10 02 2025

Homazhe në nderim të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit

Lule të freskëta mbi varret e tyre, për të kujtuar se brezat e shqiptarëve e mbajnë gjallë pishtarin e lirisë, duke ia përcjellë njëri-tjetrit dhe duke mundësuar kështu përparimin e popullit tonë.

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, Bashkë Kryetaren e Guxo, Donika Gërvalla, bacën Avni Dehari, Kryesuesen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari, Sekretarin Organizativ, Alim Rama, familjarë e miq të Monit dhe Arbenit, ministra, anëtarë të kryesisë, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë sot homazhe te varri i Mon Balajt në Podujevë dhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë. Më pas, ata vazhduan homazhet te Pllaka Përkujtimore e dëshmorëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Më 10 shkurt 2007, pikërisht 18 vjet më parë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, bashkë me mijëra demonstrues të tjerë, marshuan paqësisht kundër padrejtësive të Pakos së Ahtisaarit. Gjatë kësaj proteste, ata u qëlluan nga policia rumune e UNMIK-ut, e cila – siç vërtetohet në shumë raporte të organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Panelin Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të UNMIK-ut (2 mars 2015) – kishte përdorur forcë krejtësisht të panevojshme për t’i shpërndarë protestuesit.

Sot, 18 vjet më vonë, ende mungon drejtësia për Arben Xheladinin dhe Mon Balajn. Megjithatë, kërkesa jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë, sepse ajo është e pandashme nga liria dhe vetëvendosja e popullit të Kosovës.

Nderim dhe lavdi jetës e veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit!

Kontribo