëmjes së së dielës së 9 shkurtit. Por, në kuadër të këtyre 500 mijë zemrave, të dashur
kandidatë që vini në listën tonë nga Theranda; Sali Zyba, Albena Reshitaj dhe Hysen Durmishi,
Sali, Albena dhe Hysen, në kuadër të këtyre 500 mijë zemrave me 9 shkurt, nga Theranda na
duhen sepse i duam, i duam sepse na duhen 500 mijë zemra. Pra, 15.000 vota nga Theranda, për
fitoren me 500 mijë vota.
Atëherë, të dashur qytetarë të Therandës, a pajtoheni të gjithë, secila e secili që do të punoni e do
të angazhoheni që të kontribuoni, ta realizojmë synimin tonë – 500 mijë vota në Kosovë dhe
15.000 vota në Therandë!
Faleminderit shumë, urime fitorja që sonte! Urime, Therandë! Urime, VETËVENDOSJE!
Urime, Guxo! Urime, Alternativa! Urime, Kombi Shqiptar! Urime, Republika e Kosovës! Natën
e mirë e mirëupafshim!

Kontribo