10 11 2018

Administratë Dinjitoze dhe me barazi në Paga

  • Lëvizja VETËVENDOSJE! përmes Nënkryetares dhe deputetes Fatmire Mullhaxha Kollçaku, anëtares së Kryesisë dhe deputetes Arbërie Nagavci si dhe antëtares së Kryesisë dhe deputetes Albulena Haxhiu mbajti konferencë për projektligjin e ri për administratën publike.

    Para këtij projektligji, Kryeministri pati vendosur rritjen e pagave për veten e tij, për çka Lëvizja ka dorëzuar kallzim penal dhe është në pritje të trajtimit të tyre. Sot, përmes dispozitave të këtij projektligji të prezantuar, Kryeministri tenton të legjitimojë rritjen e mëparshme të pagave.

    Po ashtu, ky projektligj tregon se qeveria po tenton përsëri të privilegjojë përmes ligjit veten e saj, individë dhe deputetë. Deputetja Albulena Haxhiu tregoi sesi, sipas propozimit të ri, pagat e Presidentit, Kryeministrit dhe deputetëve janë respektivisht 17, 15 dhe 12 herë më të mëdha sesa paga minimale në Kosovë.

    Projektligji privilegjon një pakicë dhe nënvlerëson një shumicë. Ai është propozuar pa debat, arsye dhe shpjegim duke përplasur dhjetra ligje dhe duke mundësuar çorganizimin e administratës publike. Deputetja Haxhiu shpjegoi sesi, sipas kësaj pakete ligjore, Komisioni i Pavarur për Miniera bashkë me Këshillin për Trashëgimi, Autoritetin e Konkurrencës dhe Zyrat e Rregullatorit të Energjisë dhe Ujrave vendosen nën diktatin e Qeverisë.

    Nënkryetarja e Lëvizjes Kollçaku përmendi problematikën e ikjes së mjekëve nga Kosova. Ky fenomen po favorizohet nga qeveria e Kosovës duke mos u dhënë atyre prioritetin dhe mbështetjen e nevojshme. Me amendamentet e Lëvizjes për projektligjin për pagat synohet që mjekëve t’iu jepet dinjiteti i merituar.

    Po ashtu, edhe arsimi nuk e ka mbështetjen e duhur dhe do të duhej të bëhej prioritet kombëtar i qeverisjes. Deputetja Nagavci tregoi sesi punëtorët e arsimit janë të diskriminuar në paga raport me sektorët e tjerë për punë të së njëjtës kategori.

    Përballë këtyre problematikave aktuale në administratën publike dhe përballë rrezikut të përshkallëzimit të tyre përmes projektligjit të ri të Qeverisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar amendamentet e mëposhtme:

    • heqjen e nenit që legjitimon vendimin e qeverisë për rritje page;
    • heqjen e shtesave të propozuara për deputetet dhe heqjen e një
    • përqindje të caktuar nga pagat në rastet kur deputetët nuk shkojnë në seanca;
    • heqjen e pagës kalimtare për një vit të parashikuar për zv.ministrat pas largimit nga puna;
    • rritjen e koeficentit për prokurorët dhe gjykatësit e krimeve të rënda, të gjykatave dhe prokurorive themelore dhe për gjyqtarët për kundravajtje;
    • akordimin e koeficentëve në raport me përgjegjësitë që kanë për bashkëpunëtorët profesional që i ndihmojnë prokurorëve dhe gjyqtarëve;
    • shtesa të posaçme për shërbyesit civil në institucionet e drejtësisë;
    • shtesa të posaçme për shërbimin korrektues;
    • rritje të koeficentit dhe të shtesave të posaçme për zjarrfikësit për shkak të rrezikut të madh në punën e tyre.

    Tre ligjet e administratës publike kanë nevojë për shumë punë dhe Lëvizja po e vazhdon analizën, kritikën dhe propozimet e saj kundrejt të tre ligjeve. Në instancë të fundit, amendamentet e Lëvizjes kanë për synim që në Kosovë të ketë paga të barabarta për punë të barabarta dhe paga të dinjitetshme për çdo punë në administratën publike. Ligjet për administratën publike dhe vetë administrata publike duhet të reflektojë këto dy parime përballë shoqërisë tonë.

Kontribo