Lipjani në krah të fitores, mobilizimi final për 118 – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Lipjanit
Edhe nëse rastësisht e keni lënë dikë te shtëpia sonte, sot një javë krejt, i madh e i vogël prej 18 deri në 88, a 98, sa i keni më së shumti plak a plakë, drejt vendvotimeve për fitoren e numrit 1-1-8, me 500 mijë vota që kanë me shpërthy si 500 mijë zemra prej kutive, atëherë kur do të hapen në orët e mbrëmjes e do të numërohen nga komisionerët e Republikës së Kosovës, Cep më Cep vendit tonë.
Të dashur qytetarë të Lipjanit, ju faleminderit shumë për këtë mbështetje kaq të zjarrtë, në këtë mot të ftohtë dimri që po tregon që sivjet pranvera vjen më herët, vjen me 9 shkurt, nja 40 ditë para se që shkrun në kalendar.
E ne jemi këtu në Lipjanin që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit, edhe kulturës të vendit tonë, por njëkohësisht edhe ka sakrifikuar gjatë luftës, me ç’rast nga komuna e Lipjanit i kemi 21 dëshmorë dhe 170 martirë. Lavdi atyre dhe të gjithë dëshmorëve të kombit, e martirëve të popullit tonë.
Nuk duhet asnjëherë ta harrojmë gjenocidin e Serbisë dhe kërkojmë nga gjyqësia dhe prokuroria që sa më shumë të punojnë, të gjykojnë e dënojnë, qoftë edhe në mungesë, kriminelë të luftës, meqenëse drejtësia sa do që vonohet, kurr s’guxon të mohohet. Sa më shpejtë, aq më mirë, dhe kriminelë nuk duhet të ketë në liri, e viktima nuk duhet të ketë që nuk shpaguhen, e nuk rehabilitohen.
E mënyra tjetër se si ne i dalim hakut të dëshmorëve e martirëve të kombit, është pikërisht duke e forcuar ushtrinë tonë, duke e zhvilluar shtetin tonë, në mënyrë që askush, asnjëherë në të ardhmen të mos guxojë të na e mësyjë, të na sulmojë, sepse do t’i dalë shumë më keq sesa që ka mundur me imagjinu.
Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje, siç e dini ju, qeveris me 6 prej 38 komunave, e dy prej tyre janë në veri të Kosovës, ne asnjëherë nuk kemi bërë diskriminim sa i përket buxhetit për pushtetin lokal për komunat e Republikës, sepse jemi të vetëdijshëm që qytetarët e shtetit tonë janë edhe banorë të komunave, prej të cilave i varet shumë zhvillimi dhe mirëqenia. Andaj, do të jemi gjithmonë pranë juve, pavarësisht se kush qeveris në komunën e Lipjanit, dhe këtë e kemi dëshmuar edhe në grantin qeveritar, ku buxheti për komunën e Lipjanit është rreth 50% më i madh sot sesa kur ne e morëm qeverisjen para 4 vjetëve.
E po ashtu, kemi zhvilluar edhe një sërë shpenzimesh e investimesh kapitale këtu, sepse dëshirojmë që puna të jetë në qendër dhe frytet e punës të shpërndahen gjithandej në qytete e në fshatra të Kosovës, e posaçërisht këtu në Lipjan, ku ka shumë tokë pjellore e popullësi punëtore. 2.5 milionë euro është shuma e investimit tonë për infrastrukturën në Lipjan, për të ndërtuar aty ku më herët s’kishte as vullnet, as interes, as iniciativë, e për të ndrequr aty ku projektet ose nuk ekzistonin fare, ose keqmenaxhoheshin, pa çka se ekzistonin.
Nga rrugët Bajram Gashi, Marie Shllaku, e Sadik Shala, te ato të fshatrave Gadime, Smalluzhë, Bujarinë, Llugaxhi, e infrastrukturën rreth lumenjëve të Sitnicës, Gadimes dhe Janjevës, qeveria e Republikës është dëshmuar për komunën e Lipjanit.
