Mitrovica i prinë fitores 118 – Fjala e Kryeministrit Kurti në tubimin e Mitrovicës
Të dashur qytetarë të Mitrovicës, mirëmbëma dhe mirë se ju gjej këtu në sheshin Mehë Uka.
Ju e bëni dimrin verë me këtë mikpritje kaq të zjarrtë për listën tonë me 110 kandidatë dhe me numrin 1-1-8. E duhet ta bëjmë dimrin verë sepse sivjet pranvera ja nis më herët, ja nis më 9 shkurt e jo 40 ditë më vonë, siç shkruan kalendari.
Të nderuar të pranishëm, nuk ka brim a piskamë nëpër studio televizive, e as germë nëpër portale që mund ta mohoj apo ta shtrembëroj realitetin e ri të Mitrovicës që është realizuar duke ju falënderuar qëndresës suaj dhe qeverisë sonë. Kushdo mund të shkojë kurdo andej Ibrit për punë, për pushime dhe për qejf, në ditë të javës dhe në ditë të fundjavës, të rrijë, të kthehet, të rikthehet, e sidomos ju, të dashur qytetarë të Mitrovicës.
Një milion lajme të rreme nuk mund ta mposhtin të vërtetën. E vërteta ekziston në popull dhe ajo fiton çdo herë. Fiton përherë. Fiton këtu, kudoherë në Kosovën tonë, cep më cep. Kurse e vërteta këtu me ju është se sot në veri të Kosovës valon flamuri i Republikës së Kosovës. E vërteta është se ushtria dhe policia e Kosovës janë më të forta se kurrë më parë. Se fëmijët e nënat marrin shesa për herë të parë, të cilat edhe u dyfishuan e u trefishuan. Se Kosova është një nga vendet me rritjen më të madhe ekonomike e ngritjen më të lartë demokratike. Sot lëvizim të lirë kudo në Evropë. Ecim krenarë kudo nëpër botë, sepse punojmë me dije e plan dhe shërbejmë me dinjitet e përkushtim. Këto janë të vërtetat e popullit që populli i njeh shumë mirë dhe s’ka portal, e as analist që mund t’i shtrembërojë apo t’i mohojë.
Të gjitha komunat në Republikën e Kosovës janë anëtarë të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Komuna e fundit që është anëtarësuar aty është Komuna veriore e Mitrovicës, me 22 gusht 2023.
E falënderoj kryetarin Erden Atiq, i cili është me ne këtu sonte bashkë edhe me kryetarin e Leposaviçit, Lulzim Hetemi, për iniciativën me marr detyrën e cila u kurorëzua me sukses që në Asociacionin e Komunave të Kosovës të jetë anëtare pjesëmarrëse me përgjegjësi e të drejta të plota edhe Komuna veriore e Mitrovicës.
Fiks për tre javë, të dashur qytetarë, bëhen një vit e gjysmë që Asociacioni i Komunave të Kosovës është plotësuar e kompletuar. Të gjitha komunat janë anëtare aty tani. Prandaj, Republika e Kosovës, me qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo, kurrë Zajednicës dhe po Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku tash e kemi edhe Komunën veriore të Mitrovicës sonë të dashur.
E dashura rini e Mitrovicës,
Rinia nuk është vetëm e ardhmja, e ardhmja i takon gjithsesi rinisë. Veç se e ardhmja tashmë po ndodh; rritja e ekonomisë, shpërndarja e mirëqenies dhe shtrirja e sovranitetit janë ardhmëria e dëshiruar që tashmë po ngjan. Këto 4 vite ishin 4 vite të VETËVENDOSJES! dhe Mitrovicës. Kjo dekadë është e Mitrovicës dhe e VETËVENDOSJES. E ky shekull është i Republikës dhe i Shqiptarëve. Ju faleminderit përzemërsisht për kontributin dhe përkrahjen!
Të nderuar të pranishëm, kur e morëm detyrën në fund të marsit të vitit 2021, 512 milion euro na i patën lënë deficit buxhetor, ata që ikën, e mos u kthefshin. E borxhe gjetëm pothuajse në çdo ministri, te bujqësia 40 milionë, 141 milionë të papaguara për bizneset vendore, ndërmarrjet publike na i lanë me 59 milionë euro humbje e të tjera, e të tjera. Por ekonominë që ne e morëm me më pak se 7 miliardë euro vlerë, e sollëm në pikën kur e përmbyllim mandatin tonë me bruto produktin vendor mbi 10 miliardë euro vlerë. Jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund e që ekonominë e rrit për gati 50%.
