“A është segregacioni etnik vlerë e BE-së?!” “Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!”
Synimet pro-perendimore dhe integruese të popullit të Kosovës, po dëmtohen nga disa marrëveshje që janë në shpërputhje të plotë me vlerat e Bashkimit Evropian.
Segregacioni dhe ndarja etnike janë projekte tashmë të tejkaluara dhe të luftuara ashpër nga shtetet perendimore. Reciprociteti dhe barazia në mes të shteteve janë disa nga vlerat fundamentale të BE-së nga të cilat Kosova nuk guxon të heq dorë.
Opozita e bashkuar e Kosovës beson që vetëm duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të Republikës, jemi duke i mbrojtur edhe vlerat perendimore. Marrëveshjet për Asociacionin dhe për demarkacionin me Malin e Zi janë të padrejta. E para ndan etnikisht dhe e defunksionalizon vendin kurse e dyta ia fal territoret e Kosovës, Malit të Zi. Ne nuk mund të heqim dorë nga subjektiviteti shtetëror dhe nga funksionaliteti i shtetit tonë. Evropa nuk do të pranojë në gjirin e saj një shtet jofunksional dhe të pazhvilluar dhe i cili për shkak të marrëveshjeve që e ndajnë etnikisht do të jetë burim i përhershëm i konflikteve.
Prandaj, subjektet opozitare, duke e mbrojtur Republikën e Kosovës nga këto marrëveshje të padrejta, po e mbrojnë dhe lehtësojnë edhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Shteti, liria, barazia, drejtësia dhe zhvillimi, janë çështje për të cilat nuk mund të bëjmë kompromise.