I kemi edhe rreth 3 milionë e gjysmë euro që janë investim vetëm i Ministrisë tonë të Kulturës, Rinisë edhe Sportit. Prej tyre, 2 milionë janë për infrastrukturë të sportit, në palestrën e sportit dhe për stadiumin e qytetit, dhe 1.6 milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Shumë vende në Kosovë janë ruajtëse të gjurmëve të civilizimit e të historisë. Fjalët “Janjevë” dhe “e braktisur” nuk duhen të shqiptohen kurrë më bashkë në të njëjtën fjali, siç ka qenë dikur. Tash e kemi një qytezë të vjetër, me një pamje krejt tjetër. Cep më Cep u restauruan dhe u rivitalizuan shtëpitë tradicionale, sepse i ndamë 1.6 milionë euro atje. Lipjani e Janjeva janë në zemër të Kosovës e s’janë më zemra të humbura artistike, kulturore e infrastrukturore, por tashmë të rigjetura e të rimëkëmbura.
Natyrisht, që investimin kryesor e kemi pasur për bujqësi. Mbi 13 milionë euro mbështetje me subvencione dhe grante për 6 mijë bujq e fermerë të Lipjanit.
2600 nëna lehona dhe mbi 15 mijë fëmijë në Lipjan kanë marrë shtesa për herë të parë, duke përjetuar dorën e mirë të shtetit, shtesa që u dyfishuan, e u trefishuan, në kuadër të mandatit tonë që tash ngadalë po e përmbyllim.
Edhe më shumë se 8 mijë pensionistë prej mbi 304 mijë pensionistëve gjithsej në komunën e Lipjanit, nga tetori, i marrin pensionet e rritura për 20%, dhe ata njëkohësisht, në 4 vjetët e fundit, 5 herë e kanë marrë pensionin e 13-të. E nga janari, pensionet me rritje kanë filluar t’i marrin edhe kategoritë e dala nga lufta, invalidët, veteranët, familjet e dëshmorëve dhe familjet e të pagjeturve.
Po, pavarësisht kësaj dashamirësie tonë të madhe për Lipjanin, pavarësisht se ju rrit buxheti nga 16 milionë, sa e kemi gjetur, në 24 milionë, sa është sivjet, këtu, siç e thanë edhe kryetari i Qendrës, edhe kryetari i Kuvendit, është një kryetar komune i cili s’ka nda mendjen a në komunë, a në parlament. E, meqenëse s’ka nda mendjen, më së miri është pa asnjërën.
Andaj, me datën 9 shkurt, meqenëse po don me një këmbë knej e me një këmbë anej, me datën 9 shkurt populli jon e ka një shprehje të mirë, thotë: “Një rrugë, dy punë.” Pra, me datën 9 shkurt në Lipjan mund të thuhet që janë jo një palë zgjedhje, por dy palë zgjedhje: kallzojani vendin, as në komunë, as në kuvend. Sepse ata që sakrificës së Policisë së Kosovës, vendosmërisë së Qeverisë së Republikës thonë se po bëjnë filma, ata nuk e kanë vendin në publik e në pushtet.
Të dashur qytetarë të Lipjanit, gjatë këtyre 4 viteve është rritur 50% buxheti i shtetit, është rritur 50% ekonomia e vendit. Po ashtu, në vitin e kaluar, përveç se ka kaluar bruto produkti vendor mbi 10 miliardë, mbi 3 miliardë janë të hyrat tatimore, mbi 1 miliardë janë eksportet, dhe këto do të vazhdojnë edhe më tej, që do të thotë se do të na duhet fuqi e shtuar punëtore.
E fuqinë e shtuar punëtore do ta marrim nëpërmjet sistemit dual, ku lidhim arsimin profesional me tregun e punës, ashtu që për çdo diplomë shkolle e të fakultetit të kemi një vend pune në ekonomi. Do të arrijmë që me diasporën, që unë parashoh se do të kthehet gjithnjë e më shumë, do të kemi nga diaspora që do të vijnë në Kosovë, të investojnë dhe të fitojnë.
Dhe tjetra është investim i shtuar për gratë. Programit ‘Superpuna për Rininë’ do t’ja shtojmë programin ‘Superpuna për Gratë’. Kjo do të thotë që paga minimale për 6 muaj do t’ju jepet grave si shtesë në vendin e punës, në sektorin privat, në ndërmarrësinë ku do të punësohen. E pagën minimale që e kemi gjetur 130-170 euro, ne e bëmë 265, e bëmë 350, në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë 500 euro.