E gjatë kësaj rritjeje të ekonomisë i kemi dyfishuar eksportet e vendit tonë e po ashtu edhe investimet e huaja direkte në vendin tonë. Investimet kapitale shënuan rekord të ri me 654 milionë euro të ekzekutuara në vitin që po lëmë pas, 2024. E nga 350.000 të punësuar që i kemi gjetur në pranverën e vitit 2021, tash që jemi këtu e po flasim bashkë, i kemi 430.000 të punësuar dhe shumica e të punësuarve shtesë janë të rinj dhe gra.
Në atë vitin e parë të qeverisjes patëm sfida gjigante nga kriza të trefishta globale. Pandemia Covid-19 që vjen një herë në shekull dhe kriza energjetike dhe ajo e inflacionit që vijnë një herë në gjysmë shekulli. Të trija për një herë, në fillim të mandatit. Dhe a e dini çfarë? Dolëm fitimtarë në të tri këto fronte!
Asnjë vaksinë e asnjë kontratë për vaksina nuk e gjetëm, e për 7 muaj arritëm të vaksinojmë më shumë se gjysmën e popullsisë. Nga inflacioni që dikur e kalonte 11%-in, vitin e kaluar e kemi mbyllur me inflacion vetëm 1,6%. Kurse energjia elektrike në Kosovë është më e lira në Evropë, vetëm 7 cent të euros për kWh (kilovat orë), kurse i mbështetëm 2.008 familje me subvencionim faturash.
E rritëm mbështetjen për fermerë e për ndërmarrës. Shtuam buxhetin për shkolla, spitale, qendra të mjekësisë familjare dhe barna.
Arsimin e bëmë falas edhe nivelin universitar për të gjithë.
Ndërtuam e rinovuam objekte sportive e të trashëgimisë kulturore, cep më cep në Republikën e Kosovës.
E po ashtu e rritëm financimin për më shumë rend e ligj, siguri e sovranitet.
Rritëm pagat në sektorin publik, tri herë brenda mandatit, e rritëm dy herë pagen minimale. Rritëm pensionet e ndihmat sociale, si dhe i shtuam bursat për studentë.
Për herë të parë, ofruam mbulim universal të shtesave për mbi 400.000 fëmijë të Kosovës e afër 70.000 gra lehone të vendit tonë.
Luftuam e luftuam me shumë sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. U mbyllën dhjetra laboratorë të drogës e prodhime ilegale të kriptovalutave. U mbyllën dhjetra rrugë ilegale e u vendos rendi në çdo cep të territorit të vendit tonë. Me këtë rast, ndërmarrjet publike, që i gjetëm me 59 milionë euro humbje, i sollëm në pikën ku i kanë 139,6 milionë euro fitim, 17 ndërmarrje publike qendrore të Republikës së Kosovës.
E tash, të dashur qytetarë në veri të Kosovës, edhe paguhet energjia elektrike që konsumohet, edhe janë shuar strukturat ilegale të Serbisë e kriminelët e tyre, nëse s’janë vrarë ose janë në burg, kanë ikur, janë arratisur jashtë prej vendit tonë.
E bëmë vendin tonë ndër tri shtetet me progresin më të shpejtë në botë të reformave në drejtësi. Siguruam lirinë e lëvizjes pa viza brenda zonës Schengen për qytetarët tanë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2024, duke punuar në dy drejtime; i pari, përmirësim i imazhit ndërkombëtar të shtetit tonë dhe i dyti, angazhim aktiv me shtetet skeptike.
Siguruam që Kosova të organizojë Lojrat Mesdhetare, Prishtina 2030, duke u bërë vendi i parë në rajonin tonë që i mundësohet organizimi i një ngjarjeje kaq të madhe sportive.
E, të dashur qytetarë, këtë rritje, këtë progres, këtë zhvillim nuk e kemi mbajtur vetëm në kryeqytet ose në komunat ku qeveris Lëvizja VETËVENDOSJE, jo! E kemi shpërndarë gjithandej në Kosovë.
Buxheti për komunat është rritur nga 547 milionë euro, sa e kemi gjetur në 2021-shin, në 788 milionë euro sivjet, që i bie 44% rritje e buxhetit përmes grantit qeveritar për Komunat e Republikës së Kosovës.
VETËVENDOSJA qeveris në 6 komuna, vetëm në 6 komuna nga 38, dhe prej këtyre 6, 2 janë në veri të Kosovës, mirëpo ne e dimë që qytetarët e Republikës janë edhe banorë në komunë, andaj i ndihmojmë me krejt çka mundemi e dim, që të gjitha komunat.
E këtu në Mitrovicë, ta zëmë, mbështetje direkte me subvencione dhe grante, 4,5 milionë euro – 4 milionë euro e gjysmë, për më shumë se 2.200 bujq e fermerë.
Rreth 2.600 nëna të reja, nëna lehona dhe gati 17.000 fëmijë kanë përfituar shtesa.
600 të rinj janë punësuar përmes platformës ‘Superpuna’.
16.000 pensionistë të Komunës së Mitrovicës, nga tetori i vitit të kaluar, kanë marrë shtesën prej 20% në pensionet e tyre, përveç se e kanë marrë 5 herë për 4 vite pensionin e 13-të, e nga janari pensionet me rritje kanë filluar t’i marrin edhe kategoritë e dala nga lufta, veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve e familjet e të pagjeturve.
Po, nga muaji janar, edhe mbi 80.000 zyrtarë të shtetit, shërbyes civil do të marrin rrogen me rritje, e cila do të rritet përsëri në korrik të këtij viti. Pra, 55 euro shtesë me janar dhe 55 euro të tjera shtesë, në korrik.
Qeveria jonë, Qeveria juaj, të dashur qytetarë të Mitrovicës, është qeveria e parë e cila në sektorin publik tri herë i rriti pagat e shërbyesve civil dhe dy herë e rriti pagën minimale. E kemi gjetur 130 euro dhe 170 euro varësisht, a je mbi 35 apo po nën 35 vjeç, e kemi bërë 350 euro, e në mandatin e ardhshëm paga minimale do të jetë mbi 500 euro. E kur jemi te paga minimale, ajo nuk do të tatimohet, që do të thotë se ajo do të ngritet në 500 euro për biznesin e vogël individual dhe 6000 eurot e para të fitimit vjetor gjithashtu lirohen nga tatimi.
Përveç faturave të energjisë elektrike, sivjet në veri të Kosovës po faturohën edhe tatimi në pronë për 4 komunat veriore. Për herë të parë pas 25 vitësh. Dhe kështu, një pas një, dalë nga dalë, gjërat po bien në vend të vetin. Na duhet edhe një mandat për t’u siguruar që gjërat rrinë në vend të vetin.
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është përmirësuar për 2.268 vende në renditjen botërore të Webometrics, ka qenë gati në vendin e 13.000, e tash është më mirë se 10.700 për 4 vite. Pra, përmirësim përmbajtësor në ranglistën botërore të performancës, cilësisë, vlerës së Universitetit tuaj “Isa Boletini”, në Mitrovicë.
Pra, ne e kemi ndihmuar vazhdimisht Komunën jugore të Mitrovicës edhe Komunën veriore të Mitrovicës. Por, a e dini çfarë, të dashur qytetarë? Kandidati për Kryeministër i PDK-së dhe Kryetari i Komunës këtu, një mandat si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, nuk është marrë fare me dinarin serb si mjet pagese. Dhe jo vetëm kaq! Kryetari i Komunës jugore këtu, përveç se ka qenë guvernator një mandat, ka qenë edhe dy herë Ministër i Financave dhe gjatë këtyre dy herëve që ka qenë Ministër i Financave nuk u kujtua asnjëherë që në këtë vend ka nëna lehona e ka fëmijë që kanë nevojë për mbështetje financiare të shtetit. E sikur kjo të mos mjaftonte, ky kryetar i Komunës jugore të Mitrovicës, kur i ka fituar zgjedhjet në veri të Mitrovicës Erden Atiqi i VETËVENDOSJES, nuk ia ka uruar fitoren. Nuk ia ka uruar fitoren dhe as nuk ka shkuar asnjëherë në zyrë ta vizitojë. Prandaj, Kryetarin e Komunës jugore të Mitrovicës këtu, unë e ftoj publikisht që të shkojë në veri e të pijë një kafe te Kryetari i Komunës Veriore të Mitrovicës, Erden Atiqi. E ftoj publikisht! E ftoj publikisht Bedri Hamzen që të kalojë Ibrin e të shkojë te Erden Atiqi! Se edhe atje është Kosovë! Edhe ajo është Republika e Kosovës!