Por gjithashtu e dimë që kur të punojnë gratë më shumë, atëherë edhe fëmijët duan përkujdesje më të madhe nga shteti. Do ta rrisim edhe numrin e çerdheve, por njëkohësisht edhe mbështetjen për 100 euro shtesë pensioneve të gjysheve dhe gjyshërve të cilët kujdesen për fëmijët nga 1 deri në 3 vjeç, atëherë kur atyre u punojnë të dy prindërit.
Për 4 vjet, 65 çerdhe i kemi renovuar, adaptuar ose ndërtuar me 36 milionë euro, e ata para neve, 17 vjet, veç 4 çerdhe në krejt Kosovën me 1.2 milionë euro. Ne kemi ndërtuar më shumë çerdhe në një komunë sesa ata në krejt Kosovën për 17 vjet. Kurr s’ju ka shkuar mendja as për mbështetje financiare për nënat e reja, gratë lehona, s’ju ka shkuar mendja kurr për mbështetje financiare me shtesa për fëmijë. A e dini pse? Pse ata nuk kanë qenë qeveri për familje, qeveri për nëna, qeveri për fëmijë, qeveri për gratë e Kosovës. Ata kanë qenë qeveri veç për veti, qeveri për fëmijët e tyre, nënat e tyre, gratë e tyre, qeveri për veti. Po a e dini çka, të dashur qytetarë? Burrat, djemtë, edhe ata përfitojnë më së shumti me fitu ne. Pra, vetëm ata që nuk i duan familjet e veta dhe fëmijët e vet, ata mund të mos votojnë për Vetëvendosjen, e të votojnë për vete, por nëse i duan familjet e veta, nëse i duan fëmijët e vet, nëse i duan prindërit e vet, prapë edhe ata duhet të votojnë për Vetëvendosjen, sepse veç ne kemi program për këto kategori shoqërore që i kanë nevojat më të mëdha dhe kanë pasur historikisht kontributin më të lartë për shtetin e për kombin tonë.
Ju këtu keni ardhur vullnetarisht, nuk ka asnjë njeri këtu që ju është paguar rruga për të ardhur sonte. Ju keni ardhur vullnetarisht sepse ne kemi zemër, kemi pasion, kemi dëshirë, kemi vullnet, kemi solidaritet. E derisa vishim këtu në tubimin tuaj, besoni, pashë një tubim të një partie tjetër me autobusa. Merrni me mend, tu i bajtë njerëzit me autobusa nëpër tubimet e tyre. Prandaj, ne e duam një Kosovë Republikë, në të cilën qytetarët, kur hypin në autobus, eventualisht e pyesin shoferin për sa mbërrin, e jo sikur këta që kur hypin në autobus, i thonë shoferit: “Shef, ku jena sot?
Natyrisht që gjatë këtyre 4 vitëve ne e kemi pasur buxhetin më së shumti të alokuar për mbrojtje dhe për siguri; 630 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes për ushtrinë tonë dhe 66% rritje e buxhetit për Policinë. Tash këtë 630 milionëshin, do ta rris më shumë se 60%, 1 miliardë euro për Ushtrinë e Kosovës në 4 vitët e ardhshme, se ju, të dashur lipjanas, e dini fort mirë që ashtu siç është shtëpia për familjen, shteti është për popullin, shteti është shtëpia e popullit, e shtëpia është e sigurt aq sa është i sigurt pragu i shtëpisë, e pragu i shtëpisë është i sigurt aq sa është i sigurt oborri i shtëpisë, e oborri i shtëpisë është i sigurtë aq sa është i sigurtë gardhi i oborrit. E gardhi i oborrit janë kufinjtë e shtetit, prandaj edhe ne themi: Republika e Kosovës, cep më cep, mbrohet nga Ushtria, Policia, Qeveria, institucionet e shtetit tonë të pavarur.