Në mandatin që na pret, të dashur qytetarë, do t’i ndajmë 1 miliard euro për Ushtrinë e Kosovës! Në këtë mandat që po e përmbyllim, 630 milionë euro, përafërsisht, i kemi ndarë. E tash këtyre 630 milionë eurove ja shtojmë edhe më shumë se 50% sepse në mandatin e ardhshëm 1 miliard euro për ushtrinë tonë. Ju e dini shumë mirë që e kemi hequr tavanin prej 5.000 pjesëtarëve, mund të shkojmë edhe më shumë se kaq, ndërkohë që kufizimin e moshës prej 23 vjeç, e kemi bërë 25 vjeç, e kemi dyfishuar numrin e çizmave në tokën tonë, të ushtarëve tanë dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit në shtetet e NATO-s për oficerët, nenoficerët dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kemi blerë drone luftarake Bayraktar TB2 prej Turqisë, kemi blerë sistemin Javelin Amerikan, antitank dhe gjithashtu edhe ‘Skifterat e Zi’, helikopterët Black Hawk. Pra, kur kësaj ia shtojmë faktin që do të kemi fabrikë të municionit dhe drona ‘Made in Kosova’, ushtria jonë do të na mbrojë cep më cep, bashkë me policinë tonë, dhe ai kojshia i keq që e kemi duhet me mendu tri katër herë para se të na sulmojë. E kur të mendon tri katër herë, nuk ka me ja mbajtë me sulmu. E masi s’ka me ja mbajtë me sulmu, është më mirë edhe për ne, se s’do të ketë luftë, por është më mirë edhe për ata, se nuk do kenë nevojë me vdek.
Përveç se 1 miliard për ushtri, edhe 1 miliard për prodhimtari dhe, për çdo vit, se paku 1 miliard euro investime kapitale nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Do të ndërtojmë spital të ri në Mitrovicë dhe Ferizaj. Poliklinika Specialistike në 6 komuna, e buxheti për listën e barnave esenciale që veç se është në nivel rekord tash, afër 70 milion euro, prej 24 milion euro, sa e kemi gjetur, pra gati trefishim, do ta bëjmë 100 milion euro. Si dhe për herë të parë do ta kemi listën e rimbursueshme të barnave jasht-spitalore, mbështetje kjo shtesë për shpenzimet e qytetarëve tanë.
Ekonomia jonë po rritet. Ekonomia jonë do të rritet edhe më shumë, sepse kur rritesh, rriten edhe mundësitë për t’u rritur. Por kjo rritje e ekonomisë është shumë më e rëndësishme edhe për një aspekt tjetër; e shton punësimin. Por, ne kemi nevojë për gjithnjë e më shumë të rinj e të reja që punësohen. Prandaj, e kemi programin ‘Superpuna për Rininë’, prej 18 deri në 29 vjeç, 6 muaj pagën minimale ja japim bonus apo prim. E kësaj do t’ja shtojmë edhe ‘Superpuna për Gratë’, sepse ka shumë gra të cilat do të mund të punojnë, pikërisht kur ta marrin këtë shtesë të nivelit të pagës minimale, në pagën në sektorin privat, në kompani të ndryshme.
E tash, ne e dimë që grave u shkaktohen vështirësi në rritjen e fëmijëve, atëherë kur do të punojnë, prandaj do ta shtojmë numrin e çerdheve. 65 çerdhe i kemi ndërtuar, adaptuar ose rinovuar. Kemi mundur shumë më tepër, po komunat nuk kërkonin, e përshtypja ime, te dashur qytetarë, është që komunat nuk po lypin fort prej qeverisë qendrore, se s’po u jep atyre kurgjë. Pra, janë mësuar me lyp ndonjë projekt ku u mbetet 10% apo 20%. Tash jo që s’ka 10% e 20%, po s’ka as 0,1%. Nuk ka më ashtu, rroga e vogël, fitimi i madh. S’ka më as rryshfet në fillim, e as haraq në fund. Gjithçka me punë e talent, me nderë e me ligj.
Përveç çerdheve, ka 100 euro që do t’iu paguajmë shtesë pensionistëve, gjysheve e gjyshërve që kujdesen për fëmijët prej 1 deri në 3 vjeç, kur të dy prindërit atyre punojnë.
Do ta themelojmë edhe fondin e sigurimeve shoqërore, përmes të cilit mbulohet pagesa për pushimin e lehonisë dhe prindor dhe pagesa në rast të humbjes së vendit të punës.
Në muajt e parë të qeverisë sonë, do ta heqim taksën doganore prej 10% për vetura nga Bashkimi Evropian, kurse me draftligjin e ri për automjete, që është gati dhe vetëm pret miratimin fillimisht në qeveri e pastaj në Kuvend, do ta heqim kufizimin 10-vjeçar për veturat që importohen prej jashtë. Në vend të tij do të jetë kriteri i emetimit të gazrave Euro 5. Kriterin e vjetërësisë po e zëvendësojmë me kriterin e Bashkimit Evropian për mjedis të pastër.
Raporti i tatimit të mbledhur brenda vendit dhe në kufij nga doganat ka avancuar nga 44%, sa e kemi gjetur, në 56%, aktualisht. Mbledhjen e TVSH-së në mandatin e ardhshëm për mallrat që hyjnë në kufij, do ta zhvendosim nga kufiri në brendi të vendit, sikurse e kanë ndërmarrjet, bizneset për TVSH-në e brendshme. Pra, data e pagesës së TVSH-së bëhet në muajin pasues të muajit të importimit, që është lehtësim shumë i madh për ndërmarrjet tona, për bizneset tona.
Gjithandej Republikës do të ndërtojmë 5 rezervuare për ujë të pijes, ujitje dhe industry.
Në Mitrovicë e kemi Ujmanin, që ka 75% të rezervave ujore të Republikës tone, e që ne kurrë për asnjë kusht e asnjë çmim, kurrë nuk e ndajmë, sepse është i yni! Nuk e ndajmë me askënd, sepse është pronë e Republikës së Kosovës!
Të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor, Trepçës ja kemi kthyer edhe terminalin rajonal, të cilin ish-qeveritarët, ish, ish, ish-qeveritarët, e patën privatizuar. E kemi ndaluar përvetësimin e rezervave dhe të pasurive. Ja kemi përmirësuar menaxhimin, ja kemi ulur shpenzimet, ja kemi rritur të hyrat. Minierat muaj për muaj po nxjerrin xehe gjithnjë e më shume. Veç miniera e Stantergut, për shembull, për 4 muajt e fundit të vitit të kaluar, prej shtatorit deri në dhjetor, i ka nxjerrë mesatarisht në muaj 15.000 ton xehe, që është rekord në Kosovën e pasluftës.
Trepçën do ta fusim nën ombrellën e fondit sovran që është në Gjykatën Kushtetuese më shumë se 13 muaj, dhe do t’ia zgjërojmë prodhimin përmes hapjes së punishteve të reja të nxjerrjes së xehes. E gjithashtu do t’ia përmirësojmë procesin e flutacionit të xehes dhe rikthejmë industrinë e plumbit dhe të zinkut.
Na duhet mandati i ri edhe për punishte të reja. Na duhen 500k vota me zemër, në mënyrë që nga 250 mijë ton xehe të kalojmë në 500 mijë ton xehe nga Trepça juaj, Trepça jonë e dashur.
Pra, Trepça i bashkohet fondit sovran dhe, të dashur qytetarë, të dashur punëtorë, gra e burra, djem e vajza, më lejoni që me këtë rast t’ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë minatorëve, po dhe të gjithë juve, se i kemi humbur midis dy palëve të zgjedhjeve, midis shkurtit 2021 dhe shkurtit 2025, 3 kolosë të Trepçës: Nazmi Mikullovcin, Shyqri Kelmendin dhe Minir Dushin.
Qeveritë e mëhershme, lërë që e ndanë e e lanë të ndarë Mitrovicën, thuajse përfitonin nga plaga e Kosovës, por nuk arrinin as të lidhin Prishtinën me Mitrovicën.