Përveç se 1 miliardë për ushtrinë, 1 miliardë edhe për prodhimtarinë, sepse duhet të kemi sa më shumë ndërmarrje që prodhojnë, e rrisin rendimentin, e zvogëlojnë dhe zëvëndësojnë importet dhe në këtë mënyrë i shtojmë vendet e punës në Kosovë dhe eksportet jashtë Kosovës.
Në institucionet e Kosovës së sigurisë, në Polici, do të investojmë në pajisje, trajnime dhe armatim, por edhe do ta avancojmë njësinë e dronëve dhe anti-dronëve për të ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit dhe sigurinë publike në përgjithësi.
Do ta heqim taksën doganore prej 10% për veturat nga Bashkimi Evropian, dhe kufizimin 10-vjeçar nga veturat që importohen prej jashtë. Në vend të tij do të jetë kriteri i emitimit të gazrave Europass, pra jo sa është vetura e vjetër, por sa nuk e dëmton ambientin ajo.
Për transportin public e kemi programin ‘Anembanë Kosovës’, me 10 euro biletë të integruar me transport urban e ndërurban, secili qytetar do të mund të udhëtojë lirisht nëpër Kosovë.
Në mesin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore që ka shumë rëndësi për Lipjanin, e kemi edhe autostradën Duhël-Shtime-Banullë. Kjo është shumë e rëndësishme për inkuadrimin e Lipjanit në rrjetin e rrugëve të mira e të shpejta të Republikës sonë.
Po ashtu, do ta kemi edhe programin e mobilitetit për studentë, i cili i mbështet studentët në nevojë, veçanërisht ata nga distancat më të largëta ku studiojnë prej vendeve ku jetojnë. Studentët që klasifikohen për këtë program, për çdo muaj do të marrin një bursë, varësisht prej distancës. Pra, natyrisht që do t’i mbështesim edhe studentët e Lipjanit që studiojnë në Prishtinë, por ata që shkojnë në Mitrovicë do të marrin mbështetje më të madhe sesa ata që shkojnë në Prishtinë. E më besoni, që Mitrovica është shumë më afër se sa që e menojnë njerëzit.
Në mandatin e parë, buxheti për bursa për studentë ka qenë 15 milionë euro, kurse numri i përfituesve ka qenë 16 mijë studentë. Kjo është mbështetja më e madhe historike që qeveria, shteti ua kanë bërë studentëve të Republikës. E në mandatin e ardhshëm do të ndajmë bursa edhe për studentët që studiojnë në universitete apo në kolegje jopublike.
Do ta themelojmë edhe Prokurorinë e re të Specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e po ashtu byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetësohet sivjet. Bëhen reformat e thella në drejtësi, procesi i vettingut, në mënyrë që të marrë fund një herë e përgjithmonë jo vetëm zhvatja, plaqkitja, e vjedhja, por edhe posedimi i asaj që e kanë përvetësuar, pajustifikueshëm, e pa ligj, e pa nderë, e pa punë, e pa djersë, në vitet kaluara. Ato kanë marrë fund, janë në të shkuarën. Në të ardhmen, cent më cent do t’i kthehet, cep më cep, shtetit tonë prej atyre të cilët pushtetin e përdorën për zullum e pasurim, e jo për shërbim e punë.
Të dashur qytetarë të Lipjanit, e di që shumë prej jush janë në diasporë. Rreth 105 mijë qytetarë janë regjistruar online për të votuar. Ata kanë pasur dy mundësi për të votuar. Fizikisht nëpër ambasada dhe konsulata, data 8 shkurt, pra e shtunë, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Ata kanë 12 orë, prej 7 të mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes, për të votuar nëpër ambasada dhe konsulata. Disa janë regjistruar asisoj, pra 12 orë i kanë, me datën 8 shkurt. Ja u përkujtoni sepse ka regjistrime të tilla online, por shumica e tyre që janë regjistruar online, janë regjistruar për të votuar me postë. Ju lutem që sa më parë të votojnë me postë, në adresat që i ka përcaktuar KQZ-ja nëpër shtetet perëndimore evropiane dhe të tjera anë e mbanë botës. Pra, jo për të votuar me postë në ambasadë e në konsulatë, në ambasadë e në konsulatë mund të votoni fizikisht. Me postë duhet të votoni në adresat postare që i ka përcaktuar KQZ-ja. Për Gjermani është një kuti e tillë postare, një adresë postare në Shtutgart, ndërkaq për Zvicër është në Cyrih. Edhe shtetet tjera i kanë kësisoj adresat postare të përcaktuara nga KQZ-ja.