Rruga Prishtinë-Mitrovicë ka nisur, merreni me mend, në vitin 2009, para gati 16 vitësh. Herë nuk bëhej pronësimi, e herë nuk kryheshin punimet. 5 qeveri i ka pritur e i ka përcjellë kjo rrugë Prishtinë-Mitrovicë. Po duket që ka qenë tu na pritur neve, e ne po i prijmë asaj. E kemi përfunduar segmentin e parë nga Prishtina në hyrje të Vushtrrisë dhe në pranverë kryhet edhe pjesa tjetër deri në Mitrovicë.
Të nderuar të pranishëm, punimet në stadiumin e qytetit “Adem Jashari”, do të përfundojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jetë stadiumi me kapacitetin më të madh në Kosovë. Do të jetë një nga stadiumet kryesore të Lojërave Mesdhetare, si për futboll ashtu edhe për atletikë.
Të dashur qytetarë, në këtë listë tonë me 110 kandidatë, pasi t’i rumbullaksoni numrin 1-1-8, duhet t’i rumbullaksoni edhe 10 kandidatë për deputet. Më herët ka qenë 5, tash është 10. Pra, e keni pak më kollaj, se me 5 të mbet dikush merak që s’e rumbullaksove. Edhe 10 nuk është kollaj, sepse secili prej këtyre 110 është më i mirë se tjetri, e këta krejt bashkë janë më të mirët që kanë ekzistuar ndonjëherë në Kosovën e çliruar, po me 10 është pak më kollaj se me 5.
Andaj, më lejoni që t’i ftoj nga mesi juaj, këtu para jush në skenë, disa prej tyre që vijnë nga Mitrovica e rrethi juaj këtu: Faton Peci, Arjeta Fejza, Agim Bahtiri, Hasime Tahiri-Sinani, Sanije Rexha dhe Armend Muja.
Faleminderit shumë të nderuar pjesëmarrës për këtë mbështetje. Në këto zgjedhje, dallimi është i qartë: ose do të ecim përpara drejt të ardhmes me më shumë mundësi, më shumë drejtësi dhe më shumë zhvillim, ose do të kthehemi pas tek ata që këtë vend e trajtuan si pronë të tyre personale. Ata që kërkojnë kthimin mbrapa, ata që sallat i mbushin me autobusa e ekranet dhe portalet me propagandë, janë po të njëjtit që ju i njohni mirë si “parën e kuqe”, e po të njëjtit me të njëjtat qëllime. Ata s’kanë as parime, as vlera
Në mes të zotimeve tona për mandatin e ardhshëm është edhe prokuroria e re speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përveç Byrosë për konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme.
Të dashur qytetarë, ne nuk jemi kundër pasurive. Ne nuk jemi kundër pasurimit. Ne veç kemi qejf të na tregojnë ata që kan bërë shumë miliona, si i kanë bërë? Nuk do tw duhej që dikujt që ka punuar me nderë e me djersë e sipas ligjit, që t’i vijë marre të tregojë ku i ka marrë paratë. E unë nuk besoj që ka njerëz që nuk e kujtojnë si janë pasuruar.
Pra, Byroja për konfiskimin e pasurisë të pajustifikueshme nuk është kërcënim për popullsinë, po po e përjetojnë si të tillë vetëm ata që, siç thotë populli, ‘e kanë mizën nën kapuç’. Vetëm ata po e përjetojnë si kërcënim, jo qytetarët. Ata që kanë zhvatur, plaçkitur, vjedhur, përvetësuar, keqpërdorur, ne nuk mund t’ua falim sepse ka shumë viktima me plagë të hapura. E kanë vjedhur ardhmërinë e vendit tonë, ne po ia kthejmë atë pak e nga pak, po gjithnjë e më shpejt dhe kjo është arsyeja pse padyshim kjo prokurori e re do të krijojë një fazë të re në drejtësinë e Republikës sonë. Ata që kërkojnë kthimin mbrapa, ata që sallat i mbushin me autobusa, se nuk e di nëse e keni dëgjuar atë më të renë: Njëri zakonisht kur hip në autobus e pyet shoferin ‘për sa mbërrijmë’, por këta kur po hipin në autobus po pyesin ‘ku jemi sot?’.
Pra, këta që veç pare dhe reklamë nëpër portale, edhe autobusa që enden për t’i mbushur sallat me ‘qyk të zorit’, nuk kanë as parime, as vlera, sepse për ta pushteti nuk është shërbim e nder, por përfitim dhe pasurim. Po populli ynë i njeh mirë se kush janë ata, populli ynë as nuk blihet e as nuk shitet, as nuk gënjehet e as nuk mashtrohet.
Para se të mbyllim këtë tubim, diaspora jonë, e cila është regjistruar online, duhet të votojë sa më parë. Mos e lini për ditën e fundit, votoni sa më parë, se vetëm regjistrimi online është gjysma e punës. Gjysma tjetër është votimi. E votoni numrin 1-1-8, mandej edhe 10 kandidatë aty, e futni në zarfe dhe e dërgoni me postë në ambasadat tona ose në konsullatat tona, kudo që jeni në Evropën Perëndimore apo gjetiu. Pra, mos lejoni që të shkojnë ditët, sepse mund të vonoheni e vota të bëhet e pavlefshme. Kjo është një mundësi e shkuar huq, mos e rrezikoni votën tuaj, votoni sa më parë. Mos votoni në 5 minutat e fundit, po ndani 5 minuta këto ditë dhe kryeni votimin. Sepse nëse jeni regjistruar online, e nuk e dërgoni me postë votën, është njësoj si në futboll, më lujtët gjysmën e parë dhe pas pushimit mos të dilni më në fushë. Nuk bëhet ashtu! Domethënë, është edhe pjesa e dytë, tash ka mbetur edhe pjesa e dytë, 107.000 janë regjistruar. Ju thoni familjarëve, kolegëve, miqve, dashamirëve që i keni në perëndim. Nëse jeni regjistruar online, votoni sa më parë nëse tashmë nuk keni votuar. E ata të tjerët, të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në ambasada e konsullata, mund ta bëjnë këtë me datën 8 shkurt, prej 7 të mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes, sepse ka edhe të tillë në diasporë që kanë thënë: “Nuk votojmë me postë, po shkojmë votojmë në kuti, në ambasadë ose në konsullatë.” Ata e kanë ditën e shtunë, 8 shkurtin. Por mos e prisni 7 shkurtin që të votoni me postë. Votoni menjëherë! Sot, nesër, më së largu pasnesër. Sepse nëse nuk votoni sot, nesër, më së largu pasnesër tjetër pasnesër, unë prapë në tubim do të them këtë punë. Mirë do të ishte mos të thosha më këtë. E unë statistikat i shoh, i shoh sa po votojnë, prandaj është e domosdoshme ta kryeni sa më shpejt edhe këtë gjysmën e dytë të punës së njëjtë me kurorëzim të suksesshëm, ashtu që në mbrëmje të 9 shkurtit, të dielën, nga kutitë, edhe në diasporë, edhe në Kosovë, të shpërthejnë 500 mijë zemra për fitoren më të madhe, historike, rekord dhe të paparë në Kosovën e pasluftës.
E në kuadër të këtyre 500 mijë zemrave, në kuadër të këtyre 500 mijë votave, i dashur Armend Muja, e dashura Arjeta, i dashuri Faton, i dashuri Agim, po edhe Hasime e Sanije dhe të gjithë ju, në kuadër të 500 mijë votave me 9 shkurt, nga Mitrovica i duhem sepse i duam, i duam sepse na duhen 30.000 vota! 30.000 zemra në kuadër të 500 mijë votave e zemrave të datës 9 shkurt! Prandaj, punoni ditë e natë, natë e ditë, ashtu që nesër një javë votojmë bashkë, fitojmë bashkë, festojmë bashkë!
Numri 1-1-8, Lëvizja VETËVENDOSJE!, me Guxo dhe Alternativen dhe kandidatët më të mirë që ja u sjellin 4 vite të reja me mirëqenie, integritet, sovranitet dhe dinjitet!
Ju faleminderit përzemërsisht! Natën e mirë dhe mirupafshim!
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/475775648_1032581468908103_6199176147004594845_n-1-1024x684.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/475849483_1032581302241453_2347519584251790396_n-1-1024x683.jpg)
![](https://www.vetevendosje.org/wp-content/uploads/2025/02/476097644_1032582368908013_8635491095193812750_n-1-1024x732.jpg)