Mos e lini në 5 minutat e fundit, por ndani 5 minuta qysh sonte ose nesër, më së largu pasnesër. E nëse nuk e bëni pasnesër, unë ua kujtoj tjetër pasnesër, se s’kam çare.
Por sa më shpejtë 5 minuta i ndani dhe votoni, se e keni kryer pjesën e parë. Kur e kryejmë pjesën e parë, regjistrimin online, nuk ka vlerë, është mundësi e shkuar kot, nëse nuk e kryeni edhe pjesën e dytë. E pjesa e dytë është vota në zarf dhe në kutitë postare të KQZ-së.
Ndërkaq, ju që do të votoni me datën 9 shkurt këtu në Lipjan, votoni sa më herët paradite, me familje e me farefis, me kolegë, shoqe e shokë e dashamirë, i thirrni krejt, edhe ata që i keni pasur në klasë në shkollë fillore, edhe ata në klasë në shkollë të mesme, edhe ata në atë punën e motshme që e keni lënë, edhe ata në këtë punën që e keni tash, edhe ata në atë mahallën e vjetër, edhe këta në këtë mahallën e re, hallat, dajtë, tezet, axhallarët, kushërinjtë e të gjitha anëve. Thirrni masivisht!
Unë e di që në secilën familje është një person që është pak më organizator, domethënë i cili e organizon punën e familjes; kur duhet të shkojë në ndonjë udhëtim, ai është personi kryesor që e organizon udhëtimin, kur duhet të presin musafirë, kur vijnë pak më shumë, ai organizatori i familjes e përgatit familjen për vizitën që do ta ketë musafirë të shumtë. Ai organizatori, e lus atë organizator! Nganjëherë organizatori është djali i madh, nganjëherë motra e madhe, nganjëherë nëna, nganjëherë babai, nganjëherë është ai djali i vogël që di më së miri të punojë me kompjuter, pra, çdo familje e ka atë organizatorin. Ai organizatori është duhur që komplet trungun familjar të farefisit ta shkruajë në letër dhe t’i thirrë, t’i thirrë të vijnë në zgjedhje në referendumin e 9 shkurtit që është datë historike për të ardhmen e Kosovës. E lus atë organizator në familje që ta bëjë këtë gjë, këtë gjë po e bëjmë edhe secili prej nesh, 110 kandidatëve. E kemi bërë edhe më herët në zgjedhje, prandaj edhe kemi dalë mirë.
Tu e nxjerrë trungun familjar asisoj, ju e dini që kam marrë vesh që Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, e kam diçka… Pra, veç kur e kemi nxjerrë trungun familjar në letër për t’i mobilizuar për zgjedhje, e mora vesh që unë dhe Glauku, që thonë në Gjakovë, ishim ilake.
E që tash po ju tregoj çka kam me Glaukun, mos të paça harru. Gjyshja e Glaukut kah ana e babës së tij, e ka vajzë të djalit të agjës, nënën e burrit të çikës së tezës time. Qe pra, Glaukun, Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, duke nxjerrë trungun familjar në letër, edhe unë, e pashë si po lidhemi.
Ose për ta bërë edhe më thjesht se tash, ai organizatori zakonisht është personi në familje që e bën listën e dasmës. Kur duhet të thirren për dasmë, ai e bën listën e dasmës. Ai le të bëjë listën si për dasmë me 9 shkurt, edhe le të lëshojë dorën pak, edhe le të thërrasë krejt, së me datën 9 shkurt ne votojmë bashkë, fitojmë bashkë dhe pastaj festojmë bashkë në dasmën e 500 mijë zemrave për numrin 1-1-8!
Ju duam fort! Faleminderit përzemërsisht!
Urime qysh tash kjo fitore e madhe plebishitare. Mirë u pafshim e natën e mirë!
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476268105_1033254492174134_8712962404850106784_n-1-1024x684.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476093588_1033252095507707_7870514050527393156_n-1-1024x683.jpg)